Ekonomia shqiptare po e ndryshon gradualisht strukturën e saj, teksa të vegjlit po bien dhe të mëdhenjtë po fuqizohen. Normat e fitimit po bien në një tregues të shtimit të konkurrencës, maturimit të shumë sektorëve dhe ngërçit të konsumit. Ekonomia gjeneron pjesën më të madhe të të ardhurave të saj nga tregtia dhe ka pak sinjale se ajo po orientohet drejt sektorëve me vlerë të shtuar. Rënia e të vegjëlve po rrezikon një segment që ka pasur rreth 30% të të punësuarve në ekonomi. Mungojnë ndërmarrjet e mëdha, ndërsa produktiviteti i ekonomisë është i ulët.
Nga Ornela Liperi
Mikrondërmarrjet kanë qenë zemra e ekonomisë shqiptare në epokën e pas viteve ‘90. Pa ndonjë strategji dhe duke shkatërruar pothuajse çdo trashëgimi nga e kaluara, hapja e bizneseve të vogla në tregti e shërbime ishte modeli ku u vetorientua ekonomia vendase. Një model që kishte pak lidhje me vlerën e shtuar, produktivitetin, prodhimin e produkteve për të cilin ne mund të kishim avantazh konkurrues etj., por që i shërbeu të paktën vetëpunësimit. Shqipëria, rezulton një ndër vendet me normën më të lartë të vetëpunësimit në botë, ku rreth 30% e të punësuarve e kanë siguruar vetë jetesën nëpërmjet mikrondërmarrjeve.
Në dekadën e fundit, struktura e ekonomisë po ndryshon. Hapja e qendrave të mëdha tregtare dhe e rrjeteve të supermarketeve po nxjerr jashtë loje bizneset e vogla. Kjo u bë më e dukshme në vitin 2017, ku të dhënat e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve të INSTAT tregojnë se ndërmarrjet mikro me 1 deri në 9 të punësuar, që përbëjnë 94% të totalit të bizneseve në vend, u reduktuan në numër, ulën shitjet, të punësuarit dhe vlerën e shtuar në krahasim me vitin e mëparshëm.
E kundërt ka qenë tendenca për Ndërmarrjet e Vogla (10-49 të punësuar), Ndërmarrjet e Mesme (50-249 të punësuar) dhe Ndërmarrjet e Mëdha (250+ të punësuar), të cilat kanë parë rritje të punonjësve, shitjeve dhe vlerës së shtuar. Në total, ekonomia në 2017-n gjeneroi shitje prej 2 trilionë lekësh, ose gati 16 miliardë euro, me një rritje prej 8.3% me bazë vjetore. Ndikimin kryesor në rritjen e shitjeve e dhanë ndërmarrjet e konsideruara të vogla, me 10-49 të punësuar, të cilat raportuan një zgjerim të shitjeve me 18%. Ndërmarrjet e mesme i zgjeruan shitjet me 17% dhe ato të mëdha me 11%. Ndërsa shitjet e mikrondërmarrjeve ranë me 13%.
Por mikrondërmarrjet, që po e vuajnë më shumë presionin e konkurrencës që po u vjen nga të mëdhatë, mbeten punëdhënësi më i madh në vend, me rreth 40% të totalit, ndërsa gjenerojnë vetëm 20% të shitjeve. Rënia e tyre rrezikon të nxjerrë jashtë tregut të punës një kategori të vetëpunësuarish në moshë të mesme, që do ta kenë të vështirë të integrohen në tregun e riformatuar të punës.
Të dhënat e INSTAT tregojnë ne numri i të vetëpunësuarve në vend në fund të 2017-s arriti në rreth 105 mijë persona, duke përbërë 21% të totalit të të punësuarve, niveli më i ulët i dekadës së fundit. Në vitin 2015, kur numri i të vetëpunëësuarve arriti në rekordin e 125 mijë personave, për shkak të presionit të aksionit të ashpër antiinformalitet, që detyroi shumë ambulantë të regjistroheshin. Por, në dy vitet në vijim, ata dolën sërish nga tregu, në një sinjal se informaliteti ka qenë avantazhi i vetëm i tyre konkurrues. Të vetëpunësuarit janë kryesisht në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve, aktivitete që kanë parë dhe rënien më të madhe të personave që e siguronin vetë jetesën.
