23 -vjeçari i arrestuar ditën e djeshme nga autoritetet greke për vrasjen e 40 vjeçarit, Pëllumb Islami të ndodhur në 21 shkurt, rezulton të jetë person me precedentë të mëparshëm kriminalë.
I riu shqiptar përdor dy emra “Dhimitri” dhe “Nektarios”. Mësohet se rezulton të jetë me precedentë të mëparshëm penalë për “vrasje nga pakujdesia”, “gjobvënie”, “shkatërrim prone”, “kanosje me armë zjarri”, “pranim dhe mbajtje të produkteve të veprës penale”, “vjedhje në bashkëpunim”, “vjedhje e mbetur në tentativë”.
Urdhri i arrestit ndaj tij për vrasjen e Pëllumb Islamit, me profesion hidraulik, ishte lëshuar që në datën 3 mars. Dyshohet se i arrestuari, ishte pjesë e grupit kriminal ‘L’, të cilët qëlluan me breshëri plumbash para lokalit ku ndodhi vrasja e Islamit dhe më pas u larguan me një ‘Jeep’ të zi.
Kujtojmë se hidrauliku shqiptar Pëllumb Islami, 39 vjeç nga Delvina u vra në Athinë pas plumbave të shkrehur nga anëtarët e grupit famëkeqe të quajtur ‘Team L’, që kontrollojnë prostitucionin dhe trafikun e drogës në kryeqytetin grek.
Sipas mediave greke Erlis Salaj është kreu i bandës së shqiptarëve të ‘Team L’. Pëllumb Islami 39 vjeç ishte duke parë ndeshjen në një lokal në Athinë, kur e kapën plumbat e shkrehur mes 7 shqiptarëve që u përfshinë në një debat ende pa u ulur në tavolinë dhe më pas kanë dalë jashtë dhe kanë shkrehur armët. Në kërkim për ngjarjen e rëndë janë edhe 6 anëtarë të grupit mafioz, njëri prej të cilëve dyshohet se është arratisur për në Shqipëri.
/s.f