Deputetja e PD-së është e qartë në konceptin e saj për Javanews. Shqipëria po varfërohet pas dy paketave fiskale dhe megjithëse ajo e vitit aktual, s’do ketë rritje taksash, në të vërtetë e rrit barrën fiskale me plot 26 milionë USD. Dhe, kjo, sipas saj, do vazhdojë të prodhojë të njëjtët efekte në ekonominë tonë. Ndërkohë sqaron dhe disa nga gabimet në politikat ekonomike të qeverisjes së PD-së, ku fajin kryesor e ngarkon mbi krizën e përbotshme dhe mandatin e dytë…
Intervistoi Ben Andoni
Për znj. Jorida Tabaku, funksionaren e lartë të Opozitës, propaganda dhe masat e Rilindjes po e varfërojnë më tej popullin. Në këtë intervistë për JAVANEWS, ajo shprehet për disa çështje, ndërsa konkludon se: “Jemi vendi me konkurrueshmërinë më të ulët në rajon, investitorët po largohen dhe rritja ekonomike noton në pellgun rilindas të 2.8%. Ndërsa qeveria përpiqet të gjejë shpëtimin tek propaganda qesharake e ‘punësimit’ dhe ‘rritjes cilësore ekonomike’”. Ka një mendim të prerë se edhe futja e institucioneve ndërkombëtare si FMN-ja dhe BB-ja, nuk duhen marrë shumë si bazë, se edhe pse janë me mendimin e Opozitës, si në rastin e informalitetit, të koncesioneve, të taksave preferenciale, tek e fundit është vetë qeverisja që duhet të ndikojë në zhvillimin e vendit. Kurse “Institucioni i FMN-së është një kredidhënës, i cili është i prirur të shkurtojë sa më shumë shpenzimet dhe të rrisë të ardhurat në buxhet, prandaj FMN ka gjithnjë prirjen e një banke e cila përpiqet që të mundësojë mos humbjen e huasë dhe është e interesuar që mekanizmat makroekonomik të jenë të atillë që të rrisin aftësinë paguese të borxhit”, shprehet ajo.
Në këtë intervistë, ajo flet dhe për humbjen e PD-së, ku për këtë fakt, rreshton dy faktorë. E para ka të bëjë me efektin e krizës ekonomike botërore, që ka ndikuar dhe e dyta lidhet me politikat e administrimit fiskal, që shenjat u dhanë dhe në fundin e qeverisjes së PD-së. Madje, ndryshe nga kolegë të tjetër që thonë se mandati i dytë i ngathtësoi mekanizmat e partisë, për të gjithsesi: një mirë-administrim më korrekt i të ardhurave do të kishte sjellë një gjendje tjetër në buxhet.
A duket sikur politika e taksave të qeverisë shqiptare edhe me aprovimin e FMN-së ka rezultuar deri më tani një dështim për rritjen ekonomike?
“Elementët e dështimit të politikave fiskale të qeverisë ishin të qarta që në çastin e propozimit të tyre në fushatën elektorale. Ekonomia ka disa ligjësi, të cilat nuk mund të zhbëhen as nga votat në kuvend dhe as nga propaganda e sofistikuar. Një nga këto ligjësi të ekonomisë është lidhja e raportit të punësimit me rritjen ekonomike, pra që një vend arrin të rrisë numrin e të punësuarve nëse ka një rritje ekonomike. Pretendimi qeveritar se kanë punësuar mbi 150 mijë qytetarë në dy vjet e gjysmë duhet të kishte sjellë të paktën një rritje ekonomike 8% vjetore, mirëpo siç tanimë e kemi të faktuar rritja ekonomike është nën 3%.
Gjithashtu, është tejet e vështirë të logjikosh sipas formulës që ka zbatuar qeveria aktuale. Rrit taksat me 400 milion USD për dy vjet e gjysmë dhe më pas prit që e gjithë kjo barrë fiskale të përkthehet në investime nga biznesi, investime të huaja, punësim, formalizim e kështu me radhë. Kjo të gënjesh të tjerët përmes propagandës se ëndrra që sheh po ndodh realisht, kur në fakt po ndodh e kundërta. Sot shumica e shqiptarëve e kanë provuar ç’do të thotë të taksohesh nga Rilindja.
