Armando Meta/
Paralelisht me kërkesën për shkarkimin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha, nga disa ish drejtues të lartë të kësaj partie, mësohet se këto orët e fundit kanë filluar edhe lëvizjet brenda PD-së për thirrjen e Këshillit Kombëtar të kësaj force politike në një mbledhje të jashtëzakonshme. Akuza: Shkelje flagrante e statutit të PD-së. Burime shumë të besueshme brenda PD-së bëjnë të ditur për Javanews.al, se anëtarë të Këshillit Kombëtar, ish deputetë, ish ministra dhe mjaft figura të tjera në PD, kanë filluar të mbledhin firmat për thirrjen urgjente të Këshillit Kombëtar të PD-së. Në bazë të statutit të PD-së, neni 37 pika 1, “Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe në se e kërkojnë ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes”. Është pikërisht ky nen statutor ai i cili shihet si shteg-kalimi për të mundësuar thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtarë. Është ky forum i cili më pas ka të drejtën po në bazë të statutit që të thërrasë edhe Kuvendin Kombëtar të PD, i cili me anë të një mocioni mosbesimi të propozuar nga Këshilli Kombëtar i PD-së, voton për shkarkimin e kryetartit të PD-së. Në nenin 35 pika 4 që bën fjalë për Kompetencat e Kuvendit Kombëtar thuhet se forumi më i lartë i PD-së, “vendos për shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar”. Pra siç shihet rebelët anti-Basha në PD, po përpiqen që nëpërmjet rrugëve legale që ua mundëson statuti i PD-së të shkarkojnë Bashën si kryetar i PD-së. Për këtë qëllim fillimisht atyre u duhen firmat e ¼ së anëtarëve të Këshillit Kombëtar ku më pas të kenë mundësinë që të thërrasin mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së për shkarkimin e Bashës.
Rruga me pengesa për mocionistët
Por për të mbërritur deri në këtë pikë nuk është aq e lehtë, pasi statuti i PD-së, ashtu si dhe statutet e shumë forcave politike në vend, i le dorë të lirë kryetarit në vendimarrje. Mocionistët anti- Basha ku është fjala për masa disiplinore ku përfshihet edhe shkarkimi duhet të kenë të paktën 2/3 e votave të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Nga ana tjetër edhe thirrja e Kuvendit nuk është një proces kaq i lehtë pasi si për thirrjen e Këshillit Kombëtar ashtu edhe të Kuvendit, duhet në një farë m,ënyurë edshe dakortësia e kryetarit. Sipas statutit të PD në Nenin 37, që bën fjalë për Kompetencat e Këshillit Kombëtar në pikën 1 thuhet se “Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari (ose Sekretari i Përgjithshëm me miratim të Kryetarit) në marrëveshje me Kryesinë e Partisë”. Pra nuk është kaq e lehtë sa duket, ndonëse mund të depozitohen edhe firmat për thirrjen e Këshillit Kombëtar. Po kështu edhe mbledhja e Kuvendit ka kleçkat e veta. Sipas statutit, në Nenin 34 pika 6 thuhet se “Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia Qendrore me propozim të Kryetarit të PD. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë ¼ e anëtarëve të PDSH ose ¼ e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit”. Pra sërish duhet firma e kryetarit, verifikimi i firmave të atyre që e kërkojnë etj., etj. Gjithësesi, ndonëse mësohet se ka nisur procesi i mbledhjes së firrmave për shkarkimin e Bashës, po të njëjtat burime bëjnë të ditur se ky aksion më shumë ka karakter simbolik dhe gjest publik kundër Bashës, pasi hyrja nëpër procedura statutore më shumë do të ishte shpenzim i kotë energjie. Me 26 korrik Bashës i mbaron mandati si kryetar i PD-së dhe tani ai po i njeh qartazi se kush do jenë rivalët e tij në garën për kryetar të PD-së.
Statuti i PD
Neni 37 pika 1
“Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe në se e kërkojnë ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes”.
Neni 35 pika 4
“Vendos për shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar”.
Nenin 37, pikën 1
“Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari (ose Sekretari i Përgjithshëm me miratim të Kryetarit) në marrëveshje me Kryesinë e Partisë”
Nenin 34 pika 6
“Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia Qendrore me propozim të Kryetarit të PD. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë ¼ e anëtarëve të PDSH ose ¼ e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit”