Lejet e dhëna për shfrytëzimin e materialeve inerte në basenin e Shkumbinit lidhen drejtpërdrejt me situatën e rrugës Librazhd-Prrenjas që prej 5 ditësh ka izoluar juglindjen, thotë gjeologu Arlis Arlikaj në “Studio Live” në Report Tv.
Sipas të dhënave, të cilat janë pasqyruar edhe në hulumtimin e Report Tv, 3 prej kompanive kanë leje për të marrë e nxjerrë 1 milionë metër kub inerte nga lumi Shkumbin.
“Me këtë sasi mund të mbushen 400 pishina olimpike dhe kanë leje deri në vitin 2027. Në rast se kjo gjë nuk ndalet tani, lumi do të shkatërrohet përfundimisht”, thotë inxhinieri i mjedisit.
Alikaj shpjegon se pikërisht marrja e këtyre inerteve ka bërë që lumi të gërryejë shtratin e vet duke shkaktuar prishjen e rrugës.
“Dëmtimi i rrugës është përfundimisht si pasojë e gërryerjes së shtratit të lumit. Shtrati i lumit nuk është thjesht rërë, por bazament i gjithë luginës dhe quhet erozion regresiv. Makineritë që heqin 1 milionë metër kub inerte, shkakton boshllëk të madh në lartësinë e shtratit dhe më pas lumi tenton të mbushë këtë gropë duke gërryer me forcë muret anësore dhe kjo ka sjellë degradimin e infrastrukturës lokale”, thotë gjeologu.
Situata është paralajmëruar prej vitesh, vijon ai sepse “lejet janë dhënë pa llogaritur kostot mjedisore”. Sa për shpresën se gjendja mund të përmirësohet, kjo varet nga rigjenerimi i lumit, i cili për shkak të dëmtimit, mund të dojë edhe 5 vite. Alikaj nuk e fshehu as zhgënjimin për reagimin e ARRSH-së që ia atribuoi fajin reshjeve.
“Rigjenerimi mund të marrë vite dhe mund të jetë për 5 vjet. Realiteti është që kjo masakër mjedisore që i është bërë lumit Shkumbin nuk është në atë stad që mund të rigjenerohet vetë sepse s’ka marrë gurë e zhavorr, por inerte, sedimentin e lumit. Isha pak i zhgënjyer nga reagimi i ARRSH-së që ia hidhte fajin reshjeve të shiut sepse e dimë që ishte propagandë e pastër. Një zgjidhje mund të jetë rruga Egnatia që është 2000-vjeçare, por do të marrë kohë dhe s’mund të ndërhyhet sepse është e mbrojtur nga UNESCO. Mbetet interesante se kush do ta mbajë përgjegjësinë dhe çfarë zgjidhjeje do t’i japin kësaj pyetjeje sepse askush nuk mban përgjegjësi për këtë babëzi dhe masakër mjedisore që i është bërë lumit”, tha Alikaj.
Sipas tij, zgjidhja e vetme është që të ndalen menjëherë lejet mjedisore.
“Të ndalen lejet mjedisore për këto kompani sepse vijojnë ende deri në vitin 2027. Nëse ndalen, lumi nuk shkatërrohet përfundimisht sepse ai do të rregullojë shtratin e tij. Në këtë mënyrë ka shpresë nga ana gjeologjike dhe gjeomorfologjike që rrugët që kanë qenë më përpara të krijojnë nyje, të gjejnë zgjidhje alternative dhe të ulet periudha e pritjes”, përfundoi inxhinieri.











