JAVANEWS angazhoi specialistin e sondazheve Eduard Zaloshnja, për të zbuluar sesi mund të ndahen mandatet parlamentare në Qarkun Fier, në qoftë se votohet sot.
Sondazhi u realizua ditët e fundit me 1364 zgjedhës të prirur për të votuar; 1159 në territorin e Qarkut Fier, të kontaktuar me SMS krejt të rastësishme të shpërndara proporcionalisht në çdo bashki të qarkut, si edhe 205 zgjedhës nga emigracioni, të kontaktuar përmes miqve/të afërmve këtu. Kampioni u ripeshua statistikisht për ta përfaqësuar elektoratin sa më mirë demografikisht, gjeografikisht dhe politikisht. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: Plus/minus 3.2%.
Nga sondazhi rezultoi që, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, PS-ja do të siguronte 10 mandate parlamentare në Qarkun Fier (nga 16 gjithsej). Mandatin e saj të 10-të PS-ja do ta vuloste me votat e emigrantëve (shihni tabelat e mëposhtme). Ndërkohë, PD-ja do të siguronte 5 mandate parlamentare. Nga partitë e reja, vetëm njëra do të siguronte sot mandat (ngaqë ende ato janë në garë veç e veç).
PS-ja ka sot 1 mandat më tepër se sa në sondazhin e dhjetorit 2024 dhe se sa në zgjedhjet e 2021-shit. PD-ja ka 1 mandat më pak se sa në sondazhin e dhjetorit 2024 dhe se sa në zgjedhjet e 2021-shit. Ndërsa partitë e reja ruajnë ende 1 mandat, si në sondazhin e dhjetorit 2024. (Ndër partitë e vogla të vjetra, vetëm PDIU mund t’i afrohet disi një mandati parlamentar.)