Egjipti përuron zgjerimin e kanalit të Suezit
Qeveria egjiptiane po inauguron kanalin e Suezit, një korsi e re prej 72 kilometra. Ky kanal në një pjesë të tij është bashkuar me atë ekzistues që lidh Detin e Kuq me Mesdheun.
Për këtë projekt, puna ka zgjatur rreth një vit, ku ka patur 37 kilometra zgjerim dhe 35 gërmime. Gjithashtu janë shpenzuar rreth 8.2 miliardë dollarë.
Në ceremoninë e inaugurimit marrin pjesë personalitete të politikës vendase dhe botërorë. Delegacione dhe kryetarë shtetesh nga e gjithë bota marrin pjesë në ceremoni, e cila drejtohet nga presidenti egjiptian Abdel Fatah El-Sisi.
Ceremonia po mbahet nën masa të rrepta sigurie, ku në terren janë angazhuar 10 mijë forca policore. Personeli i sigurisë, i koordinuar me forcat ushtarake kanë blinduar objektet dhe ndërtesat përreth, përfshirë stacionet e policisë.
Kanali i Suezit është i rëndësishëm si për Egjiptin ashtu edhe për transportin botëror. Ndërkohë që qeveria egjiptiane shpreson në përmirësimin e ekonomisë së tyre, pasi ky kanal do të dyfishojë transportin e anijeve. Kurse këmbimi i mallrave do të jetë nga 5,3 miliardë dollarë sot, në 13,2 miliardë në vitin 2023.
Kanali origjinal, i cili u hap në vitin 1869, aktualisht merret me 7% të tregtisë në det në të gjithë botën.









