Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka përshkruar sulmet në një maternitet dhe në një spital për fëmijë, si krime lufte. “Edhe lufta ka rregulla!”; këto rregulla janë të përfshira në traktatet e Konventave të Gjenevës, si dhe në ligje e marrëveshje të tjera ndërkombëtare.
Çfarë është një krim lufte?
Civilët nuk mund të sulmohen qëllimisht – as infrastruktura që është jetike për mbijetesën e tyre. Disa armë janë të ndaluara për shkak të vuajtjeve të tmerrshme që shkaktojnë – të tilla si minat tokësore dhe armët kimike ose biologjike. Të sëmurët dhe të plagosurit duhet të jenë nën kujdes, përfshirë dhe ushtarët e lënduar, të cilët kanë të drejta si robër lufte.
Ligjet e tjera ndalojnë torturën, gjenocidin, si dhe përpjekjen e qëllimshme për të shkatërruar një grup të caktuar njerëzish. Veprat e rënda gjatë luftës, si vrasja, përdhunimi ose persekutimi masiv i një grupi, njihen si “krime kundër njerëzimit”.
Konventat e Gjenevës bazohen në disa parime bazë:
1. Stafi mjekësor dhe spitalet në zonat e luftës duhet të mbrohen dhe të lejohen të punojnë lirisht.
2. Të plagosurit në betejë dhe që nuk luftojnë më, kanë të drejtë për trajtim mjekësor.
3. Të burgosurit e luftës duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore.
4. Palët ndërluftuese janë të detyruara të mbrojnë civilët (kjo përfshin një ndalim për shënjestrimin e infrastrukturës civile si furnizimet me energji dhe ujë).
Cilat janë akuzat e ngritura për krime lufte në Ukrainë?
Ukraina ka deklaruar se sulmi ajror rus në repartet e maternitetit dhe në ato të fëmijëve në Mariupol, ishin një krim i mirëfilltë lufte. A2 CNN, ka raportuar dhe më parë se për shkak të situatës, autoritetet lokale në qytetin e Mariupolit ishin të detyruar të hapnin një varrezë masive. Ka pasur gjithashtu njoftime se trupat ruse kanë shënjestruar civilët ukrainas që po largoheshin nga vendi për t’i shpëtuar dhunës së ushtarëve rusë. Ka prova edhe se bomba thërrmuese – municione që ndahen në shumë bomba – kanë goditur zonat civile në Kharkiv.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, thotë se Rusia ka përdorur eksploziva termobarikë, të cilët krijojnë vakume masiv duke thithur oksigjen. Këta eksploziva shkatërrues nuk janë të ndaluar – por përdorimi i tyre i qëllimshëm pranë civilëve sigurisht që do të shkelte rregullat e luftës.
Sipas një studimi të CIA-s, të vitit 2000, efektet e shpërthimit të një arme termobarike në hapësira të kufizuara janë të jashtëzakonshme. Personat pranë pikës së shpërthimit, praktikisht shpërbëhen. Ata që ndodhen më në skaj, përjetojnë një sërë dëmtimesh të brendshme: shpërthim të timpaneve të veshëve, shtypje të organeve, kontuzione të rënda, çarje të mushkërive dhe organeve të tjera, dhe verbëri. Një pjesë e viktimave vdesin nga asfiksia, si pasojë e mungesës së oksigjenit në zonën e impaktit, i cili digjet nga reaksioni kimik i shpërthimit.
Efektet e armëve termobarike
Si përndiqen kriminelët e dyshuar të luftës?
Çdo vend ka për detyrë të hetojë krimet e dyshuara të luftës, por disa kombe e bëjnë këtë më shumë se të tjerët. Në Mbretërinë e Bashkuar, oficerët e lartë të policisë janë ofruar të ndihmojnë në mbledhjen e provave të krimeve të mundshme në Ukrainë.
Që nga Lufta e Dytë Botërore, ka pasur një sërë gjykatash të njëpasnjëshme – duke përfshirë edhe Gjykatën për krimet e luftës, të kryera pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Shembull tjetër ishte dhe Gjykata e krijuar për të ndjekur penalisht disa nga përgjegjësit për gjenocidin në Ruandë, ku ekstremistët Hutu masakruan 800 000 njerëz në 100 ditë në vitin 1994.
