Zoti Veliaj, kandidimi juaj erdhi në fund të një sage të gjatë shqyrtimi brenda PS, e cila për më skeptikët, ka qenë në fakt një dilemë e kryetarit Rama, për emrin që do të zgjidhte. Sa përkon ky perceptim me të vërtetën?
Zgjedhja e kandidatëve për njësitë vendore u bë pas një procesi të gjatë e gjithëpërfshirës konsultimesh brenda Partisë Socialiste dhe partnerëve të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Nga ana tjetër, deputet u konsultuan jo vetëm me zgjedhësit, por edhe me grupet e interesit të zonave që ata përfaqësojnë. Emrat që dolën nga këto konsultime iu nënshkruan sondazheve dhe, në fund, u përcaktua një listë kandidatësh me të cilën publiku është tashmë i njohur. Kështu, në përgjigjje të pyetjes tuaj, kjo sagë e gjatë shqyrtimesh, siç e quani ju, ishte një proces krejt i natyrëshëm që buronte nga detyrimi për t’u konsultuar me çdo strukturë e grup interesi dhe synimi që këto konsultime të bëheshin në një mënyrë sa më gjithëpërfshirëse.
Në vijim të pyetjes së parë, a nuk mendoni se vonesa relative që u krijua në shpalljen e kandidatit për Tiranën, ju ka lënë pak kohë për të ndërtuar një program elektoral për Tiranën?
Në fakt, në Tiranë ka 4 vjet që nuk është bërë asgjë. Ndonëse formalisht Kryetar i Bashkisë ka qenë Lulzim Basha, nëse i hedh një sy Tiranës sot është njësoj sikur nëkëto 4 vjet nuk ka patur fare kryebashkiak. Rrugët janë mbushur me gropa, trafiku është rënduar tej mase, hapësirat e gjelbërta janë pakësuar, problemi i parkingut është bërë më i mprehtë se kurrë, e kështu me rradhë. Çdo gjë që u arrit me mund nga Kryetari Rama u la që të rrënohej nga Lulzim Basha. Kështu, programi elektoral jo vetëm i imi, por i cilitdo që mund të kishte qenë kandidati i majtë, diktohet nga vetë emergjenca që ka mbërthyer Tiranën dhe që është domosdoshmëria për të ndërhyrë menjëherë, me energji dhe vendosmëri që të ndalohet degradimi i mëtejshëm dhe që jeta në qytet t’i rikthehet normalitetit.
Sa dhe si e njihni ju Halim Kosovën? Çfarë mendimi keni për të? A mendoni edhe ju si zoti Rama, se ai është “i lodhur, por burrë i mirë”?
Unë, ashtu si edhe shumë të tjerë, Halim Kosovën e njoh nga larg si një doktor të nderuar të fushës që mbulon. Jam i angazhuar për një fushatë qytetare larg akuzave të paqena apo edhe sharjeve që zakonisht shoqërojnë zgjedhjet. Shpresoj shumë që gara mes nesh të mos bëhët në lidhje me kush hedh më shumë baltë mbi kundërshtarin, por kush ka energjinë, vizionin dhe aftësinë për të ndryshuar Tiranën.
Cila do të jetë gjëja e parë që do të bëni, nëse zgjidheni më 21 qershor?
E thashë edhe më sipër. Tirana ka 4 vjet pa Kryetar Bashkie dhe sot gjendet në një gjendje emergjence. Ajo që do të bëj unë pas 21 qershorit nuk është një, por do të jenë disa masa të menjëhershme që do të ndalojnë degradimin e mëtejshëm të Tiranës dhe do ta kthejnë qytetin në normalitet. Një vemendje e madhe, sigurisht, që do t’i kushtohet edhe integrimit të qytetit të Tiranës me 13 komunat që sipas ndarjes së re administrative, bashkë me qytetin, do të përbëjnë Bashkinë e re të Tiranës. Është me rëndësi themelore që këto komuna të integrohen menjëherë në mënyrë që Bashkia e re të mos menaxhohet si dy njësi të ndara.