E ndërsa të vegjlit po bien dhe nuk po arrijnë të mbijetojnë në një treg me konkurrencë të shtuar, Shqipërisë i mungojnë sipërmarrjet e mëdha, që do të kompensonin humbjen e vendeve të punës nga mikrondërmarrjet. Vendi kishte në 2017-n, vetëm 166 ndërmarrje me më shumë se 250 punonjës. Në një zhvillim pozitiv numri u tyre u shtua me 14 në një vit.
Për krahasim, në shtetin fqinjë, Maqedoni, me një ekonomi pak më të vogël sesa tonë, ka 236 ndërmarrje me më shumë se 250 punonjës, pjesa më e madhe e të cilave janë në sektorin e industrisë përpunuese. Më i lartë është dhe numri i bizneseve me mbi 10 punonjës, ndërsa Shqipëria mban rekord për mikrondërmarrjet (shih tabelën: Numri i ndërmarrjeve, sipas madhësisë së punonjësve).
Mbizotërimi i mikrondërmarjeve është dhe një nga faktorët që ul produktivitetin në ekonomi, duke e bërë atë më pak konkurruese me tregjet rajonale e europiane. Shitjet neto për të punësuar ishin 1.5 milionë lekë në 2017-n për ndërmarrjet me 1-4 të punësuar, nga 5-7 milionë lekë për të punësuar që janë për ndërmarrjet që janë mbi 10 punonjës, sipas të dhënave të përpunuara nga shifrat e INSTAT për qarkullimin vjetor sipas madhësisë së ndërmarrjes.
Të varur nga tregtia
Rreth 47% e të ardhurave nga shitjet në ekonomi gjenerohen nga sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, sipas të dhënave të INSTAT për 2017-n. Shqipëria është një importuese neto për pothuajse gjithçka, madje edhe për produkte bujqësore, ndonëse ky sektor gjeneron rreth 20% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit.
Tregtia qarkulloi rreth 7.4 miliardë lekë të ardhura në 2017-n, me rritje gati 5% me bazë vjetore.
Në vend të dytë është ndërtimi, me 12% të totalit, një sektor mjaft i preferuar për shkak të kthimit të shpejtë që ai ka dhe hapësirave të shumta që ka pasur në ndërtim, në mungesë të një plani afatgjatë rregullues, sidomos në bregdet e kryeqytet. Në 2017-n, shitjet nga ky sektor gjeneruan 1.9 miliardë lekë të ardhura, me rritje gati 13% me bazë vjetore.
Të dhëna të tjera të INSTAT për vitin 2016 tregojnë se 74.3% e investimeve të brendshme në ekonomi shkuan pikërisht në sektorin e ndërtimit, më e larta nga vendet e rajonit dhe Europa. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor” nga institutet statistikore të rajonit, edhe në Maqedoni, ndërtimi merr rreth 63% të investimeve. Në Mal të Zi dhe Serbi, ndërtimi zë rreth gjysmën e investimeve të brendshme. Kanalizimi i fondeve të lira, kryesisht në banesa, ka bërë që vendi ynë të ketë peshën më të lartë të ndërtimit në Prodhimin e Brendshëm Bruto në Europë. Me gati 11% të PBB-së, ndërtimi qëndron gati 3 pikë përqindje më lart nga ndjekësi më i afërt, që është Maqedonia. Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja kanë qenë më të frenuar në zhvillimin e këtij sektori, që zë mesatarisht 4-6% të PBB-së. Në vendet e Bashkimit Europian, ndërtimi, i maturuar prej vitesh, zë rreth 5.3% të PBB-së.
Investimi në ndërtim mund të ndikojë në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, duke shkuar në linjë të kundërt me atë që kanë rekomanduar ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare. Në vend të tretë renditet industria përpunuese, që gjeneron po gati 12% të shitjeve në ekonomi, e ndjekur nga shërbimet (10%), transportet e komunikacioni (7.3%), energjia, gazi dhe uji (rreth 6%).
