Diplomati i njohur shqiptar, z. Bashkim Zeneli, komenton për Java News vizitën e kancelares gjermane. Në një intervistë të shkurtër, ish-ambasadori jonë në Greqi dhe Gjermani shprehet se znj. Merkel do të fokusohet në mesazhet për pajtim mes vendeve të rajonit. Zeneli thotë se ka ardhur koha që Shqipëria t’i hapë dyert biznesit gjerman dhe të thjeshtojë procedurat, ndërsa thekson se Gjermania nuk të bën mik kollaj.
Bisedoi Ardit Rada
Z. Zeneli! Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të vitizojë Tiranën ditën e nesërme. Si një ish-diplomat në Bon, si e vlerësoni këtë vizitë?
Unë mendoj se vizita e znj. Merkel në Shqipëri është shumë e rendësishme, madje për shumë arsye do ta konsideroja edhe historike.Në radhe të parë sepse ajo vjen 16 vite pas vizitës së një kancelari gjerman në Shqipëri, kancelarit Shrëder në vitin 1999. Gjatë kësaj periudhe nuk mund të them se marrëdhëniet me Gjermaninë kanë qenë në nivel të ulët, por nuk kanë qenë aq aktive veçanërisht këto 10 vitet e fundit.
Mendoj se ka rëndësi pasi znj. Merkel është nismëtare e Procesit të Berlinit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo vizitë u ndërmor pikërish në momentin kur Komisioni Evropian vendosi që të mos ketë pranim të vendeve për anëtarësim për një periudhë 5-vjeçare. Vizita e Merkel nuk lejoi që vendet e rajonit të tulateshin apo të mendonin se kanë kohë për të plotësuar detyrat. Pra është një moment që Gjermania u thotë vendeve të rajonit se pavarësisht këtij vendimi të Evropës, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me ju.
Po ashtu, nuk bëhet fjalë thjesht për një vizitë të raporteve Gjermani-Shqipëri, por mbart mesazhet e thellimit të bashkëpunimit në rajon.
Në gusht do të jetë edhe Konferenca së Vjenës dhe aty sigurisht do të ketë një bilanc edhe për raportet e ndrequra midis vendeve të rajonit dhe projektet e përbashkëta që janë ndërmarrë apo janë në studim dhe që kërkojnë financim nga Bashkimi Evropian.
A ka një domethënie që znj. Merkel e nis turin e saj ballkanik nga Tirana?
Unë mendoj se Tirana dhe Berlini kanë një nisje të re, një nerv të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve. Pa thënë se ka apo duhet të marrë rolin kryesor në këtë proces, Tirana ka vendi e saj dhe duke kryer detyrat e veta bëhet e besueshme jo vetëm për Gjermaninë, por për të gjithë BE-në. Megjithatë nga pikëpamja formale nuk ka të bëjë shumë, por gjithësesi ka një domethënie.
Referuar axhenxës, kancelarja gjermane do ta shmangi Shkupin. Ndërkohë në ngjarjen e rëndë të Kumanovës midis të tjerëve u vra edhe një shqiptar me shtetësi gjermane. Mendoni se mungesa e saj në Shkup lidhet me Kumanovën apo edhe me krizën politike aktuale të Maqedonisë?
Do të thoja se Merkel në konferencën e Berlinit theksoi nevojën e pajtimit të vendeve të rajonit. Kjo është e rëndësishme sepse tregon që ka një problematikë. Pra fakti që flitet për pajtim dhe jo për bashkëpunim, është shumë i rëndësishëm. Flet se ka ende probleme të vjetra dhe të reja. Ka shfaqje të nacionalizmit, mllefe të së kaluarës, ka çështje të hapura dhe shpesh herë mungon besimi mes vetë drejtuesve ballkanas. Pra fakti që e vuri theksin për pajtim të kujton deklaratën e ish-kancelarit Vilibrand që kërkoi ‘afrim për pajtim’.
Unë mendoj se hapa janë bërë gjatë këtij viti, veçanërisht në marrëdhëniet Serbi-Shqipëri. Sa i përket Maqedonisë, ajo ka ato problemet e njohura dhe me të është marrë BE-ja që i ka vendosur edhe detyrat. Është paralajmëruar për zgjedhje të parakohshmë ndërsa ka ende negociata nesë qeveria teknike do të jetë me apo pa Gruevskin në përbërje. Pra, Merkel nuk besoj se do ta vizitonte Shkupin në një situatë kaq problematike dhe pasigurie.
Z. Zeneli, çfarë duhet të presin shqiptarët nga takimi i dy kryeministrave nesër?
Them se Shqipëria duhet të ngulë spirancën te Gjermania. Dua të them se ne duhet ta vlerësojmë realisht dhe konkretisht. Gjermania është lokomotivë e zhvillimeve ekonomike, politike e sociale në Evropë. Marrëdhëniet e mira me të flasin shumë. Ky është qëndrimi parimor, por ndërkohë ne duhet përmes këtyre bisedimeve të kërkojmë avancimin e raporteve ekonomike.
Ne kemi rreth 300 milionë euro shkëmbime ekonomike, prej të cilave 240 milionë importe nga Gjermania dhe 60 milionë euro eksporte nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Unë mendoj se kjo shifër duhet rritur shumë më tepër përmes programeve konkrete. Ka ikur koha t’u thuhet investitorëve të huaj: “Ejani në Shqipëri se do t’i gjeni të gjitha!”
Duhen plane dhe fusha konkrete dhe ajo që është themelorja, është se Gjermania politkisht e ka mbështertur vazhdimisht Shqipërinë gjatë këtyre 25 viteve trancizion. Ka ardhur koha që ne t’i hapim portat biznesit gjerman pa shumë stërhollime e rregullash.
Nëse flasim për një mungesë 16-vjeçare të një kancelari gjerman në Tiranë, por njëkohësisht ka pasur një mbështetje 25-vjeçare ndaj Shqipërisë… Si mund ta interpretojmë këtë?
Një mungesë 16-vjeçare natyrisht që flet për diçka. Gjermania vërtet e ka mbështetur Shqipërinë, por ka qenë edhe kritike në mjaft probleme. Ka qenë kritike për sistemin e drejtësisë, për funksionimin e demokracisë, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Asnjë shtet, aq më tepër Gjermania, nuk të bën aleat dhe nuk krijon besim nëse nuk ke këto parametra të zhvilluar.
Mendoni se znj. Merkel do t’i drejtohet nga Tirana edhe Athinës së çoroditur?
Natyrisht që kriza greke është një çështje e njohur dhe mund të ketë pyetje nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp edhe për rastin e Greqisë. Unë mendoj se mesazhet që do të japë Merkel për stabilitetin në rajon, forcimin e ekonomisë, raportet rajonale të të tjera, janë mesazhe sesi duhet ecur që të mos arrimë atje ku arriti Greqia, por të jemi shembull. Është e pamundur që një shet fqinj me prezencën e 800-900 mijë shqiptarëve, në prag të një falimenti të mundshëm, të mos ketë ndikim te ne.
Unë mendoj se znj .Merkel do ta vejë theksin te problemet që kanë të bëjnë me tonet nacionaliste dhe deklaratat e fryra. Mos harrojmë se pas një mungese 10-vjeçare të një ministri të Jashtëm gjerman, ish-ministri Vestervele erdhi para 5 vitesh për një vizitë dy orëshe në Tiranë vetëm për të thënë: “Ulni tonet nacionaliste”. Ishte koha kur qeveria e kaluar foli me këtë gjuhë. Bashkimi Evropian ka parametra dhe ne duhet t’i shmangemi këtyre qëndrimeve.