Shqipëria mikpret sot Samitin e Komunitetit Europian, ndërsa liderët e Europës kanë mbërritur në Tiranë. Ata u pritën nga kryeministri Edi Rama para “Shtëpisë së Europës”, në Sheshin Skënderbej.
Nga kryeqyteti shqiptar, liderët europianë dhanë mesazhe të qarta sa i përket qëndrimit ndaj Rusisë. Ata theksuan se do të shtohet presioni ndaj Moskës për të arritur një marrëveshje paqeje, ndërsa konfirmuan vijimin e mbështetjes për Ukrainën.
Pas pritjes nga Rama, liderët europianë iu drejtuan Teatrit të Operas, ku u zhvillua edhe ceremonia e mirëseardhjes, me performanca ku u ndërthurën elementë të historisë, kulturës dhe folklorit shqiptar. Në fund ishte edhe një përshëndetje speciale që shkaktoi të qeshura, ku përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, liderët e pranishëm u sollën në imazhin e një fëmijë, duke përshëndetur në gjuhën e tyre.
Në këtë Samit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian marrin pjesë udhëheqësit e 47 vendeve të botës (BE-së, NATO-s dhe Mbretëria e Bashkuar), duke e kthyer kështu Shqipërinë në kryeqendrën e Evropës. Samiti do të bashkëdrejtohet nga Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
Agjenda e Samitit ka parashikuar 3 tryeza të rrumbullakëta, fokusi i të cilave do të jetë rritja e konkurrencës dhe sigurisë evropiane përmes inovacionit dhe qëndrueshmërisë, si dhe “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”. Udhëheqësit do të mblidhen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Evropës.
N dërkohë, Presidenti francez Emmanuel Macon, do të zhvillojë edhe një një vizitë dypalëshe në Shqipëri të shtunën (17 maj), një vit e gjysmë pas vizitës së tetorit 2023, e para e bërë ndonjëherë nga një president francez në vend.
Sipas agjendës, seanca e dytë është planifikuar në orën 17:30. Në orën 18:30 do të mbahet edhe konferenca e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe homologen daneze, Mette Frederiksen, si mikpritësja e radhës e Samitit.
Presidenti francez Macron mbërrin në Tiranë me bashkëshorten e tij

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mbërritur në Tiranë, ku do të marrë pjesë në punimet e Samitit të Komunitetit Politik Evropian. Presidenti Macron u prit në Rinas mesditën e kësaj të premteje, nga zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrat Pirro Vengu dhe Mirela Kumbaro. Ai do i bashkohet 46 liderëve të tjerë nga bota në “Shtëpinë e Europës”.
Erdogan mbërrin në Tiranë për samitin, pritet nga Rama

Në samitin që po mbahet në Tiranë ka mbërritur edhe presidenti turk Reccep Tayip Erdogan, i cili është pritur nga kryeministri Edi Rama.
Erdogan ka shprehur për mediat se ka ardhur “të takojë vëllain shqiptar”, teksa do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Tiranë.
Meloni: Marrëveshja për emigrantët në rrugën e duhur. Armëpushim i pakushtëzuar për Ukrainë-Rusi

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar Samitit të Komunitetit Politik Europian.
Në një fjalë të shkurtër për media, Meloni vuri theksin te armëpushimi i pakushtëzuar mes Rusisë e Ukrainës, dhe te marrëveshja serioze në të cilën garantohet siguri ndaj Kievit.
Kryeministrja italiane u pyet edhe për marrëveshjen e emigrantëve, duke thënë se puna vijon normalisht çka sipas saj, është tregues se gjithçka është në rrugën e duhur.
Kryeministri lituanez: Rusia nuk po tregon seriozitet në negociatat për paqe me Ukrainën

Kryeministri lituanez Paluckas Gintautas deklaroi në prag të samitit të Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Tiranë se Rusia nuk po tregon seriozitet në negociatat për paqe me palën ukrainase, ndaj duhet rritur presioni ndaj Kremlinit. Gintautas iu referua takimit të së premtes në Stamboll dhe faktit që Moska zyrtare dërgoi një delegacion të nivelit të ulët për bisedimet dypalëshe. Kryeministri lituanez i dërgoi një mesazh edhe presidentit amerikan Donald Trump.
“Unë shpresoj që administrata e re e Shteteve të Bashkuara do të kthehet në realitet dhe të kuptojë se Rusia dhe Putini nuk ka për t’u futur në asnjë lloj negociate,” u shpreh Gintautas për gazetarët para fillimit të samitit.
Von der Leyen: Do të rrisim trysninë ndaj Rusisë, po punojmë për një paketë sanksionesh

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka theksuar se BE do të rrisë trysninë ndaj Rusisë. E pranishme në Tiranë, në kuadër të Samitit të Komunitetit Europian, Von der Leyen tha se Rusia nuk po tregohet serioze me bisedimet e paqes, duke iu referuar takimit të planifikuar në Stamboll mes Moskës dhe Kievit. Presidentja e Komisionit Europian tha se BE po përgatitet edhe një paketë sanksionesh, teksa theksoi se Unioni nuk do të tërhiqet deri në arritjen e paqes.
Starmer nga Tirana: Putin nuk e do paqen, aleatët të jenë të unifikuar në përgjigjen ndaj Rusisë