Në renditjen e 200 kompanive më të mëdha sipas qarkullimit vjetor, një publikim i përvitshëm i Monitor, mbizotërojnë kompanitë që shesin e rishesin naftë, duke rritur artificialisht xhiron, ka pa fund biznese tregtare që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal, ndërsa industria përpunuese sa vjen e po zbret gjithnjë e më shumë në renditje. Për kompani të reja, as që bëhet fjalë. Ecuria dhe struktura sipas aktiviteteve e 200 më të mëdhave është një indikator i rëndësishëm në ekonomi., pasi ato qarkulluan 7.3 miliardë euro, ose rreth 63% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në 2017-n tendenca ishte e dukshme për rritjen e kompanive të ndërtimit. Si asnjëherë tjetër në renditjen e 200 më të mëdhenjve kishte 32 kompani ndërtimi, ose të lidhura me këtë sektor. Për krahasim, në vitin 2012 kishte 16 sipërmarrje ndërtimi dhe në 2014-n numri i tyre ishte 17, pjesa më e madhe e të cilave ishin në segmentin e infrastrukturës rrugore.
Për krahasim, në Maqedoninë fqinje, nga tregtia vijnë rreth 41.5% e të ardhurave, sipas të dhënave nga Zyra Statistikore e Maqedonisë së Veriut. Në vend të dytë është industria përpunuese, shumë më e zhvilluar se në Shqipëri, që siguron 27% të shitjeve në ekonomi (në Shqipëri pesha e këtij sektori është 12%). Transporti, informacioni dhe komunikacioni është i treti, me 9% të shitjeve.
Sektorët që punësojnë
Në total, sipërmarrjet në vend kishin rreth 504 mijë të punësuar në 2017-n, me një rritje prej 7.3% me bazë vjetore. Në total, ekonomisë i janë shtuar neto (duke hequr personat që mund të kenë dalë në pension, ose janë larguar nga vendi) rreth 34 mijë persona.
Në tregtinë me pakicë rezultojnë të punësuar rreth 67 mijë persona, duke u bërë sektori që ka hapur numrin më të lartë të vendeve të punës në Shqipëri, ose rreth 13% e totalit. Në pjesën më të madhe, ata janë të vetëpunësuar, që kanë hapur një dyqan të vogël dhe sigurojnë të ardhura minimale.
Sektori i dytë më i madh punësues në vend janë shërbimet, me rreth 65 mijë të punësuar. Në krahasim me 7 vjet më parë, të punësuarit në këtë sektor janë 5 fishuar. Ndikimin kryesor e ka dhënë zhvillimi i Biznesit të nënkontraktimit të shërbimeve (BPO), ku pjesën kryesore e zënë sipërmarrjet e call center, të cilat morën hov vitet e fundit, duke shfrytëzuar avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore dhe njohurive të gjuhëve të huaja, sidomos ato italiane.
Akomodimi dhe shërbimi ushqimor është në vend të tretë, me rreth 54 mijë të punësuar. Shqipëria është një nga vendet që ka numrin më të lartë të bareve e restoranteve për banorë, duke u krahasuar vetëm me Spanjën. Sipas INSTAT, në 2017-n, kishte gjithsej në vend mbi 18 mijë bare e restorante, me një kapacitet total prej rreth 600 mijë vendesh, me një kapacitet sa një e katërta e popullsisë! Krahas tregtisë, baret e lokalet janë biznesi më i përhapur në vend, duke u bërë burimi kryesor i punësimit e vetëpunësimit.
Tregtia me shumicë është një aktivitet ku sigurojnë të ardhurat rreth 50 mijë persona. Në ndërtim punojnë rreth 43 mijë persona. Tekstilet dhe këpucët, eksportuesi më i madh në vend, që shfrytëzon krahun e lirë të fuqisë punëtore, teksa pjesa më e madhe e tyre paguhen me paga minimale, punësojnë së bashku rreth 52 mijë persona. Ndërsa industria nxjerrëse punëson në total rreth 11 mijë persona.
