Atë mëngjes, ndërsa po ecja në park, veshi më kapi një zë të nervozuar. “Ej shqiptar, do nisemi të mërkurën, jo të enjten; të enjten është dasma.” Ishte një 30-vjeçar që në vrap e sipër fliste me shokun përbri. Më vrau veshin fjala “shqiptar”. Në thënien e të riut mund t’i jepje vetëm kuptime përkeqësuese si: i pakujdesshëm, i pavëmendshëm, njeri që s’para kupton, budalla etj.
Ta përdorësh emrin e grupit tënd etnik si sharje ngjan me një lloj harakiri se, në një mënyrë a në tjetrën shan vetja veten. Individi, thonë psikologët, ka si prirje të lindur jo vetëm ta pëlqejë veten, por edhe t’i pohojë tipare pozitive. Që këto autolëvdata t’i duken sa më të besueshme, ndjek një rrugë të tërthortë: gjithë tiparet pozitive që lakmon për vete, ia vesh grupit ku bën pjesë. Me gjasë, sa më i pasigurt dhe i frustruar të jetë individi, aq më shumë ka nevojë të lartësojë grupin e vet dhe të nxijë tjetrin, grupin fqinj. Djaloshi që po shante bashkëvrapuesin duke e quajtur “shqiptar”, i ikte këtij zakoni panhuman.
Duke ecur me hap të ngadalshëm që vetiu e kërkon meditimin, m’u kujtua shprehja “nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë” që, para disa vjetësh u shfaq si batutë episodike në një skeç televiziv, po brenda pak javësh nisi të përsëritej masivisht e të merrte trajtë proverbi sarkastik. Dukej qartë se batuta kishte prekur një nerv goxha të ndjeshëm.
Gjithsesi kjo është vetëm njëra anë e medaljes, krahas prirjes për të bërë humor e për të shpotitur përkatësinë etnike ekziston edhe ekstremi tjetër: prirja për glorifikim të shqiptarit dhe të shqiptarisë, madje kjo ngjan të jetë shumë më e përhapur dhe tejet më vibruese.
Para disa javësh në Facebook postohej e ripostohej një listë librash. Ishin 14-15 tituj që i lidhte e i bënte grup megalomania. Fillonin me “Greqishtja fliste shqip” vazhdonin me pellazgë, hebrenj, gjermanë, francezë, egjiptianë dhe popuj e gjuhë të tjera që paskan folur shqip ( lexo: etimologjitë e leksikut të tyre shpjegohen nëpërmjet shqipes ) për të ardhur tek “Natyra fliste shqip” e për të gjetur rrënjë shqiptare edhe te Zeusi, Krishti, Shën Mëria etj.
Këta që postonin e komentonin listën ishin në pozita kritike e shpotie me qasje të tilla që e paraqesin shqipen si çelës për gjuhët e tjera indoeuropiane, kurse shqiptarët dhe trojet e tyre si popull e vend që i ka dhënë botës njerëz të shquar, heronj, madje edhe zota. Gjithsesi fakti që shkruhen e botohen jo një e dy, por dyzina librash me qasje idealizuese e glorifikuese për shqipen, shqiptarin e shqiptarinë dëshmon ekzistencën e një mase të madhe individësh që, jo vetëm besojnë në fantazi të tilla, por edhe ua ndjejnë nevojën.
Afërmendsh që krahas këtyre dy qëndrimeve ekstreme, d.m.th. krahas shpotitjes dhe glorifikimit, ekziston dhe një qasje e tretë, ajo realiste, promotorët e së cilës kanë qëndrim më esëll e më të ekuilibruar. Për ta shqiptarët janë një popull mesdhetaro-ballkanik që ndajnë virtytet dhe veset e popujve të këtyre hapësirave gjeografike e historike, por me disa nuanca specifike. Duke qenë një popull i vogël që për dhjetëra shekuj ka jetuar jo vetëm në kufij provincialë perandorish të mëdha si ato bizantine e otomane, por edhe në një territor të përthyer dhe rrjedhimisht jo shumë të favorshëm për komunikim e zhvillim, shqiptarët erdhën në kohët moderne me identitet që nxirrte në pah tipare të tilla si mikpritja, lidhjet familjare e farefisnore, krenaria për gjuhën amtare, për autoktoninë dhe unicitetin, karakteri luftarak dhe qëndrestar, bashkëjetesa fetare etj.