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se BE dhe aleatët duhet të jenë të bashkuar lidhur me sanksionet ndaj Rusisë në mënyrë që të arrihet një armëpushim.
Nga Tirana ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Starmer tha se Putin nuk do paqe dhe se aleatët duhet të jenë të bashkuar, në të kundërt, shtoi ai, nuk do ketë paqe.
“Putini nuk është serioz për paqen. Është e rëndësishme që ne të kemi unitet absolut me aleatët tanë dhe do e diskutojmë dhe sot. Nëse nuk veprojmë së bashku për sanksionet nuk do ketë armëpushim. Edhe sot do të punojmë me kolegët dhe të tregojmë se jemi të bashkuar për t’iu përgjigjur Rusisë, ku në diskutime do të jetë edhe Zelensky”, tha Starmer.
Starmer ndodhet prej ditës së djeshme në Tiranë, pasi zhvilloi takime me krerët e shtetit, si dhe u firmosën marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Osmani: Bllokadë totale nga BE për Kosovën, po i hapen dyert atyre që shkojnë në Moskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Europian. Pas shtrëngimit të duarve e fotos me kryeministrin Edi Rama, Osmani ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për të cilin u shpreh se nuk vlerëson as punën dhe as reformat e ndërmarra nga Kosova. Ajo u shpreh se ndonëse Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë me Bashkimin Evropian, sërish po përkrahen vende të cilat shkojnë në Moskë. Ky, theksoi Osmani, është mesazh i keq për rajonin.
“Jemi të linjëzuar me politikën e jashtme e të sigurisë në BE, por ka bllokadë totale nga ana e BE, nuk vlerësohet puna jonë, reformat tona, nuk vlerësohet fakti që jemi 100% me politikat e tyre, qoftë këtu edhe sanksionet ndaj Rusisë”, tha Osmani.
Samiti Politik- Vuçiq: Do kemi sfida ekonomike, besoj do i kalojmë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka shtrënguar duart me kryeministrin Edi Rama përpara “Shtëpisë së Europës”, për t’iu bashkuar më pas Samitit të Komunitetit Politik Europian. Në një fjalë të shkurtër për media, Vuçiq bëri me dije se ka zhvilluar bisedime me liderë të Bashkimit Evropian, ndërsa nuk bëri me dije çështjet konkrete në të cilat janë fokusuar.
“Kemi pasur bisedime me liderët e BE. Mundësi e mirë për të ecur para për të gjithë ne. Mendojmë se ka një mundësi për të gjithë ne që të punojmë më të përkushtuar dhe të arrijmë disa rezultate. Do të kemi shumë sfida ekonomike dhe sfida të tjera, por besoj që do t’i kalojmë”, deklaroi Vuçiq.
Kancelari gjerman viziton Tiranën për herë të parë, pritet nga Rama

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbërritur në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që po zhvillohet për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.
Ai u prit nga kryeministri Edi Rama, së bashku me 46 liderë të tjerë botërorë që marrin pjesë në këtë samit. Vizita e Merz në Shqipëri është një sinjal i qartë për mbështetjen e Gjermanisë ndaj integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Kalas: Shqipëria po bën progres me reformat, i takon BE-së të bëjë hapat e duhur

Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas vlerësoi punën që Shqipëria ka bërë me reformat për integrimin, ndërsa shtoi se “është në anën e BE për të vijuar me hapat e duhur”.
Nga Tirana ku merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, ajo tha se integrimi i Ballkanit në BE ka rëndësi gjeopolitike.
“Shqipëria po bën progres të shkëlqyer për reformat dhe tashmë është në anë tonë për të bërë hapat e duhur. Ju duhet të bëni reformat, por ka një moment politik ku të gjithë dua që procesi i zgjerimit të ndodh dhe nuk ka qenë më parë. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për BE për shkak të rëndësisë ekonomike dhe gjeopolitike”, tha Kalas.
Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Kalas u shpreh se është emëruar përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për të rinisur dialogun mes dy vendeve që do i shërbejë uljes së tensioneve. Temë diskutimi ishte edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, ku kryediplomatja e BE-së tha se po miratojnë një pakët të re sanksionesh për Moskën që synojnë sektorin e energjisë. Sa i përket bisedimeve për paqen në Ukrainë të ndërmjetësuara nga SHBA, Kalas tha se ka “dy muaj që shihet që Rusia bëj lojëra dhe nuk do paqe”.
Rutte: Putin të bëhet serioz, trysnia është mbi të

Kreu i NATO-s, Mark Rutte i është bashkuar liderëve të tjerë që janë pritur nga Kryeministri Edi Rama përpara “Shtëpisë së Europës”. Në një deklaratë para mediave, Rutte u ndal te lufta Rusi-Ukrainë dhe dërgimi i një delegacioni i nivelit të ulët në Turqi nga ana e Putin, për bisedime me Kievin.
Për këtë të fundit, Rutte u shpreh se ishte një gabim i madh nga ana e presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa i dha dhe një mesazh se tashmë duhet të jetë serioz për të gjetur një rrugë për arritjen e paqes.
“Çdo pjesë e territorit ukrainas duhet të jetë aty. Pres me padurim të takohem me ministrat e jashtëm në Tiranë.
Putin bëri gabim që dërgoi një delegacion të nivelit të ulët. Në fakt topi është në fushën e tij. Ai duhet të luajë, të jetë serioz për të gjetur paqe dhe gjithë trysnia është mbi të.
Që kur kam qenë kryeministër i Holandës e njoh shumë mirë Putin. Është gjë shumë e mirë që Ukrainasit kanë ardhur në tryezë dhe ka dërguar delegacion mjaft të prirë për të negociuar paqen. Jam shumë i lumtur për rolin që po luan SHBA dhe rolin e Trump për të zhbllokuar këtë situatë”, deklaroi Rutte.