Bien normat e fitimit
Të bësh biznes fitimprurës në Shqipëri, sa vjen e po bëhet më e vështirë, me konkurrencën që shtohet, sektorët që maturohen, konsumin që është i tkurrur, ndërsa rritja e pagave ka qenë minimale vitet e fundit. Të dhënat e Anketës Strukturore të INSTAT tregojnë se 107 mijë bizneset që janë aktive në vend fituan në total neto (pas taksave) 159 miliardë lekë, ose rreth 1.2 miliardë lekë në vitin 2017. Në raport me vitin e mëparshëm, fitimet në vlerë absolute kanë rënë me 3.2%.
Nga tetë sektorë kryesorë që i grupon INSTAT, gjashtë prej tyre kanë parë rënie të fitimeve në vlerë absolute, konkretisht “transporti dhe telekomunikacionet”, “ndërtimi”, “energjia elektrike, gazi dhe uji”, “shërbimet”, “akomodimi dhe shërbimi ushqimor” dhe “tregtia”. Rritje të fitimeve raportuan vetëm “industria nxjerrëse” dhe “industria përpunuese”. Rënien më të lartë të fitimeve në vlerë absolute e raportoi sektori i “Transporti, informacioni dhe komunikacioni” (-4.6 miliardë lekë), si rrjedhojë e ecurisë negative të operatorëve celularë, të cilët deklaruan të gjithë humbje në 2017-n (shih nënçështjen në vijim për operatorët celularë).
Më pas vjen “Energji elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve” (-3.6 miliardë lekë), si rrjedhojë e një viti të thatë që përkeqësoi treguesit e operatorëve të sistemit energjetik (shih nënçështjen për energjinë). Rënie të fitimeve prej 3.2 miliardë lekësh raportoi dhe ndërtimi dhe tregtia me -1.7 miliardë lekë. Ndonëse të ardhurat e kompanive nga shitjet janë rritur me 8.3%, duke arritur në rreth 2 trilionë lekë, apo 16 miliardë euro, kjo nuk i ka ndihmuar bizneset që të kenë më shumë para të mbetura në fund të vitit, pasi shpenzimet, përfshirë ato për personelin, mallrat e blera dhe të tjera, janë rritur me ritme më të larta, prej gati 13%.
Kjo ka bërë që norma e fitimit në të gjithë ekonominë të bjerë në 8.7%, nga 7.8% që ishte vitin e mëparshëm. Kjo do të thotë që për çdo 100 lekë të ardhura në ekonomi, 7.8 lekë shkojnë si fitim neto në duart e bizneseve, që operojnë në vend.
Rënia e telekomunikacioneve
Vitet e arta, kur dy operatorët e mëdhenj të telefonisë celulare rezultonin me fitime të larta dhe normë përfitueshmërie mbi 50% janë tashmë shumë larg (në vitin 2008, më i miri historik, fitimet e Telecom Albania dhe Vodafone arritën në 200 milionë euro së bashku).
Prej dy vitesh, operatorët po thellojnë humbjet, duke reflektuar modelin e ri ku po orientohet sektori, si rrjedhojë e rënies së të ardhurave nga shërbimet zanore (voice) dhe konkurrencës që po vjen nga teknologjia (përdorimi i internetit po ul ndjeshëm të ardhurat nga interkoneksioni).
Vodafone Albania, operatori më i madh sipas të ardhurave, me qarkullim vjetor prej 16.3 miliardë lekësh, sipas të dhënave në bilanc, ka deklaruar humbje neto kontabël para tatimit prej 792 milionë lekësh, nga 173.5 milionë lekë (humbje) vitin e mëparshëm.
Ulja e fitimit erdhi pasi kompania ka shënuar rritje më të shpejtë të kostos së shitjes, shërbimeve dhe shpenzimeve të tjera, ndërsa të ardhurat ranë me 3.4%. Megjithatë, Vodafone ka paguar 252 milionë lekë tatimfitim, si rrjedhojë e shpenzimeve të larta të pazbritura fiskalisht (si p.sh., pritje e dhurata, qira për punonjës të huaj, provigjione, nxjerrje e aktiveve jashtë përdorimit, etj.).
