I penduari i drejtësisë, 39-vjecari Artan Tafani, rezulton se gjatë arrestimit ka pasur me vete një kartë identiteti greke. Ajo që rëndom quhet “taftotita”, i shërben çdo shtetasi për t’u identifikuar si grek edhe në pikat e kalimit kufitar.
Gjetja e një karte të tillë tek një person me precedentë të rëndë kriminalë, risjell edhe njëherë në vëmendje skandalin e pajisjes me karta të tilla të shumë shtetasve shqiptarë, disa prej tyre të shumëkërkuar deri edhe në Rusi apo të tjerë me precedentë të rëndë kriminalë.
Të tilla karta janë gjetur në përdorim edhe nga Laert Haxhiu, Bledar Jambelli, Marius Diamanti etj. Madje Jambelli ka qenë një nga personat që ka treguar për policinë greke emrin e personit që kryesonte grupin kriminal që furnizonte shqiptarët me këto karta.