Për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji qeveria përkëdhel oligarkët, të cilët ndërtojnë pa leje, ndërsa qytetarët ose përfundojnë në burgje, ose nëse nuk paguajnë u prishet ndërtimi.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Salianji thekson se në zonat më të lakmuara të vendit kanë mbirë pallate pa leje.
Sipas tij “mijëra qytetarë ankohen për këtë sistem, mijëra të tjerë kanë përfunduar në burgje dhe janë përballur me prokuroritë dhe gjykatat!”
Reagimi i plotë i Salianjit
Burg për qytetarët, legalizim për oligarkët!
Bashkëfshatarëve të tij ashtu si dhe çdo qytetari në Republikë Edi Rama i ka dërguar taksidarë për t’iu marrë ryshfet në çdo rast, qoftë kur kanë ndërruar çatinë, kur suvatojnë shtëpitë, rregullojnë oborret, apo kur riparojnë stallat.
Policët dhe ndërtimorët e Ramës shkojnë tek qytetarët më shpejt se ustallarët që do bëjnë ndërtimet ndërkohë që pallatet e oligarkëve kanë mbirë kudo pa leje, në zonat më të lakmuara të Shqipërisë! Nëse nuk paguajnë qytetarët përballen me prishjen e ndërtimeve dhe me gjobë ndërkohë që oligarkët me përkëdhelje, opsione dhe legalizim!
Mijëra qytetarë ankohen për këtë sistem, mijëra të tjerë kanë përfunduar në burgje dhe janë përballur me prokuroritë dhe gjykatat!
Sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, për vitin 2021, 1757 qytetarë janë proceduar penalisht për këtë vepër duke rriskuar burgun! 8383 qytetarë janë përballur ne prokurori dhe gjykata gjatë mandatit të fundit të Ramës, mijëra qytetarë të tjerë janë detyruar për ryshfet!
Po oligarkët e qeverisë pse nuk janë proceduar? A është qartësisht legalizim i pallateve dhe kateve pa leje aksioni i tanishëm i qeverisë me kohë të pjesshme?
g.kosovari