Edhe për Telecom Albania, dikur një nga kompanitë me normë më të lartë fitimi në vend, kohët nuk janë aq të mira. Telecom, që kishte të ardhura 9.1 miliardë lekë, raportoi humbje tepër të larta 4.8 miliardë lekë (më se gjysma e të ardhurave) në 2017-n, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n.
Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave me 14%, ndërkohë që kosto e shitjes dhe shërbimeve të ofruara u rrit me 30%, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje bruto (përpara shpenzimeve administrative) prej 815 milionë lekësh, nga 2.9 miliardë lekë që ishin fitimet bruto vitin e mëparshëm. Rezultatet e përkeqësuara financiare kanë nxitur kompaninë mëmë, gjermanët e Deutsche Telekom, të fillojnë negociatat për shitjen e filialit në Shqipëri.
Energjia u godit nga thatësira
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) raportoi rënie të fitimeve me 84%, në 3.4 miliardë lekë në 2017-n, për shkak të një situate mjaft të vështirë hidrike, si pasojë e thatësirës më të rëndë të 20 viteve të fundit. “Shqipëria është një vend me varësi të theksuar nga burimet hidrike dhe OSHEE-ja e vuajti këtë varësi gjatë vitit 2017, çka e detyroi ta siguronte energjinë jo nga burimet e vendit, si KESH apo HEC-et private, por nga importi me çmime shumë të larta (gati dyfish) krahasuar me vitet e mëparshme.
Kjo thatësirë i shkaktoi OSHEE-së impakt negativ me mbi 100 milionë euro në financat e saj”, pohoi administratori i OSHEE, Adrian Çela.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) raportoi ulje të fitimeve nga 1.8 miliardë lekë në 2016-n në 506 milionë lekë, si rezultat i thatësirës që solli rënie të ndjeshme të të ardhurave. Ecuri më pozitive kishte Operatori i Sistem Transmetimit, që raportoi fitime prej 1.3 miliardë lekësh, para taksave, me rritje 15% me bazë vjetore.
Tregtia dhe shërbimet sjellin 61% të fitimeve në ekonomi
Pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë me të ardhurat që sigurojnë nga zanati i vjetër i shitblerjes dhe nga shërbimet e akomodimi (kryesisht baret e restorantet). Në vlerë absolute, fitimet nga tregtia ishin rreth 510 milionë euro, dhe ato nga shërbimet dhe nga akomodimet rreth 240 milionë euro. Në total nga tregtia dhe baret-restorantet, që janë të përhapur në çdo cep dhe hoteleria, gjenerohen rreth 61% e totalit të fitimeve në ekonomi. Kjo është e lidhur me numrin e lartë të ndërmarrjeve që operojnë në këtë sektor, rreth 45 mijë në tregti dhe 20 mijë në shërbime, që së bashku përbëjnë 60% të totalit të ndërmarrjeve në vend.
Më pas renditet ndërtimi, që u ka sjellë ndërtuesve rreth 180 milionë euro fitime në 2017-n, i ndjekur nga industria përpunuese (154 mln euro), Transporti, informacioni dhe komunikacioni (70 mln euro), Industria nxjerrëse (45 mln euro).
Sektorët më fitimprurës
Shërbimet rezultojnë sektori më fitimprurës në ekonomi, ku 14% e të ardhurave mbetet në fund si fitim neto. Në krahasim me 2016-n, norma e fitimit ka rënë me 4 pikë përqindje. Ndërtimi renditet në vend të dytë, me normë kthimi prej 9.3%, edhe ky me rënie në raport me një vit më parë. Industria përpunuese kthen si fitime 8.1% të të ardhurave.
Pas humbjeve të vazhdueshme, industria nxjerrëse raportoi normë fitimi prej gati 8%, duke qenë sektori me ecurinë më të mirë të përfitueshmërisë në 2017-n. Nga tregtia, nga e cila e sigurojnë jetesën pjesa më e madhe e shqiptarëve, normat e fitimit kanë rënë në 6.8%.
Baret dhe restorantet (akomodimi dhe shërbimi ushqimor) nuk po rezultojnë më aq fitimprurës. Për çdo 100 lekë të gjeneruara, në 2017-n fitohej vetëm 6.6 lekë, nga gati 12 lekë vitin e mëparshëm./Monitor.