Kryetarja e re e parlamentit, Lindita Nikolla shprehet se do të hapë “një faqe të re në kuvend”, pasi do të përpiqet të shmangë tensionet dhe mosmarrëveshjet mes deputetëve gjatë seancave.
Në vitin 2016, kur reforma në arsim përjashtoi nga e drejta për shkollë të lartë shumë studentë, ish-kryeministrin Sali Berisha fajësoi Nikollën, atëherë ministre Arsimi dhe madje nuk kurseu as ofendimet për të.
“Edi Rama bashkë me këtë ndrikullën këtu janë përgjegjëse për situatën”, tha atëherë ish-kryeministri me ironi.
E ftuar në Top Talk, në intervistën e parë si kryeparlamentare, Nikolla premtoi se do të anashkalojë konfliktet e së shkuarës dhe do të punojë për “të ndryshuar faqen në kuvend”, duke iu referuar kështu të gjitha momenteve të debateve, tensioneve e madje përplasjeve fizike që ligjvënësit kanë pasur ndër vite në sallën e kuvendit.
“Nuk jam ndjerë mirë teksa i kam dëgjuar, lëndojnë këdo, por më vonë jam ulur e kam diskutuar krah Berishës për ligjin e Arsimit të Lartë….
Jam e vendosur për të kthyer faqen, në kuptim e mirë të fjalës, për të sjellë më shumë etikë, më shumë dialog, komunikim në sallën e parlamentit, që kur njerëzit ta shohin, të shohin një refleksion të një debati qytetar dhe të shëndetshëm për ligje të mira dhe të drejta”.
Po ashtu, Nikolla tregon “për një dy gjeste jo të hijshme” që kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë gjatë kohës që ajo fliste si kryetare gjatë seancës plenare, por thotë se beson “që këto momente do të tejkalohen.
/m.j











