Nga Ben Andoni
Veprimi i pafundmë i personazhit të Kafkës te Portat e Ligjit mund të jetë shpjeguesi më i mirë për simbolikën e Reformës së Drejtësisë në vendin tonë. Në fund pret gjithnjë edhe një portë tjetër, e tjetër, e kështu me radhë…
Por, të kthehemi me këmbët në tokë. Akti i fundit sa i përket zhvillimit të Reformës në Drejtësi lidhet me Komisionin e Venecias. Të dy palët kundërshtare historike të politikës kumtuan të njëjtën gjë: propozimet e tyre shkuan me atë që rrodhi nga sugjerimet e Venecias!!! Bashkë me ironinë, gjëja që të shkon ndërmend, është se: nëse paska pasur kaq mundësi njëjtësimi pse nuk ndodhi e gjitha para kaq shumë muajve dhe Reforma u zvarrit kaq shumë? Në fakt, edhe për këtë politikanët e kanë një përgjigje dhe ajo ka të bëjë me shumatoren e aktorëve që morën pjesë!
Tani që më në fund duket se është ‘gjetur’ gjuha për këtë reformë, pyetja që mbetet është e thjeshtë: cili do e zbatojë në terren? A nuk ishin në tryeza sërish protagonistë, njerëzit me orët e shtrenjta, beneficet, apo pronarët e shumëpërfolur të shtëpive luksoze dhe pasurive të frikshme! A do ketë mekanizëm t’i përjashtojë ata nga sistemi me ato tentakula, ku janë shtrirë? A nuk kemi pasur vallë përballë prej vitesh kryeprokurorë që ngrohin poltrona dhe bëjnë ndonjë deklaratë apo ndonjë arrest sa për të bërë zhurmë dhe që gjithçka mbyllet më shpejt sesa fillon? Një ‘Po’ mjafton.
Për hir të së vërtetës, ajo që të mëdyshon realisht në këtë reformë është se sugjerimet bazë janë ato të dy kampeve politike, çka do të thotë se Komisioni i Venecias thjesht ka ‘çertifikuar”, duke lënë hapësirat e nevojshme për reflektim. Kjo edhe po ua mbyll pak gojën njerëzve, edhe për faktin se në terren vepron angazhimi total i ambasadorëve, që si pak herë deri më tani e kanë investuar reputacionin e tyre dhe të vendit që përfaqësojnë direkt në provë me reformën. Kurse vetë tollovia e reformës dhe zgëqet e saj i kanë bërë specialistët vendas ta mbajnë të mbyllur gojën dhe indirekt të sugjerojnë se mungon reforma e vërtetë, e më të guximshmit bëjnë të zakonshmen duke thënë: po bëhet thjesht një kinse reformë! Sikur të mos mjaftojë e gjitha, edhe vetë Venecia, si institucion, që ruan shumë prestigj ndaj politikanëve shqiptarë duket se e ka humbur kredibilitetin kur mbështeti këtë Kushtetutë, e cila tashmë kërkohet ta ridimensionojmë në një formë tjetër.
Specialistët që e lexojnë qartë reformën shohin ende shumë pika të dobëta, që tek komplikimi i strukturave të saj, problemet me Kushtetutën, penalizimet e ngatërruara të gjykatësve Kushtetues, rolin e Ministrit të Drejtësisë, funksionimin dhe zgjedhjen e Kryeprokurorit etj.
I ngjan një problemi matematikor me shumë ndryshore dhe kjo i bën njerëzit që kanë marrë pjesë në tryeza debati që pas sugjerimeve duket se nuk duan të humbasin më energji në zgjidhjen e formulave pakuptim. Ata më shumë dëgjojnë tani aktorët politikë dhe verdiktin e të huajve, që tek e fundit vazhdojnë të na theksojnë se: ata e mbështesin dhe Shqipëria duhet të fillojë të çojë në burg gjykatës. Sërish, pyetja mbetet, cilët vallë do e shqyrtojnë realisht vënien në zbatim të reformës?
Ndërkohë përsërisim më e hidhur mbetet mënyra sesi po përdoren ambasadorët dhe kënaqësia e tyre për t’u na afruar si shpëtimtarë. Një rol që në dekada, regjime dhe në qeveri të ndryshme e kanë pasur dhe paraardhësit e tyre, duke na afruar shpesh qorrsokake. Kjo eksperiencë, së fundi, nis me Kushtetutën, e cila është arnuar aq shpesh dhe është aq e parespektuar fillimisht prej vetë autoriteteve, saqë e pengon realisht edhe vetë reformën. Retrospektiva me të është e hidhur: një paketë kushtetuese e vitit 1991, Kushtetutë më 1994-ës, e hedhur poshtë me referendum dhe Kushtetuta e vitit 1998….
Kjo të çon në pyetjen: Vallë, a do mundohen realisht vëzhguesit e huaj të orientohen në xhunglën shqiptare, kur të vijë puna të merren në terren me njerëzit e Ligjit. Me sa duket, të huajt, do kenë rolin kryesor në këtë reformë, që megjithë sugjerimet e Komisionit të Venecias, nuk ka ende garanci dhe siguri juridike për vetë këta që do vlerësojnë gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë. Pasi nuk kuptohet ende sesa do jetë vetë i pavarur Komisioni i Kualifikimit, që do vendosë, i cili duhet të zgjidhet me nevojën e shumicës parlamentare, që është një proces shpesh gati i pamundur në Parlament. Po a do jetë e mundur që vetë gjyqtarët dhe prokurorët të ankimojnë, vendimet kundër tyre? Dhe më keq akoma, po ata që do të eliminohen dhe ndërkohë kanë marrë vendime të padrejta, me pasoja katastrofike jo rrallë, në këto vite, si do t’u bëhet pësuesve (lexo viktimave të tyre)?
Në një farë mënyre duket se situata është gati për shkopinjtë poshtë rrotave prej të dy palëve të politikës, që u pëlqen shumë tollovia dhe situata të tilla. Por edhe kanë një “të drejtë”. Të mjafton të kujtosh EURALIUS-in (Misionin e Asistencës Evropiane në Sistemin Juridik shqiptar), që vepron pa efikasitet prej gati 20 vjetësh. Thjesht arnimet, që janë bërë dhe këto edhe me sugjerimet e tyre në Kodet e Shqipërisë qoftë civil apo penal, janë aq të shpeshta, sa edhe vetë juristët ngatërrohen. Dhe, kur futet dhe politika me ndryshimet e saj gjendja shpesh bëhet tragji-komedi. Kurse EURALIUS-i që mund t’i frenonte para se ato të aprovoheshin ka qenë pothuaj pasiv.
Ndaj në këtë kakofoni zërash, do duhej një zë i qartë ta qepë të gjithë draftin, por edhe të presim se cilët do jenë ata idealistët që do e zbatojnë?! Deri më tani, idealistët ende s’duken në Shqipëri, pasi koha është ende e juristëve me makina dhe orët e rënda që i frikësojnë ambasadorët! Të paktit, që duan të ndryshojnë një mekanizëm gjigand korrupsioni, u dëgjohet shumë pak zëri, por edhe kur arrijnë të kumtojnë diçka, i fusin në të njëjtin matrikull me të parët. Sërish pra, cilët vallë do e vënë drejtësinë në vendin tim?! Kafka e ka një përgjigje, sërish do gjesh një portë të pahapshme para…(G.Sh)