Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David Phillips, një kritik i ashpër i Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, tha se është e nevojshme të bëhet një hetim i plotë i incidentit të arrestimit dhe deportimin të gjashtë shtetasve turq me banim në Kosovë më 29 mars. Në një intervistë me Skype, zoti Phillips, i cili është drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia të Nju Jorkut, i tha kolegut tonë Ilir Ikonomi se Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran dhe nuk mund të merret nëpër këmbë nga vende të tjera.
Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, si e gjykoni incidentin e javës së kaluar në Kosovë, ku gjashtë shtetas turq u arrestuan, u hipën në një avion dhe u deportuan për në Turqi? A e shihni këtë si diçka shqetësuese për mënyrën se si funksionojnë institucionet e Kosovës?
David Phillips: Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sovranitetin e Kosovës, që minon sundimin e ligjit dhe institucionet e saj. Ai i dërgon gjithashtu një sinjal komunitetit ndërkombëtar se Kosova është një shtet i dobët dhe se Turqia mund të bëjë ç’të dojë atje pa u ndëshkuar. Është një zhvillim shumë negativ për Kosovën.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, shumë hollësi janë ende të paqarta, për shembull nëse Presidenti Hashim Thaçi ishte i përfshirë drejtpërdrejt, apo se çfarë lloj bashkëpunimi i është ofruar në Kosovë shërbimit sekret të Turqisë. Sa shqetësuese mendoni se është kjo?
David Phillips: Është një shqetësim i thellë, kur politikanët në Kosovë marrin urdhra nga politikanë të vendeve të tjera. Kjo kërkon një hetim të thellë dhe të plotë të asaj që ka ndodhur; pra nëse ka patur bashkëpunim të fshehtë mes ndonjë politikani në Kosovë dhe homologëve të tij në Turqi. Kjo duhet të ndriçohet, sepse është kretësisht e papranueshme. Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran dhe nuk mund të merret nëpër këmbë nga Turqia apo të marrë urdhra për të bërë atë që do Turqia.
Zëri i Amerikës: Si do ta përshkruanit ndikimin e Turqisë në Kosovë? Turqia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe duket se Presidenti Erdogan po përfiton nga ky fakt për të ushtruar presion mbi udhëheqësit e Kosovës, më konkretisht mbi kryeministrin Ramush Haradinaj.
David Phillips: Le të jemi të qartë për faktet. Turqia ishte një ndër vendet e para që e njohu Kosovën, por ajo i rezistoi fort njohjes së pavarësisë së Kosovës sepse nuk donte që njerëzit të bënin krahasime midis shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe një shkëputjeje të mundshme të Kurdistanit nga Turqia. Vështirë të thuash se Turqia ka qenë një mike e mirë e Kosovës. Veprimet e saj të fundit janë veprime të një bande kriminale, e cila e heq veten si qeveri dhe që punon në bashkëpunim të fshehtë me homologë gangsterë në Kosovë, që mund të jenë edhe pjesë e qeverisë së Kosovës. Është e nevojshme të bëhet një hetim i plotë rreth asaj që ndodhi. Duhet gjithashtu të hetohet nga afër depërtimi i Turqisë në shoqërinë e Kosovës. Si është e mundur që Turqia arrin të kontrollojë dhe të operojë aeroportin e Kosovës? Ajo ka në kontroll rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike të Kosovës. A ka patur rryshfete për politikanë në Prishtinë, të cilët e kanë lejuar Turqinë të fitojë këto pozita përparësore në Kosovë? Dhe, nëse kjo është e vërtetë, kush ka përfituar, sa para ka përfituar? Çfarë tregon kjo për këta politikanë dhe për besueshmërinë e tyre? A janë ata shërbëtorë publikë të popullit të Kosovës, apo veprojnë në emër të një shteti të huaj, duke sabotuar interesat e sovranitetit të Kosovës?
Zëri i Amerikës: Ju keni thënë se Turqia ka një agjendë islamiste në Kosovë. Cila është kjo agjendë, sipas jush, dhe si po përpiqet Turqia ta arrijë atë?
David Phillips: Është e njëjta agjendë neo-otomaniste dhe islamiste që Turqia eksporton në të gjitha territoret ish-otomane dhe në vende të tjera të botës. Ajo përdor mjete të tilla të fshehta si TIKA, Agjencia për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ndërkombëtar, për të çuar përpara interesat e Turqisë. Ajo rindërton objektet e arkitekturës osmane, mbështet ndërtimin e xhamive, mbështet koston e operimit të medreseve dhe shkollave, që radikalizojnë kosovarët. Problemi që Kosova pati me ISIS-in, ishte rezultat i veprimtarive të TIKA-s që minonin laicizmin dhe nacionalizmin në Kosovë, për të forcuar atje kontrollin e Turqisë dhe agjendën e saj islamiste. TIKA ka disa programe ndihmash sociale dhe kjo është për t’u lavdëruar. Por përsa u përket shkollave që shërbejnë si medrese dhe ku të rinjtë kosovarë mund të radikalizohen, qeveria e Kosovës është e nevojshme të jetë në dijeni dhe t’i vërë kufij kësaj. Prandaj duhet të ketë një analizë transparente dhe publike rreth asaj se çfarë bën TIKA, sepse ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sovranitetin e Kosovës dhe i duhet dhënë fund.
Zëri i Amerikës: Si është bashkupunimi mes Turqisë dhe Kosovës në fushën e sigurisë?
David Phillips: Është e qartë se agjencitë e zbulimit të dy vendeve bashkëpunojnë. Deportimi i gjashtë shtetasve turq me qendrim të ligjshëm në Kosovë është një shembull që flet për këtë. Më kanë thënë se agjencitë turke të zbulimit kanë një rrjet agjentësh në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Kosovën. Ata vëzhgojnë gjendjen, përgjojnë bisedat telefonike dhe ndoshta mbledhin informacione rreth zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, në përpjekje për t’i diskredituar dhe për t’u bërë presion që të punojnë për llogari të Turqisë. Kryeministri Haradinaj mesa duket nuk dinte asgjë për arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq. Do të desha të dija se kush në qeverinë e Kosovës ishte i informuar dhe çfarë u ka dhënë atyre Turqia për t’u marrë miratimin lidhur me këtë operacion si dhe miratimin për veprimtari të tjera të Turqisë në Kosovë.Zeri i Amerikes.
ma.me