Ministrja e Jashtme dhe e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për një editorial të përbashkët të publikuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Gërvalla u shpreh se qytetarët e Kosovës nuk do t’ia falin këtë qëndrim Ramës, duke theksuar se artikulli krijon përshtypjen se kryeministri shqiptar ndërhyn në momente të vështira për Vuçiçin në raport me Bashkimin Europian.
“Herë pas here krijohet ideja që kur Vuçiçi vihet nën presion nga BE-ja dhe Europa, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”, u shpreh ajo.
Ministrja theksoi gjithashtu se Shqipëria nuk duhet të ndërtojë alternativa bashkëpunimi me Serbinë që anashkalojnë Kosovën, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të saj në çdo raport rajonal.
“Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për në Beograd kalon përmes Prishtinës, jo vetëm gjeografikisht, por edhe ekonomikisht dhe politikisht”, ka deklaruar ajo.
Sipas Gërvallës, problemi kryesor i editorialit nuk qëndron te bashkëautorësia mes Ramës dhe Vuçiçit, por te përmbajtja e tij, ku propozohet që Shqipëria dhe Serbia të integrohen së bashku në Bashkimin Europian.
Ajo kritikoi faktin që në artikull nuk përmendet qëndrimi i Serbisë ndaj Perëndimit dhe lidhjet e saj me vende si Rusia, Kina apo Irani, duke e konsideruar këtë si një mospërputhje me orientimin euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës.











