Një bebe vetëm trejavëshe është lënë pa nënë me vendim të gjykatës së Tiranës… Diana Bahçja, 27-vjeçe nga fshati Drisht i Shkodrës, u bë nënë për herë të dytë në jetën e saj në 25 shkurt të këtij viti. Por, teksa ishte duke u kujdesur për fëmijën në djep, tetë ditë pasi e solli në jetë, në banesën e bashkëshortit të saj, Nazmiut, mbërrin një vendim gjykate, i cili e dënonte nënën lehonë me 1 muaj e 20 ditë burg…
Bashkëshorti i Dianës e denoncoi për mediat të martën ngjarjen tronditëse, duke treguar sesi bashkëshortja është dërguar në burg, vetëm tetë ditë pasi ka sjellë në jetë një fëmijë.
Por si qëndron historia dramatike e nënës Diana Bahçja?
Por, ish-bashkëshorti nuk është ndalur vetëm me dhunën ndaj Dianës, por e ka kallëzuar atë edhe për braktisje të fëmijës. Ndaj, në vitin 2020, Diana është gjobitur nga gjykata me 250 mijë lekë, ndërsa siç tregon vetë Diana, për këtë vendim nuk ishte vënë kurrë në dijeni nga gjykata.
E teksa një sërë institucionesh duket se nuk kanë zbatuar ligjin, dy vjet pasi nuk është ekzekutuar gjoba, gjykata me kërkesë të prokurorisë, gjobën e ka konvertuar në dënim me 1 muaj e 20 ditë burg. Edhe për këtë vendim, i cili është marrë në 13 qershor 2022, kohë kur Diana ka qenë në fillimet e shtatzanisë së dytë, ajo dhe bashkëshorti i saj aktual nuk janë vënë në dijeni.
Tetë ditë pasi ka sjellë fëmijën në jetë, polici i zonës në Drisht, ka shkuar në banesën e familjes Bahçja duke i kërkuar nënës lehonë të paraqitej në komisariat për të firmosur disa shkresa, por pa i thënë që ajo do të shkonte në burg. Bashkëshorti i Dianës, Nazmiu tregon se pasi u paraqitën në polici, edhe pse refuzuan firmosjen e shkresave, bashkëshortja e tij nuk u kthye më në banesë, por u mor në burg.
Familja Bahçja e cila jeton në kushte të vështira ekonomike, tashmë duhet të përballet edhe me burgosjen e nuses së shtëpisë, e cila ka lënë pas një fëmijë pa gji e pa ngrohtësi të nënës…
Vjehrri dhe vjehrra e Dianës, të cilat janë të moshuar dhe të sëmurë, me lot në sy, e cilësojnë arrestimin e nuses së djalit të tyre si krim që nuk ndodh askund.
Kjo bebe e porsalindur, ka gjetur përkujdesje nga mbesa 11-vjeçare e bashkëshortit të Dianës, e cila tregon se pas arrestimit të Dianës, ka braktisur shkollën për të mbajtur foshnjën e të afërmes së saj…
Ky vendim i marrë nga Gjykata e Tiranës, duket se është ekzekutuar në shkelje të Kodit Penal.
Sipas nenit 34, paragrafi i fundit i Kodit Penal, përcaktohet qartë se nëse kur e dënuara është shtatëzanë apo me fëmijë nën 1 vjeç, dënimi shtyhet derisa fëmija të bëhet një vjeç.
Diana Bahçja është një nënë lehone, e parrezikshme për komunitetin, por është e pashpjegueshme pse është nxituar drejtësia të burgos një 27-vjeçare, kur në kushtet e saj mund të jepeshin masa lehtësuese, të parashikuara në ligj.
Tashmë mbetet në dorën e presidentit të aplikojë faljen për Dianën, si dhe të institucioneve përgjegjëse, të hetojnë shkeljet e mundshme procedurale dhe ligjore në dënimin e një nëne, që nuk paraqet rrezik për komunitetin.
Kjo është historia e Diana Bahçjes treguar për Syri.tv, e cila për herë të dytë “braktis” foshnjet e saj. Herën e parë për shkak të dhunës nga ish-bashkëshorti dhe herën e dytë nga drejtësia… Në të dyja rastet, jo për faj të Dianës…