• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, April 13, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Edhe guximi është ngjitës

by Java News
13/12/2025 17:53
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Plarent Ndreca

SPAK mes standardeve të së drejtës dhe tundimit frikësues të statistikave

Në shoqëritë moderne, pushteti nuk matet më me forcën e dhunës fizike apo me censurën e hapur. Ai matet me diçka shumë më të heshtur dhe më efikase: me frikën. Me heshtjen që ajo prodhon. Me vetëpërmbajtjen që imponon. Me deformimin gradual të debatit publik, deri në pikën kur askush nuk është më i sigurt nëse po flet lirshëm apo po peshon pasojat e fjalës së vet. Frika, një ndjesi e padukshme por gjithnjë prezente, i bën zërat të ndalen para se të artikulohen dhe veprimet të paralizohen para se të ndërmerren. Ky është një diktat i ri, jo i ushtruar përmes dhunës së hapur, por përmes një sofistikimi të tillë institucional sa shpesh kalon pa u vënë re. Në këtë arkitekturë frike, prokuroria shihet gjithnjë e më shumë jo si funksion kushtetues, por si instrument presioni publik. Kur suksesi matet me shifra, numër hetimesh, masa sigurimi, emra me rezonancë, drejtësia rrezikon të zhvendoset nga faktet te personat, nga ligji te perceptimi publik. Hetimi nuk lexohet më si proces për zbulimin e së vërtetës, por si sinjal force.

Kjo nuk është një dukuri shqiptare. Është një devijim i njohur institucional, i studiuar dhe i dokumentuar. Për këtë arsye, në çdo demokraci europiane funksionale, prokurori nuk konceptohet si pushtet i pakufizuar, por si funksion publik i lidhur ngushtë me ligjin, proporcionalitetin dhe vetëpërmbajtjen institucionale. Rekomandimi (2000)19 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës është i qartë: prokurorët duhet të ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të paanshme dhe objektive, duke respektuar plotësisht të drejtat e njeriut dhe duke shmangur çdo veprim që cenon prezumimin e pafajësisë. Sipas këtij standardi, të detyrueshëm për vendet që aspirojnë dhe aderojnë në familjen europiane, prokurori nuk është aktor i spektaklit publik. Ai është garant i ligjshmërisë procedurale. Sa herë që kjo vijë kapërcehet, drejtësia pushon së qeni mbrojtje dhe kthehet në instrument.

Historia institucionale e ka provuar këtë pa ekuivok: sa herë që rendi vendoset mbi drejtësinë, padrejtësia institucionalizohet. Edgar Hoover, drejtuesi më jetëgjatë dhe një nga figurat më kontroverse që formësoi FBI-në, e drejtoi institucionin mbi parimin se “Justice is incidental to law and order”. Pas vdekjes së tij, pikërisht kjo filozofi çoi në një krizë të thellë besimi publik dhe detyroi Kongresin Amerikan të ndërhyjë, duke kufizuar fuqinë e institucionit përmes mekanizmave të fortë mbikëqyrjeje. Ishte një korrigjim i vonuar, por i domosdoshëm dhe një paralajmërim që mbetet aktual.

Në Shqipëri, zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK e ka risjellë këtë debat në qendër të vëmendjes publike. Në fjalën e tij, z. Braho deklaroi se “do të drejtohemi drejt standardeve dhe të së drejtës” dhe se, për këtë arsye, kishte zgjedhur shpesh t’i komunikonte personalisht akuzat, për t’u bindur në drejtësinë e vendimit të tij. Kjo deklaratë është për tu përshëndetur dhe nuk është thjesht retorikë ceremoniale. Ajo është angazhim institucional dhe si çdo angazhim institucional, kërkon veprim. Sepse rreziku real për drejtësinë penale sot nuk është mungesa e procedimeve, por deformimi i tyre. Kur hetimi perceptohet si proces ndaj individit dhe jo ndaj veprës penale, ai humbet funksionin e tij themelor. Hetimi që duhet të zbulojë të vërtetën rrezikon të shndërrohet në mjet ndëshkimi publik. Procedimi bëhet dënim paraprak dhe shteti i së drejtës fillon të humb legjitimitetin.

