Të dhënat e disponueshme deri tani flasin për një rritje modeste të ekonomisë shqiptare në 2016-n, të udhëhequr kryesisht nga një gjallërim i konsumit të brendshëm dhe investimet e huaja, ndërsa investimet e brendshme duken të frenuara.
Rritja ekonomike për 6-mujorin (të dhënat e fundit të disponueshme) është gati 3.1% e udhëhequr nga tregtia dhe shërbimet. Rritja e tregtisë është e ndikuar dhe nga aksioni informalitet, ku bizneset kanë rritur raportimin e deklarimeve përmes kasave fiskale në muajt e parë të këtij viti.
Për gjithë vitin 2016, autoritetet shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare presin që rritja ekonomike të luhatet mes 3.2-3.4%, nga 2.6% në 2015-n (sipas të dhënave të rishikuara të INSTAT), për t’u gjallëruar në 3.8% në 2017-n.
Për 11-mujorin, eksportet kanë shënuar një tkurrje me 1.6% me bazë vjetore, duke ngadalësuar ritmet e rënies në raport me pjesën e parë të vitit, kur ato u ulën me rreth 7%. Tekstile dhe këpucë kanë qenë zëri me performancën më të mirë, me një zgjerim prej 19%, ndërsa minerale, lëndë djegëse dhe energji ranë me 32% raporton Monitor.
Kredia për ekonominë ka qenë e vakët. Në fund të tetorit, stoku i huasë së dhënë në ekonomi ishte 550.2 miliardë lekë. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, huaja për ekonominë është zgjeruar vetëm me 0.5%, e udhëhequr kryesisht nga huaja për individët, që ka shfaqur një ecuri më të mirë përgjatë 2016-s. Kjo lidhet edhe me faktin që individët kanë rezultuar huamarrës më korrektë, duke bërë që bankat të përqendrohen te ky segment.
Ndonëse pritej një rënie e mëtejshme e kredisë me probleme në 2016-n, pasi ajo zbriti në rreth 18% në dhjetor 2015 (kryesisht si rrjedhojë e fshirjes së huave që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin), huaja e pakthyer në afat shënoi një tjetër rritje përgjatë këtij viti, duke arritur në 21.4% në fund të tetorit, në një sinjal që bizneset po kalojnë një periudhë problematike dhe nuk po arrijnë të dalin nga ngërçi i krizës. Rritja e huave në ndjekje (nga 30-90 ditë vonesë, që ende konsiderohen si të mira) tregoi se dhe bizneset që më parë kishin qenë korrekte, po shfaqnin vonesa në pagimin e kësteve.
Pas një rënieje të ndjeshme në tremujorin e parë, investimet e huaja filluan të merrnin veten, të nxitura nga gazsjellësi TAP (që filloi shtrimin e tubave) dhe hidrocentrali i Devollit. Investimet e Huaja Direkte shënuan rënie vjetore me 3% gjatë nëntëmujorit të këtij viti, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Investimet shënuan 706 milionë euro në periudhën janar-shtator 2016, nga 728 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të ardhurat në buxhet, pas një rritjeje dyshifrore në muajt e parë të vitit, u ngadalësuan ndjeshëm në muajt në vijim, duke reflektuar si nivelin e ulët të tyre në janar-shkurt të vitit të mëparshëm (si rrjedhojë e vendosjes së sistemit të ri e-tax), normalizimit të importeve (në 2015-n, importet e disa produkteve në muajt e parë të vitit ishin minimale për shkak të rritjes së disa taksave), por edhe mosfunksionimit të strategjisë antiinformalitet. Për 10-mujorin, të ardhurat në buxhet ishin 334 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 7.3% dhe duke qenë 4 miliardë lekë më pak edhe se plani i rishikuar në verë.
Tregtia me pakicë u gjallërua në tremujorin e tretë, duke u rritur me 6.5% me bazë vjetore.
Në të kundërt, xhiro e bizneseve (shifra e afarizimit) u rrit me vetëm 1.3% në të njëjtën periudhë, duke reflektuar ecurinë e dobët të industrisë, sidomos asaj nxjerrëse, si rrjedhojë e koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare.
Konsumi rezulton i gjallëruar, sipas shifrave zyrtare. Ai shënoi rritje të ndjeshme prej 3.93%, me bazë vjetore, në tremujorin e dytë të vitit (të dhënat e fundit të disponueshme), sipas të dhënave të INSTAT në publikimin për Prodhimin e Brendshëm Bruto të së njëjtës periudhë. Por, ndërsa të dhënat e konsumit janë shpresëdhënëse, një tjetër tregues, ai i rritjes së ofertës së parasë në ekonomi po shënon ngadalësim të ndjeshëm, duke pasur një lidhje të zhdrejtë me konsumin, kur praktikisht duhet të ishte e kundërta (kur njerëzit konsumojnë më shumë duhet të shtohet dhe paraja që qarkullon në ekonomi). Në korrik, paraja që qarkullon në ekonomi (oferta e parasë) ka shënuar rritjen më të ulët vjetore të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë. Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, agregati M3 (paraja në qarkullim përfshirë depozitat) u rrit me 15 miliardë lekë në korrik 2016, në raport me korrikun 2015, nga 39 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe më i ulëti historik që kur raportohen të dhënat. Edhe në tetor, paraja gjithsej ra me 2.7 miliardë lekë.
Të ardhurat nga emigrantët u rikthyen pozitive për 9-mujorin, duke reflektuar një valë të re të emigracionit në 2015, por edhe përmirësimin e situatës ekonomike në vendet fqinjë, si Italia, e sidomos Greqia. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat nga remitancat gjatë periudhës 9-mujore 2016 arritën në 449 milionë euro me një rritje vjetore prej 1 për qind.
Zhvillimin më pozitiv në 2016-n e ka njohur turizmi, që ka parë një rritje të interesit të të huajve për Shqipërinë, por edhe të hyrjeve të valutës, teksa dhe kriza në Turqi ka dhënë efekt pozitiv në orientimin e të huajve edhe drejt Shqipërisë. Banka e Shqipërisë raportoi se të ardhurat nga ky zë në janar-shtator shënuan mbi 1.1 miliardë euro, me një rritje 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por fitimi më i madh prej turizmit lidhet me faktin se në tremujorin e tretë 2016, për herë të parë që nga viti 1990, vlera e mbetur në ekonominë vendase shënoi rekord. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shërbimet e udhëtimit u mbyllën me një bilanc pozitiv prej 153 milionë eurosh, rreth 2 herë më i lartë kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë, pasojë e rritjes më të shpejtë të të ardhurave kundrejt shpenzimeve në këtë kategori./Monitor/a.k.