Versioni i dytë mbi mënyrën se si u eliminua Ali Khamenei dhe rrethi i tij i ngushtë vjen nga Financial Times. Një rrëfim i detajuar, por i shoqëruar me rezervat e zakonshme: Shërbimet sekrete rrallë zbulojnë plotësisht mekanizmat e një operacioni të suksesshëm.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta britanike, eliminimi i liderit iranian ishte rezultat i kombinimit mes teknologjisë dhe faktorit njerëzor, dy elementë thelbësorë në operacione të këtij niveli.
Kamerat e hakeruara dhe gjurmimi i lëvizjeve
Në këtë mënyrë janë rindërtuar lëvizjet e gjeneralëve, oraret dhe rutinat, duke krijuar një hartë të saktë të aktivitetit të përditshëm. Momenti i goditjes është zgjedhur kur në kompleks zhvilloheshin takime me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë. “E njohim Teheranin si Jerusalemin”, kanë deklaruar burime izraelite për gazetën.
Telefonat “të zënë” dhe paraliza e komunikimeve
Paralelisht, Izraeli ka ndërhyrë në rrjetin telefonik, duke përdorur një sistem që i mbante linjat vazhdimisht “të zëna”. Kjo ka vështirësuar komunikimin mes strukturave të sigurisë iraniane.
Rreziku i një sulmi ishte i pritshëm. Në konfliktin e qershorit, ushtria izraelite kishte depërtuar mbrojtjen iraniane duke eliminuar disa figura kyçe. Megjithatë, alarmi nuk ka funksionuar si duhet dhe regjimi është gjetur sërish i pambrojtur.
Roli vendimtar i CIA-s
Sipas rrëfimit, operacioni është finalizuar falë një informacioni të drejtpërdrejtë nga CIA. Një burim në terren ka konfirmuar praninë e Khameneit në kompleks dhe faktin që ai nuk ishte zhvendosur në bunkerin më të thellë në momentin e sulmit.
Pas sinjalit, avionët izraelitë F-15 kanë lëshuar 30 raketa “Black Sparrow” me rreze veprimi deri në 2 mijë kilometra. Goditjet kanë shkatërruar një pjesë të kompleksit qeveritar dhe kanë vrarë Khamenein, bashkëpunëtorët dhe truprojat e tij.
Një fushatë e nisur prej vitesh
Sipas Financial Times, operacioni është kulmi i një strategjie depërtimi që ka nisur që në fillim të viteve 2000, e konceptuar nga ish-shefi i Mossad, Meir Dagan, me urdhër të kryeministrit të atëhershëm Ariel Sharon.
Rrjeti i agjentëve lokalë, sipas kësaj narrative, ka bërë të mundur atentate të synuara ndaj shkencëtarëve, sabotime në impiante dhe madje vjedhjen e arkivit bërthamor iranian.
Verën e kaluar janë realizuar sulme të tjera pas vijave të frontit për të shkatërruar bateri raketore dhe objektiva ushtarake me raketa të modifikuara për operacionin.
“Ushtria e padukshme” dhe lufta e informacionit
Sipas televizionit Al Arabiya, kjo “ushtri e padukshme” ka vepruar paralelisht me bombardimet ajrore.
Nuk përjashtohet që faza e re e ofensivës së shpallur nga Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu të përfshijë më shumë qeliza të armatosura të përbëra nga kundërshtarë të brendshëm të regjimit. Pasdaranët kanë shtuar kontrollet dhe operacionet kundërspiunazhe.
Në situata të tilla, propaganda është pjesë e betejës. Përveç armëve, përdoren edhe “zbulime” dhe versione të ndryshme për të krijuar mjegull informuese. Një shembull është vrasja e Ismail Haniyeh në Teheran në korrik 2024: Versionet varionin nga bombë në apartament, në raketë ajrore apo predhë e lëshuar nga një kodër pranë zonës.
Në këtë fazë, shumë detaje mbeten të pakonfirmuara. Si në çdo konflikt të madh, e vërteta operacionale shpesh qëndron mes informacioneve zyrtare, rrjedhjeve selektive dhe luftës së narrativave.











