“Shumica e cilësuar prej 3/5 e deputetëve, vlerësohet si një formulë kushtetuese, që premton dhe garanton zgjidhje që i vlejnë të ardhmes, por që nuk mund të ndryshojë në funksion të një realiteti aktual politik”. Kështu e shpjegon Eksperti i Nivelit të Lartë, Sokol Sadushi, formulën për zgjedhjen e organeve kushtetuese, e cila është dhe çështja më e debatuar mes përfaqësuesve politikë, në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Sadushi shpjegon ndryshimet e bëra sipas sugjerimeve të Opinionit të Komisionit të Venecias, por dhe çështjet reale që i ndajnë me ekspertët e opozitës.
Zoti Sadushi, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, ku bëni pjesë dhe ju, ka hartuar tashmë një draft të ndryshimeve kushtetuese mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Sa nga këto sugjerime janë bërë pjesë e projektit final?
Komisioni i Venecias (KV) në Opinionin e tij paraprak të datës 21 dhjetor 2015, pasi ka analizuar situatën kritike në të cilën ndodhet vendi, që justifikon edhe zgjidhjet radikale të propozuara, ka vlerësuar punën e bërë nga Ekspertët e Nivelit të Lartë dhe ka konkluduar se projekt-amendamentet kushtetuese “përbëjnë një bazë solide për të arritur qëllimin e kësaj reforme”. Kjo është dhe deviza e të gjithë opinionit që ka dhënë Komisioni i Venecias. Në lidhje me draftin kushtetues, pikësëpari, vlen të nënvizohet fakti se, Komisioni i Venecias nuk ka bërë vërejtje për çështjet thelbësore, që përbëjnë edhe themelet bazë të të gjithë strukturës së amendamenteve kushtetuese. Janë shumë çështje që as janë kritikuar dhe as janë konsideruar si shkelje e standardeve demokratike. Në asnjë rresht të Opinionit të KV-së nuk gjendet ndonjë kritikë për zgjidhjet që ne kemi ofruar dhe që lidhen me ridimensionimin e kompetencave të Presidentit të Republikës në raport me sistemin e drejtësisë; me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, formulën e përbërjes dhe mënyrën e emërimit të anëtarëve të saj; me kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për të mos kontrolluar në thelb kushtetutshmërinë e amendamenteve kushtetuese; me zgjerimin e të drejtës së individëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Në Opinion nuk ka vërejtje për domosdoshmërinë e riorganizimit të Gjykatës së Lartë dhe ndarjen e juridiksioneve, për riformatimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, apo për riorganizimin e Prokurorisë. Gjithashtu, ekspertët e Komisionit të Venecias e konsiderojnë të pranueshme, ndërprerjen e mandatit, për shkak “të ristrukturimit radikal” të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, apo të “riorganizimit të sistemit të emërimeve dhe modifikimit të rolit të Prokurorit të Përgjithshëm”. Nisur nga niveli i lartë i korrupsionit në gjyqësorin shqiptar dhe i një situate që “kërkon masa urgjente dhe radikale”, nuk mund të lihet pa evidentuar edhe opinioni pozitiv që shfaq Komisioni i Venecias, për kryerjen e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo për praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë gjatë këtij procesi. Nëse kemi dëshirën për të pranuar vlerësimin pozitiv që Komisioni i Venecias ka bërë për këto çështje madhore, atëherë mendoj se Ekspertët e kanë bërë zgjedhjen e duhur.
Krahas vlerësimeve të mësipërme, Komisioni i Venecias sugjeron përmirësimin e pjesshëm ose përshtatjen më të mirë të disa mekanizmave, me synimin që arritja e qëllimit final për të cilin janë hartuar projekt-amendamentet të jetë sa më e plotë dhe efikase. Në këtë aspekt, ne kemi reflektuar plotësisht të gjitha rekomandimet e dhëna dhe drafti tashmë është përmirësuar ndjeshëm. Megjithatë, mbetemi të hapur për çdo rekomandim që do të bëhet në Opinionin paraprak dhe përfundimtar nga Komisioni i Venecias dhe që priten të dërgohen gjatë muajit shkurt dhe mars.