Në kushtet kur nuk ka hulumtime serioze empirike për identifikimin kombëtar të shqiptarëve, d.m.th. për tiparet që përdor secili për të perceptuar përkatësinë kombëtare dhe për t’u bashkuar në grup, është vështirë të thuash me siguri se sa për qind e shqiptarëve janë të qasjes realiste dhe sa të qasjeve glorifikuese dhe atyre shpotitëse. Gjithsesi, po të nisesh nga rrjetet sociale, krijon përshtypjen se qasja më e hasur është ajo glorifikuese, përshtypje që bëhet më e fortë kur merr në konsideratë edhe disa fakte historike.
Qasja glorifikuese ka mbizotëruar narrativat e mëdha të nacionalizmit shqiptar qysh në fillimet e tij, d.m.th. qysh nga shekulli XIX, ashtu siç ka mbizotëruar edhe projektet politike për jetësimin e këtyre narrativave, projekte të ndërmarra nga shteti shqiptar gjatë periudhës së monarkisë, në vitet njëzetë – tridhjetë të shekullit XX dhe sidomos gjatë qeverisjes totalitare që zgjati deri në fillim të viteve 1990.
2.
Mes narrativave të mëdha të nacionalizmit shqiptar vendin e kreut e zinin narrativat e identitetit dhe ndër to shquanin: njëra për zanafillën e stërlashtë, tjetra për homogjenitetin etnik dhe purizmin kulturor, një e tretë për karakterin kryengritës, një tjetër për bashkëjetesēn fetare dhe që mund të quhej edhe ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’ etj. Historiani Noel Malkolm i quan mite këto narrativa, jo për të theksuar karakterin e tyre fiktiv, po për të nxjerrë në pah ngarkesat e theksuara simbolike dhe emocionale. ‘Mitet e identitetit, vazhdon historiani, zakonisht janë mite historike: ato theksojnë identitetin në vijimësi, por në të njëjtën kohë priren të jenë pa baza të forta historike, ngaqë synojnë të nxisin një lloj qëndrueshmërie dhe solidariteti jashtëkohor , të pandjeshëm ndaj flukseve reale me zhvillime, dekompozime etj.’
Pikërisht përzierja mes historikes dhe të trilluarës e mitikes përbën një nga tiparet bazë të narrativave të identitetit të formuluara nga rilindësit shqiptarë. Më shumë se vërtetësia e fakteve historike atyre u interesonte funksionaliteti apo, thënë më ndryshe, sa dhe si militonin për çështjen kombëtare. Mbizotërimi i mitikes në narrativat për identitetin u përcaktua jo vetëm nga dëshira romantike për të pakohën, por edhe nga fakti se s’kemi të bëjmë me historianë po kryesisht me publicistë e poetë, që morën rolin e propagandistit të çështjes kombëtare në kushtet kur albanologjia ishte në hapat e para të ngjizjes.
Siç e thotë edhe fjala ‘rilindje’, narrativat e identitetit shqiptar synonin lindjen përsëri të diçkaje që pat ekzistuar më parë apo ‘zgjimin e ndërgjegjes kombëtare’ që dikur kishte lulëzuar dhe pastaj ishte përgjumur dhe madje edhe ishte harruar. Këtë periudhë të artë që duhej ringjallur rilindësit e vendosnin në kohën e pellazgëve, një popullsi e lashtë, e përmendur nga Homeri, Herodoti, Straboni etj, por me fare pak gjurmë të mbijetuara. Rilindësit bënë të vetën tezën se ilirët, maqedonasit dhe epirotët ishin pasardhës të pellazgëve dhe për rrjedhim shqiptarët, si pasardhës të ilirëve kishin qenë në trojet ballkanike qysh në kohët mitike, jo vetëm para sllavëve e romakëve, por edhe përpara grekëve.
Origjina e stërlashtë e shqiptarëve, autoktonia qysh nga kohët mitike nuk lakmohej thjesht për status e krenari. Në një hapësirë si Ballkani, të sunduar nga pretendime territoriale, autoktonia shërbente në radhë të parë si mjet për të legjitimuar ekzistencën dhe për t’iu kundërvënë orekseve ekspasioniste të shovinistëve fqinjë.