FMN dhe BB sugjerojnë, monitorojnë e vlerësojnë ashtu siç është duke ndodhur në rastin tonë. E mua më vjen mirë që FMN e BB janë prezent duke ngritur shqetësime të njëjta dhe me ato të opozitës si në rastin e informalitetit, të koncesioneve, të taksave preferenciale. Por duhet kuptuar që institucioni i FMN-së është një kredidhënës, i cili është i prirur që të shkurtojë sa më shumë shpenzimet dhe të rrisë të ardhurat në buxhet, prandaj FMN ka gjithnjë prirjen e një banke e cila përpiqet që të mundësojë mos humbjen e huasë dhe është e interesuar që mekanizmat makroekonomik të jenë të atillë që të rrisin aftësinë paguese të borxhit.
Ne jemi vend sovran dhe pavarësisht se kemi institucione kredidhënëse që na mbështesin, prapë politikat fiskale janë përgjegjësi e qeverisë, kështu as FMN edhe as BB nuk mund të imponojë politikën fiskale.
Duhet të jetë qeveria ajo e cila ka për detyrë të krijojë mekanizmat që të mundësojë funksionimin e ekonomisë pa ndërhyrë pafundësisht. Sot ne kemi provuar mbi supe dy paketa fiskale të qeverisë rilindëse dhe produkti i tyre ka qenë shterimi i konsumit, mbyllja e bizneseve nga rritja e pafundme e taksave, shpenzime për luksin qeveritar dhe ministror, shpenzime fasadash, investime të huaja më të ulëta dhe investime në infrastrukturë të ulëta.
Edhe politika fiskale e vitit aktual, që me gjasë nuk ka rritje taksash, por që në të vërtetë rrit barrën fiskale me 26 milionë USD vazhdon të prodhojë të njëjtët efekte. Jemi vendi me konkurrueshmërinë më të ulët në rajon, investitorët po largohen dhe rritja ekonomike noton në pellgun rilindas të 2.8%. Ndërsa qeveria përpiqet të gjejë shpëtimin tek propaganda qesharake e ‘punësimit’ dhe ‘rritjes cilësore ekonomike’”.
A mund të shfrytëzohej kriza e mbartur për një katarsis të ekonomisë shqiptare?
“Ka gjithmonë vend për përmirësime edhe kur gjërat shkojnë mirë. Në vitin 2013 kur mazhoranca erdhi në pushtet qe zotuar se do të largonte oligarkët që qëndronin pranë qeverisë. Konferencat dhe ligjërimet e qeverisë ishin të mbushura me politikën tjetër që do ndiqej sa në hartimin e politikave fiskale aq edhe në hartimin e politikave ekonomike.
Ironikisht, dy vjet e gjysmë pasi erdhën në pushtet, FMN i drejton gishtin qeverisë për politika fiskale klienteliste. Le të kujtojmë akuzat për Doganën e “doganierëve me bark” (sërishmi citoj Kryeministrin nga një prej fjalimeve të tij) e cila me sa duket nuk paska ndryshuar, meqë kompania angleze Croën Agents (që u pagua 8.2 Milion euro nga taksat tona) hodhi dritë mbi aferat korruptive të drejtorëve të rëndësishëm të doganave.
Nga ana tjetër raportet e Bankës së Shqipërisë, INSTAT, FMN dhe BB nuk flasin për një rritje ekonomike të vendit, popullsia jonë po plaket, të rinjtë po emigrojnë ndërkohë që buxheti i shtetit shkon për rikonstruksionin e zyrave qeveritare ndërsa investimet në infrastrukturë janë në nivelin e 40%. Raporti i Doing Bussiness flet për një vend që zhvlerësohet sa i takon mundësisë së të bërit biznes ndërkohë që humbim dhe konkurrueshmërinë në rajon.
Pra, shanset e kësaj qeverie për të sjellë një frymë të re në politik bërjen ekonomike dhe fiskale kanë dështuar. Vendi tani është në një gjendje kaotike sa i takon financave dhe ekonomisë”.
Ku mendoni se gaboi kryesisht politika ekonomike e PD-së?
“Në gjykimin tim, ka disa arsye që sollën probleme në politikat fiskale dhe ekonomike gjatë qeverisjes së PD. Së pari pati një efekt kriza ekonomike botërore dhe pavarësisht se jemi ekonomi relativisht e mbyllur ka ndikuar. Vendi ishte në mesin e disa investimeve të rëndësishme dhe të mëdha infrastrukturore ndërkohë që kriza në kontinentin evropian u thellua duke prekur edhe vendet fqinje. Kjo ndikoi sa tek remitancat ashtu edhe tek eksportet e vendit tonë duke përcjellë në këtë mënyrë krizën financiare, që më pas u bë dhe ekonomike, të vendeve të Evropës në Shqipëri. Pa harruar edhe krizën greke, që si një vend fqinj pati dhe ajo impaktin e saj tek ne.