PD-ja pretendon se janë 11 pika për të cilat nuk bie dakord me draftin tuaj në një kohë që gjen mbështetje në rekomandimet e Venecias…
Nuk e di nëse janë më shumë apo më pak se 11 pika, por ajo që vlen për t’u theksuar është se nuk ka shumë rëndësi numri i çështjeve për të cilat opinionet ndahen, se sa qëllimi për të bërë të mundur unifikimin e qëndrimeve. Përjashtimisht qëndrimit distancues mbi shumicën e cilësuar, që në optikën time është një çështje kushtetuese, por që interpretohet si një çështje e mprehtë politike, çështjet e tjera janë të tilla që jo vetëm nuk mund të konsiderohen si të pakapërcyeshme, por ndonjë prej tyre e ka gjetur parashikimin në draft.
Formula finale për zgjedhjen e organeve kushtetuese me 3/5 e votave është konsideruar nga PD-ja si kapje e drejtësisë? Si e konsideroni këtë konstatim?
Shumica e cilësuar njihet si një numër kushtetues që të pengon në kapjen e drejtësisë. Paraprakisht do t’iu lutesha të lexonit pikën 137 të Opinionit, të titulluar “Përfundime”, në të cilën Komisioni i Venecias, pasi ka analizuar të gjitha çështjet, i sugjeron Shqipërisë disa prej “rekomandimeve më të rëndësishme” që “mund të bëjë për tekstin e projekt-amendamenteve”. Ndër 8 rekomandimet më të rëndësishme, që bëhen në Opinion, nuk përmendet shumica e cilësuar prej tre të pestave. Kjo është e rëndësishme, sepse lidhet me konkluzionet përfundimtare të Opinionit. Me këtë nuk dua të them se Komisioni i Venecias nuk ka shprehur një opinion mbi këtë çështje, por duhet të pranojmë se nuk ka asnjë rekomandim që të konsiderojë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, si të papranueshme. Shumica e cilësuar prej 3/5 e deputetëve, vlerësohet si një formulë kushtetuese, që premton dhe garanton zgjidhje që i vlejnë të ardhmes por që nuk mund të ndryshojë në funksion të një realiteti aktual politik. Opinionin e Venecias do të dëshiroja ta lexonit saktësisht nga fillimi e deri në fund. Nëse do e lexoni në mënyrë parciale, atëherë opinionet e kundërta nuk do mund të shterojnë. Pika 55 e Opinionit ka vetëm një paragraf, në të cilin Komisioni nuk e analizon si nevojë për të ndryshuar shumicën e cilësuar prej tre të pestave, por që e lë në diskrecionin e ligjvënësit se zgjidhja më e mirë,është “të sigurojë që propozimet e kandidatëve janë të lira, në maksimumin e mundshëm, nga ndikimi politik”. Pra, i gjithë debati për heqjen e shumicës prej tre të pestave nga Kushtetuta dhe kalimin e miratimit të kandidaturave me dy të tretat nuk ka gjetur vend në opinionin e Komisionit të Venecias. Nga ana tjetër, argumenti për të ndryshuar shumicën e cilësuar në Kushtetutë, sa herë ndryshojnë mazhorancat politike, do të ishte rruga më e keqe për të mos pasur një Kushtetutë, sepse ndryshimi i saj do të ndodhte sa herë të kishim zgjedhje politike.
A do të ishte një garanci më shumë për drejtësi të pavarur, zgjedhja e këtyre strukturave me 2/3 e votave?