Akuzoheni shpesh se e bazoni stilin tuaj të të bërit politikë, më shumë tek forma sesa tek përmbajtja. Si do t’i përgjigjeshit kësaj akuze?
Unë nuk e analizoj punën time mbi bazë të “formës” apo “përmbajtjes” por mbi bazë të rezutatit të prekshëm që ajo krijon, mbi bazë të faktit nëse puna ime e përmirëson apo jo jetën e individëve. Dhe gjatë kësaj periudhe në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, besoj se puna ime ka prodhuar një sërë rezultatesh konkrete që e kanë përmirësuar jetën e qytetarëve. Sistemi i pensioneve u reformua me sukses dhe sot të gjithë pensionistët e rinj marrin pensione më të larta falë heqjes së pensionit tavan. Gjithashtu, minatorët sot dalin në pension 55 vjeç ndërkohë që më parë dilnin 60 vjeç. Përtej diskutimit të formë apo përmbajtje, unë mendoj se kjo reformë e pensioneve e ka përmirësuar jetën e pensionistëve shqiptarë. Ashtu siç mendoj që hapja e zyrave të reja të punës e ka lehtësuar proecsin e ndërmjetësimit për të papaunët, apo dhënia e pagesave të personave të me aftësi të kufizuar në kohë e ka përmirësuar jetën e kësaj kategorie. Dhe të njëjtën gjë mund të themi edhe për reformën në skemën e Ndihmës Ekonomike, Arsimit dhe Formimit Profesional apo të përndjekurit politikë. Kështu, përtej një diskutimi bosh dhe absurd është formë apo është përmbajtje, besoj se duhet të fokusohemi më shumë tek rezultat konkrete të punës dhe tek fakti nëse ajo e përmirëson apo jo jetën e individëve.
Një tjetër akuzë që ju bëhet, është ajo e të mosqenit “socialist” aq sa duhet. Cili është koment juaj?
Unë do të të pyesja se çfarë e bën një individ socialist? A të bën koha që ka patur teserën e partisë në xhep, apo volumi i punës që ka bërëpër t’ia lartuar emrin Socialistëve? Unë besoj se kjo e dyta vlen më shume se e para, ndaj dhe jam shume krenar që jam pjesë e familjes më vitale politike ne vend, dhe që kjo familje me dha besimin që të garoj për Tiranën.
Si e shihni prezencën e kandidatëve të pavarur në garën e kryeqytetit?
Në 4 vitet që po lëmë pas, në Bashkinë e Tiranës nuk është bërë asgjë, madje është përkeqësuar deri në atë pikë sa nuk mban më ujë pilafi. Mjafton të krahasosh një fotografi të para 8 majit 2011 me një fotografi të sotmen dhe do ta kuptoni se ku jemi sot dhe në ç’gjendje po e lë PD Kryeqytetin e Shqipërisë. Në këtë frymë, gara midis tre apo katër kandidatëve nuk bën gjë tjetër veçse jep shpresë dhe unë e shoh prezencën e kandidatëve të tjerë në garë si një përpjekje për të kthyer faqen e historisë së Tiranës tonë.
Si i keni parë kritikat e forta të Ben Blushit, drejtuar kryeministrit dhe qeverisë?
Partia Socialiste është një parti e hapur, ku mbizotëron fryma ndryshe, e rrahjes së mendimeve, e transparencës dhe e mendimit të lirë. Gjithkush mund të shprehet për gjërat ashtu si i mendon ai dhe kjo nuk i bën aspak dëm demokracisë së brendshme që ekziston në PS. Megjithatë, mua më rezulton se qeveria gëzon sot një mbështetje popullore masive, dhe jam i bindur se rezultati i 21 Qershorit do ta konfirmoj pikërisht këtë. Këtë mbështetje nuk e gëzojmë pa arsye, e as prej faktit që vendi thuajse nuk ka opozitë, por sepse qytetarët dinë të lexojnë faktin se sado të vështira dhe me kosto, reformat e ndermarra po e çojnë vendin në drejtimin e duhur.