Së dyti, mendoj që një tjetër problem ka qenë ai i politikave të administrimit fiskal, që shenjat i dha dhe në fundin e qeverisjes së PD-së. Megjithëse argumentimi se qenë 8 vjet qeverisje e kështu me radhë, mund të jetë i vlefshëm, unë mendoj që një mirë-administrim më korrekt i të ardhurave do të kishte sjellë një gjendje tjetër në buxhet. Aq më tepër kur qeveria e djeshme ka qenë më e prirur ndaj investimeve infrastrukturore.
Por, gjendja duket se është përkeqësuar (të paktën për Borxhin Publik), qeveria vazhdon të rëndojë shqiptarët me borxhe por për çfarë? Nëse rrugët janë një shërbim i ofruar për investitorin nesër kujt i hyn në punë rregullimi i fasadave? A mos vallë Geox dhe Rocher kanë shkuar në vendet fqinje sepse kanë fasadat e qyteteve të bukura?”
A shikoni ndonjë kah pozitiv për politikat e sotme ekonomike të qeverisë shqiptare nga ana juaj?
“Sigurisht që debati do të qe më i kollajtë sikur secila nga palët të ishte në pozicionin e vet ideologjik. Ndoshta do të ishte një debat më tepër vizionesh dhe perceptimesh për mënyrën se si qeveriset ky vend sipas politikave ekonomike të Majta apo të Djathta. Fatkeqësisht nuk është kështu! Sot kemi një qeveri që bën kur i intereson si e majtë dhe që justifikon rritjen abuzive të taksave ndaj bizneseve me teorinë “Unë jam e Majtë!” dhe një qeveri që do të japë me koncesion dhe mbledhjen e TVSH-së (natyrisht për arsye klienteliste) me teorinë “Jemi liberalë”.
Kështu, në këtë rrëmujë të qëllimshme për sytë e qytetarëve, ato kanë ndërtuar një politikë shkel e shko përmes të cilës mendojnë se mund të vjedhin më kollaj dhe pa rënë në sy. Si rrjedhojë çmimet e konsumit të shportës bazë janë rritur për produkte si , ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ me 4,3 %. Banka e Shqipërisë evidenton se kërkesa tejet e dobët për kreditim jo vetëm është nën potencialin ekonomik të vendit por gjithashtu ka ulur tej mase kërkesën për investime. Investimet e Huaja Direkte kanë rënë me 10% më pak në krahasim me fluksin prej 256 milionë eurosh të një viti më parë.
Një paketë fiskale që nuk ka reflektuar aspak shqetësimet e bizneseve të ndryshme. Një paketë fiskale që nuk ka asnjë stimul fiskal ndaj biznesit. Një paketë fiskale që nuk ka reflektuar as shqetësimin e qytetarëve konsumatorë që vazhdojnë të paguajnë produkte më shtrenjtë se në rajon, siç është nafta e cila ngarkohet me rreth 50% taksa në çmimin e saj përfundimtar dhe që nuk përkthehet në asnjë investim infrastrukturor për rrugët apo mirëmbajtjen e tyre.
Sa më sipër janë rezultat i tre viteve politikë fiskale dhe ekonomike dhe unë mendoj që tanimë është e vështirë të shohësh një pikë pozitive brenda kësaj çoroditje fiskale!”
Pse humbëm ne?!
“Në gjykimin tim, ka disa arsye që sollën probleme në politikat fiskale dhe ekonomike gjatë qeverisjes së PD. Së pari pati një efekt kriza ekonomike botërore dhe pavarësisht se jemi ekonomi relativisht e mbyllur ka ndikuar. Vendi ishte në mesin e disa investimeve të rëndësishme dhe të mëdha infrastrukturore ndërkohë që kriza në kontinentin evropian u thellua duke prekur edhe vendet fqinje…. Së dyti, mendoj që një tjetër problem ka qenë ai i politikave të administrimit fiskal, që shenjat i dha dhe në fundin e qeverisjes së PD-së”.
Propoganda duket qesharake
“Edhe politika fiskale e vitit aktual, që me gjasë nuk ka rritje taksash, por që në të vërtetë rrit barrën fiskale me 26 milionë USD vazhdon të prodhojë të njëjtët efekte. Jemi vendi me konkurrueshmërinë më të ulët në rajon, investitorët po largohen dhe rritja ekonomike noton në pellgun rilindas të 2.8%. Ndërsa qeveria përpiqet të gjejë shpëtimin tek propaganda qesharake e ‘punësimit’ dhe ‘rritjes cilësore ekonomike’”