Denalda Çezma dhe Shkëlqim Koçeku kanë dalë këtë të martë para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ata u arrestuan 4 ditë më parë nga policia e Tiranë pasi akuzohen se morën peng dhe dhunuan fizikisht 31-vjeçarin Ermil Sorra.
Shkak për këtë ngjarje u bë një borxh që 37-vjeçarja Çezma i kishte të riut Sorra. Burime për gazetarin e Klan News, Besaj Bajraktaraj, bëjnë të ditur se Denalda Çezma i kishte 31-vjeçarit plot 30 mijë euro borxh, të cilat nuk ia kthente. Ai mësohet se ia kërkonte paratë herë pas here. Në këto kushte, 37-vjeçarja kërkoi ndihmën e shokëve të saj, 37-vjeçarit Shkëlqim Koçeku dhe 30-vjeçarit Sulltan Piraci. Ky i fundit nuk është arrestuar ende nga policia dhe vijon të jetë në kërkim.
Sipas policisë, treshja e mori Sorrën në Kashar e më pas e dërguan në shtëpinë e 37-vjeçares ku e mbajtën peng për disa orë. Gjithçka u përmbyll me arrestimin e dyshes që përballen me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë.
/a.r