Teza e vazhdimësisë pellazge në identitetin, gjuhën dhe kulturën shqiptare kërkonte prej vetiu një perceptim mitik, d.m.th. jashtëkohor, të shqiptarësisë, si një esencë homogjene dhe e papërzier në rrjedhat e historisë. E tepërt të thuash se kjo tezë më shumë se nga realiteti historik buronte nga realiteti politik: shovinistët grekë dhe ata serbë flisnin për shqiptarët si një popullsi që jo vetëm kishte ardhur vonë në Ballkan, por edhe që ishin të pakulturë, me tipare e zakone anadollake, me një gjuhë lara-lara të krijuar nga huazime gjithfarësh prej latinishtes, serbishtes, greqishtes, turqishtes etj. Duke kundërshtuar pretendime të tilla me prapavijë kolonizuese e asimiluese, rilindësit do ta zmadhonin dukshëm homogjenitetin e shqiptarëve në rrjedhat e historisë, do të përpiqeshin të shpjegonin emrat e perëndive greke me fjalë të shqipes dhe do të shpallnin shqiptarë një panteon të tërë heronjsh duke nisur nga Ptolemenjtë e Egjiptit e duke ardhur te Aleksandri i Madh.
Narrativat e tjera si ajo për karakterin luftarak e kryengritës, ajo për bashkëjetesën fetare etj. ngjajnë të jenë më pak mitike e më shumë historike, por gjithsesi janë strukturuar me teknikën e hiperbolizimeve dhe në shërbim të politikave të ditës. Synohej të hidhej poshtë akuza e shovinistëve fqinjë se shqiptarët jo vetëm kishin marrë fenë e pushtuesit otoman, por edhe i kishin dhënë atij luftëtarë e komandantë të panumërt si dhe ‘dyzetë vezirë të mëdhenj’. Në kushtet kur perandoria otomane po binte duhej tërhequr vëmendja e fuqive të mëdha në kontributet anti-otomane të shqiptarëve, në lidhjet e dobëta me fetë etj. Motoja ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’ përmbante elementë realë, por ca më shumë shprehte një aspiratë me prapavijë politike: kohezioni i shqiptarëve nuk mund të forcohej duke u grumbulluar rreth religjionit siç kishte ndodhur dekada më parë me fqinjët grekë e serbë, por duke u bashkuar rreth përkatësisë kombëtare.
3.
Gjatë njëqind e ca vjetëve të ekzistencës së shteti shqiptar narrativat e identitetit kombëtar janë marrë e rimarrë për t’u përdorur në kontekste e funksione të ndryshme. Kështu p.sh. gjatë viteve të monarkisë teza e homogjenitetit etnik të shqiptarëve do të përsëritej e rivitalizohej për të ndihmuar në realizimin e njërës prej detyrave më të mëdha të kohës, krijimin e një shteti unik e të centralizuar përkundër prirjeve krahinore e separatiste apo siç e thoshte njeri nga intelektualët e kohës ‘nga një grumbull fisesh të krijojmë një komb’.
Shumë më e nevojshme dhe funksionale shfaqej në këto vite narrativa e bashkëjetesës fetare. Mbreti Zog ndërmori një varg reformash për t’i shkëputur institucionet fetare nga varësia prej qendrash të huaja, shpesh jo miqësore me interesat tona kombëtare, dhe për t’i vënë ato në marrëdhënie me shtetin shqiptar. Krahas kësaj shkolla, media, ushtria e të tjera instrumente u përdorën për të jetësuar sa më fort moton ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’, moto që vinte kombësinë mbi fenë dhe synonte edukimin e brezave të rinj me dashurinë për atdheun, historinë e traditat.
Periudha e qeverisjes totalitare dhe veçanërisht ajo mes viteve 1960 – 1990 do të njihte aktivizimin si kurrë më parë të narrativave tē identitetit. Janë vite kur udhëheqja politike e Tiranës vendosi daljen e vendit nga ish kampi socialist dhe aplikimin e një politike ekstreme autarkike dhe vetizoluese. Në këto rrethana propaganda e komuniste, me të gjitha mjetet, duke nisur nga shkollat e mediat e duke ardhur tek letërsia e artet, do t’u kthehej e rikthehej narrativave rilindëse të identitetit. Vendin qendror do ta zinte narrativa e shpirtit kryengritës, qëndresës në rrethim etj. Hiqeshin paralele me historinë dhe sidomos me qëndresën shqiptare të shek. 15: ashtu si stërgjyshërit i kishin venë gjoksin pushtimit otoman në mbrojtje të lirisë, ashtu edhe shqiptarët e ditës duhej të luftonin në mbrojtje të marksizëm leninizmit. Vetkuptohet që theks i veçantë vihej tek sublimimi i sakrificës dhe i aftësive shekullore të shqiptarëve për të qëndruar thuajse të vetëm në bllokada e rrethime.
