Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tashmë ka marrë një detyrë të re, atë të zëvendëspresidentes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e para shqiptare që zgjidhet në një post të tillë të rëndësishëm.
Përmes një lidhjeje skype ajo është bërë pjesë e emisionit ‘Kjo javë’ në ‘News24’ ndërsa tregoi impresionet e kësaj detyre të rëndësishme, si dhe faktin se kishte marrë urime si nga të majtët dhe të djathtët
“Falënderoj ata që më propozuan dhe më zgjodhën. Ishte një surprizë dhe për mua. Diku në vitet 80-90 zonja Pelozi ka qenë nënkryetare e delegacionit amerikan dhe presidentit të Asamblesë. Ajo personalisht, i dërgoi një letër të vendeve anëtarë të NATO-s ku propozonte kolegun e saj. Është nder për mua dyfish, për këtë pozicion që një shqiptare mban. Asambleja e NATO-s është një parlament i madh që përbehet nga deputetë që janë pjesë e parlamentarëve, pjesë respektive e vendeve aleate. Nuk kisha ndonjë surprize të them të drejtën për urimet. Unë në përgjithësi kam raporte të mira humane me njerëzit e politikës, si majtas dhe djathtas. Ka disa njerëz me të cilët ndaj opinione dhe debatoj dhe kam kontakte më të shpeshta. Skam pasur surpriza. Pa fund njerëz më uruan djathtas. Njerëz që sot janë brenda në parlament dhe ata që janë jashtë. Njerëz të PD dhe shumë të tjerë.”, tha ajo.
Po ashtu ajo u ndal dhe tek perspektivat e Kosvoës për t’u bërë pjesë e NATO-s. “Kosova ka disa detyra të mira të përcaktuara. Hapat e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, drejt Forcës së Armatosur, janë të përcaktuara, të shkruajtura e zeza mbi të bardhë. Shqipëria ka qenë mbështetëse. Kjo shoqërohet dhe me zhvillimet politike në rajon dhe jo vetëm. Pengesa politike, mosnjohja nga disa vende dhe nga vende të NATO-s, nuk e thjeshton këtë proces. Por kjo nuk do të thotë që s’do të vijë dita që Kosova të jetë anëtare me të drejtat e plota në NATO.”, tha Kodheli.