Në kuadër të paktit për universitetin, studentë të sapodiplomuar që do të ndjekin Kursin e Oficerëve të Policisë Kriminale do të jenë shumë shpejt pjesë e Policisë Kriminale. I ftuar në studion e ERTV, Zëvendës Ministri i Brendshëm Julian Hodaj tha se rekrutimi i ekselentëve të juridikiut, ekonomikut dhe IT-së që më pas do të trajnohen përmes Akademisë së Sigurisë, do të kontribuojë në rriten e cilësisë së hetimeve në Policinë Kriminale.
“Ka patur rreth 600 thirrje në total nga të cilat janë përzgjedhur rreth 50. Policia është vazhdimisht në një proces analize ku vlerëson nevojat e saj. U gjykua e nevojshme që këto prurje të ishin të domosdoshme për strukturat e hetimit të krimit ekonomiko-financiar dhe të krimit kibernetik. Në thirrje është bërë kërkesë specifike për ata me nivelin master sepse synojmë që këto prurje të përmirësojnë cilësinë e hetimeve”, tha Hodaj.