Si gjatë viteve të monarkisë, por shumë më tepër gjatë viteve të qeverisjes totalitare, narrativat e identitetit kombëtar u bënë pjesë platformash politike; nuk ishin më thjesht rrëfenjat e kohës së rilindjes që shkruheshin e botoheshin nga intelektualë jashtë vendit dhe shumicën e herëve zor se arrinin tek shqiptari i zakonshëm, i pashkolluar në masë dhe i privuar nga gazetat dhe librat shqip. Kalimi nga statusi thjesht kulturor në status të mirëfilltë politik bëri që këto narrativa të gjallonin në tekstet shkollore, në krijimtarinë kulturore e në gjithë propagandën zyrtare dhe, falë gjithë këtyre të përhapeshin gjerë e të besoheshin në masë, me një fjalë të përjetoheshin gjerë si struktura reale e faktike, përkundër faktit se brenda tyre elementi i trilluar e mitik zinte vend të qenësishëm.
4.
Gjatë tranzicionit postkomunist që zuri fill në fillim të viteve 1990 dhe, në një kuptim vazhdon dhe sot e kësaj dite, u arrit që të formësohej e të shfaqej gjerë edhe një trend që synon çmitizimin e narrativave të identitetit, duke shpjeguar si dhe pse elementët mitik kanë zënë vend të dukshëm në to. Për të qenë realistë edhe më parë nuk kishin munguar zërat çmitizues, duke nisur sidomos nga vitet 1930. Gjithsesi gjatë viteve 1990 e në vazhdim u shtuan dukshëm kontributet shkencore dhe sidomos ato publicistike që këmbëngulin për vështrime më realiste e më modeste të problemeve të identitetit shqiptar, duke u mbështetur në kundërthënie të natyrës: kur kemi qenë aq luftëtarë e kryengritës, si shpjegohet që çlirimin kombëtar e arritëm vonë, shumë më vonë se fqinjët grekë dhe ata serbë, madje e arritëm përgjysmë: një pjesë e mirë e territoreve shqiptare mbetën jashtë kufijve.
Qëndrimet çmitizuese të kësaj elite kanë patur ndikimin e vet, por vështirë të thuash se elementi mitik në narrativat e identitetit, që pranohen e riprodhohen gjerë, ka ardhur në ulje. Duke e matur pamjen ‘me vështrim të lirë’, krijon përshtypjen se po ndodh e kundërta. Me gjasë rol të veçantë në këtë mes kanë luajtur e luajnë një varg faktorësh, ku vendin kryesor e zë emigrimi masiv.
Shqiptarët janë sot popull emigrantësh, një në çdo 3 – 4 prej tyre kanë marrë rrugët e botës. Kjo ikje masive ka qenë dhe mbetet përgjithësisht ilegale. Merret me mend se sidomos në periudhën e parë të emigrimit, ilegali has vështirësi shumë më të mëdha për integrim, ka shumë më tepër kontakte me mafian dhe katakombet sociale të vendeve pritëse dhe rrjedhimisht edhe shumë më tepër diskriminim dhe përbuzje. Të gjitha këto krijojnë dëshirë të vetvetishme për të kërkuar rrënjët, për të gjetur e shpikur vlera të grupit tënd etnik, për të thirrur në ndihmë mitet kombëtariste mbi shqiptarët si popull i stërlashtë, me fizionomi, kulturë e vlera unike, etj.
Gjithsesi emigrantët shërbejnë vetëm si tharm për të ngjizur një klimë promitike. Tallazet e tranzicionit bëjnë që edhe shqiptarët që jetojnë brenda vendit të ndihen jo më pak të pasigurt e të frustruar dhe, në një kuptim, jo më pak të etur për narrativa mitike e idealizuese. Rrjetet sociale mundësojnë homogjenizimin e këtyre grupimeve pavarësisht largësisë gjeografike, kurse kriza e autoritetit rrit frymën mosbesuese e mohuese ndaj qasjeve akademike e shkencore.
Pavarësisht se faktorë të tillë favorizojnë elementët mitikë, mbetet fakt që gjallojnë e zhvillohen edhe prirjet realiste e shkencore, madje edhe ato shpotitëse. Kjo shumësi qasjesh mund të lexohet si shenjë vitaliteti, por edhe si ogur se tiparet që përdorin shqiptarët për t’u vetidentifikuar nuk do të mbeten vetëm ato të nacionalizmit etnik, por do të pasurohen edhe me të tjera, të nacionalizmit civik. Se kombi është dhe s’është po ai.
(Kjo ese ka dalë në spanjishte në numrin e fundit të revistës dymujore spanjolle La Maleta de Portbou* – janar-shkurt 2025, me titullin Autopercepción de los albaneses)