Në këtë rrëshqitje, politika dhe media shpesh luajnë rol përforcues. Heshtja e politikës nga frika apo interesi dhe sensacionalizmi mediatik e ushqejnë logjikën e shifrave dhe të presionit publik. Rezultati është një klimë ku drejtësia gjykohet nga perceptimi, jo nga standardi; nga impakti, jo nga ligjshmëria. Pasojat janë të prekshme. Gjykatat ndjejnë presion. Kontrolli kushtetues dobësohet. Qytetarët ushqehen me imazhin e drejtësisë, por jo me drejtësi reale. Besimi në sistem gërryhet dhe shteti i së drejtës humbet gravitetin e tij moral.

Por historia tregon se frika nuk është kurrë aq ngjitëse sa guximi. Në fjalimin e saj në samitin “Leading Women Defined” në vitin 2022, ish-Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, vuri në dukje se frika përhapet shpejt në shoqëri, por shtoi një të vërtetë po aq themelore: “Courage is contagious”— edhe guximi është ngjitës. Në një shtet të së drejtës, guximi për të thënë të vërtetën dhe vepruar sipas të drejtës është detyrim institucional. Guximi i prokurorit për t’u vetëkufizuar nga standardet. Guximi i politikës për të ushtruar kontroll kushtetues pa frikë. Guximi i gjykatave për të mbrojtur pavarësinë e tyre edhe kur presioni është i fortë.

Mandati i ri i drejtimit të SPAK ka përpara një zgjedhje të qartë dhe të pashmangshme: të ndjekë logjikën frikësuese të statistikave apo të ndërtojë autoritet mbi standarde. Vetëm rruga e dytë është në përputhje me Kushtetutën, me standardet e Këshillit të Europës dhe me vetë deklarimet publike të drejtuesit të ri. Vetëm në këtë mënyrë prokuroria mund të rikthehet në funksionin e saj të vërtetë: jo si burim frike, por si institucion që fiton autoritet duke respektuar standardet që vetë kërkon nga të tjerët.

Next Post
Salianji ironizon pas përplasjes me Nokën e Berishën: Pati ‘protestë’ 4-orëshe ndaj demokratëve të pakënaqur

Salianji ironizon pas përplasjes me Nokën e Berishën: Pati ‘protestë’ 4-orëshe ndaj demokratëve të pakënaqur

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

U ankua se i pikonte tavani, policia bën zbulimin e papritur në shtëpinë e fqinjës

U ankua se i pikonte tavani, policia bën zbulimin e papritur në shtëpinë e fqinjës

April 13, 2026
Tensionet në Hormuz, Irani shpall gatishmërinë maksimale luftarake pas bllokadës së SHBA

Tensionet në Hormuz, Irani shpall gatishmërinë maksimale luftarake pas bllokadës së SHBA

April 13, 2026
Rritja e çmimeve nga konflikti në Lindjen e Mesme, Gjermania ul taksën e karburantit për 2 muaj

Rritja e çmimeve nga konflikti në Lindjen e Mesme, Gjermania ul taksën e karburantit për 2 muaj

April 13, 2026
Ky është 47-vjeçari që humbi jetën në Fier, pasi tentoi të hynte për të vjedhur në një banesë

Ky është 47-vjeçari që humbi jetën në Fier, pasi tentoi të hynte për të vjedhur në një banesë

April 13, 2026
Raportet SHBA–Serbi, Vuçiç i pakënaqur: Prisja më shumë nga Trump! Akuza Shqipërisë e Kosovës!

Ç’po ndodh me shqiptarët në Preshevë? Si po i zbraz komunat Vuçiç dhe çfarë presin nga Tirana

April 13, 2026
SHBA-të bllokadë porteve iraniane, Teherani: Po dëmtohet ekonomia globale

SHBA-të bllokadë porteve iraniane, Teherani: Po dëmtohet ekonomia globale

April 13, 2026
Drejtuesit politik të PS, Andoni: PD në Fier e ka të vështirë! Me kandidimin jashtë liste, Rama i dha një mësim opozitës

“Unë e di si funksionon sistemi”

April 13, 2026
Rama: Opozita shqiptare, një lukuni që funksionon vetëm për të hedhur helm

Rama: Opozita shqiptare, një lukuni që funksionon vetëm për të hedhur helm

April 13, 2026
Pesë arsye pse Viktor Orbán i humbi zgjedhjet dhe çfarë e pret Hungarinë tani

Pesë arsye pse Viktor Orbán i humbi zgjedhjet dhe çfarë e pret Hungarinë tani

April 13, 2026
Retorika VMRO-iste e veshur me Putinizëm, nuk mund të jetë alibi për rebelim të shqiptarëve

Reagim dhe dënim

April 13, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In