Zhvillimi i sipërmarrjes, lehtësimi i problematikave të biznesit, investimet në turizëm dhe promovimi turistik ishin fokusi i vizitës së sotme në Korçë të Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi.
Ministrja Ekonomi fillimisht inspektoi së bashku me prefektin e Korçës, Ardit Konomi, zbatimin e projektit “Korça me Bicikletë”, projekt i Njësisë Kreative të Bashkisë Korçë, i financuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes, me vlerë 1 962 302 lekë.
Duke përshëndetur realizimin e këtij projekti, Ministrja Ekonomi u shpreh se Korça është një histori suksesi dhe ky projekt tregon se paratë janë përdorur mirë. Ministrja përshëndeti krijimin përmes këtij projekti të 19 itinerareve me biçikletë në qytet dhe në fshatrat rreth Korçës, krijimin e aplikacionit për të shkarkuar online këto itinerare, gjithashtu dhe materialet promovuese të publikuara nga ky projekt. Ajo falënderoi prefektin e Korçës për bashkëpunimin, duke theksuar se në Korçë sipërmarrja turistike është në rritje dhe duke ftuar gjithë të rinjtë që të pedalojnë dhe të zhvillojnë sportin e ciklizimit, për të shijuar dhe natyrën që ka Korça dhe rrethinat e saj.
Prefekti i Korçës, z. Konomi, u shpreh se pedalimi është një prej alternativave më joshëse që ofron Korça. Janë gjithsej 19 itinerare, dhe rreth 900 km pedalim në vijë lineare që kalojnë mes qytetit, fushave, liqeneve, maleve rreth zonës së Korçës dhe fshatrave. Ai falënderoi Ministren Ekonomi për mbështetjen financiare të këtij projekti.
Një tjetër investim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes janë dhe Info Point statike të vendosura në qytete të ndryshme të vendit, përfshi dhe Korçën. Ministrja Ekonomi së bashku me kryebashkiakun e Korçës, z. Sotiraq Filo, inspektuan një prej tabelave info point të vendosur në qendër të qytetit pranë Katedrales.
Ministrja Ekonomi u shpreh se këto tabela janë njehsuar në gjithë vendin dhe janë 60 të tilla. Ato synojnë të informojnë jo vetëm turistët e huaj, por dhe të edukojnë turistin vendas, pasi ka shumë rëndësi që të rrisim turizmin nacional pra ti vizitojmë vetë këto destinacione. Ministrja Ekonomi kujtoi se sot ishte Dita Ndërkombëtare e Guidave turistike dhe nuk kishte ditë më të mirë për të promovuar këto projekte turistike që do të rrisin turizmin ne qytetin e Korçës.
Kryebashkiaku i Korçës falënderoi Ministren Ekonomi për promovimin e vazhdueshëm të turizmit në qytetin e Korçës si dhe për mbështetjen financiare të MZHETTS për këto projekte të vogla, por me vlerë për qytetin. Z Filo u shpreh se falë bashkëpunimit mes Ministrisë për bazën materiale dhe Bashkisë për informacionin e vendosur në këto tabela, u bë e mundur që Korça të ketë 3 info point të tilla dhe dy të tjera që po përgatiten për Dardhën dhe Voskopojën.
Takimi me biznesin
Ministrja Ekonomi zhvilloi në Korçë një takim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë. Biznesmenët e Korçës të pranishëm në takim paraqitën problematikat me të cilat përballen ata në punët e tyre të përditshme. Ministrja Ekonomi tha qëllimi i këtyre bisedave të sinqerta me biznesin që ka nisur me Fierin dhe Korçën dhe do të vazhdojë brenda marsit me biznesin në qytete të tjera të vendit, është të nxirren nga vetë biznesmenët ato çështje që mund të adresohen shpejt dhe t’u jepet zgjidhje nga Qeveria.
Çështja kryesore që u ngrit nga biznesi i Korçës ishte forcimi i rolit të Dhomës si dikur. Ata kërkuan ndryshime në Ligjin e Dhomave, që synojnë marrjen e një roli më aktiv të Dhomës, ku bizneset të kenë jo vetëm një vend ku të ankohen e të paraqesin secili sipas fushës së vet problemet dhe shqetësimet, por këto probleme të dëgjohen dhe të marrin zgjidhje. U diskutua se Dhoma gjithashtu duhet të marrë disa shërbime, siç janë: këshillimi dhe konsultimi juridik apo ekonomik për bizneset para se të bëjnë një investim; të ketë rol organizativ, planifikues e orientues për t’i orientuar bizneset drejt investimeve të sukseshshme dhe jo hedhjes së parave në sektorë ku ka shumë konkurencë apo ku investimi është i destinuar të dështojë.
Një rol tjetër që duhet të kryejë Dhoma, sipas Ministres Ekonomi është evidentimi nga bizneset i profesioneve më të kërkuara prej tyre, dhe këto kërkesa t’i paraqiten dhomës, e më pas unionit për të patur një ide se ku duhet të orientohet arsimi professional, ligj i cili sapo është miratuar në parlament.
Një tjetër rol i Dhomës sipas ministres Ekonomi është krijimi i ‘kartave teknologjike’ për produktet që eksportohen, që do të thotë një përllogaritje të procesit, kohës, kostos që ka secili prej tyre para se të eksportohet.
Problematikat që shtroi biznesi ishin nga më të ndryshmet, psh krijimi i rrugëve, ndriçimit në zonat që janë destinacione turistike, kërkesa për incentiva nga shteti për bizneset që punojnë në turizëm, uljen e tvsh, u ngrit çështja e eksporteve të produkteve të mishit, që është ende e pamundur për Shqipërinë etj.
Ministrja Ekonomi shpjegoi se MZHETTS është fokusuar kryesisht në rregullimin e tregut të turizmit. Ajo ftoi bizneset që të bashkëpunojnë më zyrën për zhvillimin e rajoneve dhe Bashkinë pasi kërkesat dhe nevojat për investime në infrastrukturë duhet t’i paraqesin para këtyre institucioneve në mënyrë që ato të marrin financim.
Bizneset falenderuan Ministren Ekonomi për takimin e ngrohtë dhe miqësor, dhe për mundësinë që iu dha për të shprehur problemet e tyre./a.m.