Sot, Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë luajnë një rol thelbësor sa i takon rregullave të luftës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
GJND vendos për mosmarrëveshjet midis shteteve, por nuk mund të ndjekë penalisht asnjë individ. Ukraina ka hapur një çështje në GJND kundër Rusisë për pushtimin. Nëse Gjykata do të vendoste kundër Rusisë, detyra e zbatimit të këtij vendimi do t’i takonte Këshillit të Sigurimit të OKB-së (KSB). Mirëpo Rusia – një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit – mund të vërë veton ndaj çdo propozimi, për ta sanksionuar atë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale
Kjo Gjykatë heton dhe ndjek penalisht kriminelët e luftës që nuk janë para gjykatave të shteteve individuale. Konsiderohet një institucion pasardhës i Nuremberg-ut, i cili ndoqi penalisht liderët më të rëndësishëm nazistë, pas vitit 1945.
A mundet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të ndjekë penalisht krimet në Ukrainë?
Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, avokati britanik, Karim Khan, thotë se ka baza të mjaftueshme për të besuar se krimet e luftës janë kryer në Ukrainë – dhe ai ka lejen e 39 shteteve për të hetuar mbi këtë çështje.
Hetuesit do të shqyrtojnë akuzat e së kaluarës dhe ato aktuale – duke shkuar pas deri në vitin 2013, përpara aneksimit të Krimesë nga Rusia. Nëse ka prova kundër individëve, Prokurori do t’u kërkojë gjyqtarëve të GJNP-së, të lëshojnë urdhërarreste për t’i sjellë ata në gjyq – i cili do të mbahet në Hagë. Gjykata nuk ka policinë e saj, por mbështetet në shtetet përkatëse për të arrestuar të dyshuarit. Çështja është se Rusia nuk është më anëtare e Gjykatës, pasi u tërhoq në vitin 2016. Presidenti Putin, në këtë mënyrë, nuk do të ekstradojë asnjë të dyshuar. Nëse një i dyshuar shkon në një vend tjetër, ai mund të arrestohet, çka sigurisht nuk do të ishte aq e lehtë.
A mund të ndiqet penalisht Presidenti Putin ose udhëheqësit e tjerë rus?
Është shumë më e lehtë të identifikosh një krim lufte të kryer nga një ushtar, sesa liderët që urdhërojnë ekzekutimin e këtyre krimeve makabre. Gjithsesi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të ndjekë penalisht edhe për veprën penale: “Kryerja e një lufte agresive”. Kjo akuzë nënkupton se kemi të bëjmë me pushtimin apo konfliktin e pajustifikuar të një vendi.
Mirëpo, profesor Philippe Sands, një ekspert për të drejtën ndërkombëtare në Kolegjin Universitar të Londrës, thekson edhe njëherë faktin se është e vështirë të ndjekësh penalisht liderët e Rusisë, sepse vendi nuk është nënshkrues i Gjykatës. Në teori, siç shpjeguam edhe më lart, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, mund t’i kërkojë Gjykatës Penale të hetojë këtë vepër, por Rusia mund të vërë veton ndaj kësaj, si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit.
Ndaj në një situatë të tillë, për Profesor Philippe Sands, efektiviteti i Gjykatës Penale nuk varet vetëm nga traktatet, por nga politika dhe diplomacia. Sands dhe shumë ekspertë të tjerë, argumentojnë se ashtu siç u bë në Nuremberg, zgjidhja qëndron te diplomacia dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ai u bën thirrje liderëve botërorë që të krijojnë një gjykatë të vetme për të ndjekur penalisht krimin e agresionit dhe pushtimit në Ukrainë.
Marrë nga BBC
Po për SHBA s,ka gjykatë penale? Njësoj janë,pushtuese Amerika në Libi, Siri, Irak Afganistan Tunizi Marok etj.Bile vrau në mënyrë më spektakolare të turpshme Gedafi dhe zuri rob presidentin e Irakut Sadam Huseini dhe i bëri gjyq me njerëzit që zgjodhi vet për t’a varur Sadamin.Kjo është fytyra e vertete e Amerikës.Ju sharlatanë që flisni vetëm për kriminelin Putin,ngrini dhe zërin për kriminelin Amerika dhe vasalët e saj në Europë.S,ka fytyrë Europa as NATO e aq më keq SHBA të nxjerrin broçkulla të tilla.Kudo ku ka grusht shteti është Amerika dhe vendos kukullat e saj.Grusht shteti bëri Amerika në Ukrainë më 2014 dhe vendosi më të korruptuara Julia Timoshenko,e pa që ajo i turpëroi e zboi dhe vuri kllouni hebre që s,ka lidhje me Ukrainën,por bravo i qofte se po lufto me shpir për të mbrojtur Ukrainën nga pushtuesit rusë.Shumë turp për Rusinë që vret vëllezërit dhe motrat fqinjë të Ukrainës