Nga Ben Andoni
Historiani i të Drejtës Ndërkombëtare, prof. Arben Puto thotë për JavaNews se institucionet ndërkombëtare duhet ta pranojnë Kosovën dhe ky është një detyrim ndërkombëtar. Që nga shtëpia e tij në Tiranë, ai ka përcjellë të gjithë situatën ndërkombëtare, por edhe lëvizjet e fundit të delegacionit kosovar në SHBA, që po bën një përpjekje të madhe diplomatike sa i përket të ardhmes së Kosovës.
Ndërkohë, që një kundërlobim të fuqishëm është duke bërë Serbia, e cila ka kërkuar që Kosova mos të shpërblehet me anëtarësim në UNESCO. Megjithatë zyrtarë serbë, në orët e fundit, tashmë pothuaj e pranojnë se do ta kenë të vështirë ta ndalin anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Por historiani shqiptar e shikon si një detyrim të ndërkombëtarëve, pas vuajtjeve shekullore të Kosovës dhe sjelljes historike të serbëve: “Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe sovran. Ajo është e njohur nga një shumësi shtetesh. Njohja e saj ndërkombëtare ka hyrë në rrugën e zgjidhjes së plotë. Edhe kur Serbia e çon çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare me pretendimin se Kosova duhej të mbetej një krahinë e saj, Gjykata e hodhi poshtë. Së fundmi, Serbia po përpiqet që ta reduktojë pozitën e saj duke kundërshtuar pranimin e Kosovës në UNESCO, një nga organizatat e Kombeve të Bashkuara që ka si funksion promovimin e arsimit, shkencës dhe kulturës. Unë gjykoj se pranimi i Kosovës është një detyrim ndërkombëtar, pas shekujsh shtypje të egër që mori tiparet e gjenocidit. Është i njohur edhe fakti se janë bërë edhe plane për dëbimin e popullsisë shqiptare nga toka e saj”.
Ndërkohë që Serbia po i përdor të gjithë bateritë e saj, ku vetëm pak më parë vetë Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka kërkuar mbështetjen e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon për pengimin e pranimit të Kosovës në UNESCO. Dhe, referimet serbe shkojnë deri aty sa thuhet se “palët janë pajtuar se shkatërrimi i trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë do të ishte një krim dhe se kjo nuk duhet të lejohet. Nikoliq ka kërkuar mbështetjen nga sekretari Ban të pengohet pranimi i Kosovës në UNESCO”.
“Do të ishte një krim i madh nëse do të shkatërrohej trashëgimia kulturore serbe në Kosovë e Metohi”, citon Tanjugu të ketë thënë presidenti serb Nikoliq.”Prandaj Serbia po bën përpjekje të mëdha që të pengojë pranimin e Kosovës në UNESCO. Prandaj presim mbështetjen e të gjithë atyre që punojnë me ndërgjegje që trashëgimia kulturore serbe, që njëherësh është edhe botërore, të mbrohet”, theksohet se i ka thënë Nikoliqi sekretarit Ban gjatë takimit.
Në këtë vazhdë, reagimi i historianit është më i thukët, kur përmend vuajtjet e Kosovës, por edhe një politikë të tërë, që i është kushtuar, kthimit të fatit të saj:
“Rrethe të tjera ndërkombëtare nuk mund të qëndronin të shkujdesura, të pandjeshme ndaj një tragjedie të tillë të paimagjinueshme në Evropë për kohën tonë. Dhe faktori ndërkombëtar u hodh në një aksion ndëshkues kundër fatkeqësisë, me ndërhyrjen decisive të forcave të armatosura të SHBA-së.
Sot Kosova është një shtet i konsoliduar. Ajo ka të gjitha të drejtat për një organizatë të tillë si UNESCO, që do t’i jepte ndihmë për zhvillimin dhe përparimin e arsimit, shkencës dhe kulturës së saj”.
Profesor Puto është një nga personalitetet shqiptare që po shprehet për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, një nga të pakët autoritete shqiptare që shprehet hapur, krahasuar me shumë të tjerë që e ndjekin gjithnjë e nga larg situatën në Kosovë.









