Mbërrin në aeroportin e Rinasit kombëtarja serbe e futbollit
Në orë 17: 35 minuta avioni i Kombëtares serbe është ulur në aeroportin e Rinasit. Lojtarët dhe pjesa tjetër e stafit serb kaluan në sektorin VIP të aeroportit ku i priste një shpurë e madhe forcash sigurie.
Në sigurinë e kombëtares serbe janë angazhuar qindra forca të Policisë së Shtetit, përfshirë këtu edhe repartet speciale të strukturave të rendit. Në aeroport për të pritur Kombëtaren serbe, ka qënë dhe ambasadori i Serbisë në Shqipëri. Rruga nga Rinasi e deri tek Hotel Rogner, ku u vendos kombëtarja serbe, ishte e mbushur me forca të shumta policore, përveç eskortës që e shoqëroi nga aeroporti e deri në mbërritjen në hotel.
Ekipi serb refuzon hotelin në Tiranë: Nxirrni amerikanin që të hyjmë
Ekipi serb ka nxerrë probleme për akomodimin në hotel. Sipas shefit të sigurimit të Serbisë, Mirko Milivoj, ka akuzuar palën shqiptare për ndryshim të marrëveshjes.
“Ne kemi pasur bashkëpunim të madh deri para 15 minutash, kur morëm telefonatën se do të ndryshohen disa gjëra që i kemi diskutuar. Gjithashtu, edhe pse ramë dakord që në katon tonë në hotel, te jemi vetëm ne, u raportua se aty është edhe një qytetar amerikan. Ne nuk jemi pajtuar me këtë dhe nuk hymë pa u larguar ai”, deklaroi Mirko para udhëtimit për në Tiranë.