Çdo shumicë e cilësuar imponon arritjen e një konsensusi politik, si në drejtim të ligjbërjes parlamentare, ashtu edhe për përzgjedhjen e kandidaturave. Kërkesa për të arritur një shumicë të cilësuar prej dy të tretave, sidomos në zgjedhjen e funksionarëve, përmban rrezikun e ngërçit institucional, i cili nëse nuk adresohet në mënyrën dhe kohën e duhur, mund të çojë në paralizimin e institucioneve. Shumica e cilësuar prej tre të pestave është një shifër kushtetuese mbi të cilën miratohen ligjet organike të institucioneve kushtetuese. Pra, nuk është një shifër e ulët. Duhet të dini se këto ligje janë shumë të rëndësishme dhe determinante për mënyrën se si ushtrojnë veprimtarinë institucionet kushtetuese që nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, e deri te gjykatat më të ulëta. Në çdo Kushtetutë demokratike parashikohen disa lloj shumicash të cilësuara, me synimin për të arritur tek numri më i madh, që është numri për ndryshimin e Kushtetutës. Nuk është e pranueshme për një Kushtetutë që disa funksionarë, siç janë anëtarët e këshillave gjyqësore e prokuroriale të zgjidhen me dy të tretat, pra me 94 vota, aq sa kërkohen për të miratuar Kushtetutën, në një kohë që për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nevojiten 71 vota, ndërsa për disa funksionarë të tjerë, si Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Guvernatori i Bankës parashikohet një minimum prej 36 votash.
Duke parë këtë përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, pse nuk u konsiderua si zgjidhje propozimi i ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë për zgjedhjen e organizmave kushtetuese?
Ju duhet të keni në vëmendje se Ekspertët e Nivelit të Lartë kanë një detyrim për të respektuar të gjitha konkluzionet që janë evidentuar qartësisht nga skanimi i plotë që i është bërë sistemit të drejtësisë dhe që janë pasqyruar në materialin voluminoz “Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri 2015”. Nga kjo pikëpamje, ne kemi respektuar dhe marrë në konsideratë çdo opinion të ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë, që nuk cenon konkluzionet e pasqyruara në analizën e kryer, si dhe në Strategjinë e Reformës në sistemin e drejtësisë.
Pse u la si zgjidhje finale përfundimi i mandatit të kryeprokurorit me hyrjen në fuqi të kësaj reforme?
Nuk është parashikuar përfundimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Ne kemi respektuar opinionin e Komisionit të Venecias në pikën 96, në të cilën është pranuar se zëvendësimi i Prokurorit të Përgjithshëm “ndoshta mund të justifikohet nga riorganizimi i sistemit të emërimeve dhe modifikimi i rolit të Prokurorit të Përgjithshëm (dmth “decentralizimi” i të gjithë sistemit).” Ashtu siç Opinioni rekomandon se “mbajtja e Prokurorit të Përgjithshëm deri në skadimin e mandatit të tij do të ishte e pranueshme”. Pikërisht, zgjidhja e cila, nga njëra anë, nuk e konsideron të papranueshme ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm për shkak të ristrukturimit total të institucionit dhe, nga ana tjetër, e vlerëson se mandati i tij duhet përfunduar, ka gjetur parashikimin në normën përkatëse të draftit të paraqitur. Sipas nenit 179, pika 7 të draftit kushtetues, Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë deri në emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, ndërkohë që “Prokurori i Përgjithshëm emërohet brenda 2 muajve pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por jo më vonë se data e përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë”.
* * *
“Opinioni i dytë i Venecias një mundësi më shumë për konsensus”
Drafti final parashikon ndër të tjera, ngritjen e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative, të cilat do të kenë në përbërje të tyre gjyqtarë dhe jo gjyqtarë. Pse u vendos kjo zgjidhje?
Mosngritja e Gjykatës së Lartë Administrative para tre viteve, kur u pranua me ligj fillimi i funksionimit të gjykatave administrative, ishte një gabim. Jemi ndër vendet e pakta në botë që fatin e çështjeve administrative që gjykohen nga gjykatat administrative në shkallë të parë dhe në apel, gjyqtarët e të cilave kanë kaluar testin profesional, detyrohemi ta lëmë në dorë të Gjykatës së Lartë, gjyqtarët e të cilës nuk pengohen të gjykojnë si çështje administrative, ashtu edhe çështje penale a civile.
