Gjatë hartimit të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe do të inkorporohen të gjitha rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, një ditë pasi Kushtetuesja vlerësoi se Marrëveshja për Asociacionin nuk është në tërësi në pajtim me aktin më të lartë juridik të vendit. Ajo po ashtu ka bërë të ditur se këto ditë do të përfundojë edhe integrimi i plotë i ish-pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile” në institucionet qendrore të vendit dhe kontratat do të nënshkruhen para përfundimit të këtij viti.
Tahiri paralajmëron se në janar do të diskutohet me palën serbe për “targat provuese” që po u vihen automjeteve të Kosovës në Serbi dhe nëse nuk ka dakordim, atëherë do të fillohet me reciprocitet. Vendimin e Kushtetueses Tahiri ka thënë se në parim e konsideron dhe e vlerëson pozitivisht.
“Kushtetuesja dha rekomandime që në fazat e ardhshme kur punohet statuti që të ketë një gjuhë më të qartë në respektimin e plotë të Kushtetutës. Pastaj këto ditë në proces është integrimi i plotë i ish-pjesëtarëve të strukturave të “Mbrojtjes Civile” në institucionet qendrore të Kosovës dhe kontratat do të nënshkruhen para përfundimit të vitit dhe po përmbyllet përfundimi i kësaj strukture ilegale”.