Tensionet politike në Kosovë u rritën ndjeshëm në Kosovë të premten pas shpërndarjes së Kuvendit. Këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka sulmuar ashpër presidenten Vjosa Osmani duke e quajtur të “ verbuar për pushtet” dhe akuzuar se po i jep vetes kompetenca që nuk i takojnë.
Ai ngriti pikëpyetje edhe për amendamentet kushtetuese që presidentja propozoi për zgjedhjen e presidentit nga populli, duke thënë se ato u dorëzuan vetëm disa orë para nisjes së seancës për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, nëse ky ishte një propozim për të mirën e republikës, Osmani mund ta kishte bërë shumë më herët gjatë mandatit të saj pesëvjeçar dhe jo në momentet e fundit.
Zulfaj tha gjithashtu se procesi i ndryshimeve kushtetuese nuk do të kishte efekt të menjëhershëm, pasi amendamentet hyjnë në fuqi vetëm pas gjashtë muajsh.
Ai e akuzoi presidenten se, në vend që ta mbyllte mandatin me dinjitet, zgjodhi të ndërmarrë një veprim që sipas tij përbën shkelje të Kushtetutës dhe sulm ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pas pesë vitesh që Vetëvendosje i dha rastin të shërbejë në pozitën më të lartë të shtetit, ajo si akt të fundit zgjodhi shkeljen e Kushtetutës. Trashëgimi e pandershme”, shkroi ai.