Mosekzistenca e Gjykatës së Lartë Administrative në Shqipëri, ka krijuar një problematikë të madhe edhe në një tjetër drejtim. Mosmarrëveshjet ndërmjet çështjeve civile apo administrative, të cilat janë aq të shumta në praktikën e gjykatave tona, zgjidhen me vendime unifikuese nga Gjykata e Lartë, në përbërje të së cilës ka më shumë gjyqtarë që zgjidhin çështje civile dhe penale se sa gjyqtarë të çështjeve administrative. Për më tepër, ligji që zbatohet në këto raste nuk është vetëm ai për gjykatat administrative, por edhe ligji për gjykatat civile. Kjo zgjidhje që është tipike dhe vetëm për realitetin shqiptar, nuk gjendet në ato vende që kanë ngritur gjykatat administrative. Mjafton të shihni Gjykatën e Lartë Administrative të Gjermanisë, ligjin e të cilës ka pranuar Shqipëria, por edhe gjykatat e larta të vendeve të tjera, që pranojnë sistemin e gjykimit administrativ autonom. Ata që e njohin sistemin e drejtësisë administrative e dinë mjaft mirë se një nga defektet e sistemit tonë të gjykimit administrativ që nuk arrin të përfundojë çështjet gjyqësore në kohë të arsyeshme apo që krijon konfondime ndërmjet çështjeve civile apo administrative, lidhet edhe me mungesën e Gjykatës së Lartë Administrative. Në lidhje me konstatimin tuaj se në përbërje të gjykatave të larta do të ketë prurje nga radhët e jo gjyqtarëve, dua të sqaroj se bëhet fjalë për gjyqtarë që duhet të vijnë nga qarqet akademike, kryesisht nga radhët e profesorëve të së drejtës apo juristëve të shquar, për të cilët ka shumë nevojë praktika gjyqësore. Nëse do të shihni përbërjen e të gjithë gjykatave të larta në Evropë, nga perëndimi në lindje, nuk do të gjeni asnjë gjykatë të lartë që përjashton juristët e shquar apo ata që vijnë nga pjesa e profesoratit. Ndërthurja e pjesës praktike me doktrinën juridike është domosdoshmëri për gjykatat e larta në të gjithë vendet e përparuara. Për më tepër, që sipas draftit kushtetues,përbërja nga radhët e juristëve të shquar nuk do të jetë më e lartë se një e pesta e të gjithë trupës gjyqësore. Nëse do të bëni llogaritë do t’iu rezultojë një shifër mjaft e ulët, në një gjykatë me mbi 20 gjyqtarë.
Emërimi i Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit nga kryeministri a cenon besueshmërinë e kësaj strukture si garante për të mos lejuar abuzimet gjatë procesit të përkohshëm të vlerësimit?
Nuk ka lidhje përfshirja e Kryeministrit me cenimin e besueshmërisë së Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ata që njohin rregullat e të drejtës ndërkombëtare, e dinë mjaft mirë se nuk vendos autoriteti vendas se kush duhet të jetë pjesë e stafit të strukturave ndërkombëtare. Përfshirja e kryeministrit është e njëllojtë me procedurën e akreditimit që bëjnë institucionet kombëtare ndaj përfaqësuesve të huaj.
Një koment të fundit sa i përket konsensusit të munguar me opozitën, mendoni se palët mund të ishin treguar më tolerante për të gjetur një gjuhë të përbashkët?
Është një pyetje që nuk mendoj se mund t’i drejtohet Ekspertëve të Nivelit të Lartë, të cilët janë caktuar në këtë detyrë të rëndësishme, mbi propozimin e institucioneve të pavarura, si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Shkolla e Magjistraturës, Universiteti i Tiranës etj. Sidoqoftë, pas ardhjes së opinionit të dytë nga Komisioni i Venecias, rruga për gjetjen e gjuhës së përbashkët ndërmjet ekspertëve, do të jetë më e madhe. Për më tepër që Komisioni i Venecias, do vijojë të ngushtojë maksimalisht mundësinë që ekspertët, nga njëra anë, por edhe palët politike, nga ana tjetër, të vijojnë të përballen apo të vendosen në opinione krejtësisht të ndryshme. Megjithatë, kjo mbetet për t’u parë.
Suela Topi / Shekulli