• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 5, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

E  mërkura e 20 shkurtit

by Aalison Pearse Stevens
20/02/2016 13:37
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga  Naun  Kule 

                                                                                        Mbresa

                                                      “Plaç  moj  ditë  e  zezë, moj  ditë  e  mërkurrë,

                                                         Na rrëmbeve  Zeqon  burrin deli  burrë…!”

                                                                                                                        D.Agolli

Dritëroi profet, e paska ditur  të zezën e së mërkurrës. Kot i trembeshim të martës e të premtes. Se ja, e mërkurra e zezë e Dritëroit, erdhi  edhe këtë vit (1991-shin). Erdhi   dhe mori me vete një   tjetër burrë, më burrë nga Zequa i Dritëroit…Kjo ishte e mërkurra e 20 shkurtit, të këtij viti kaq të trazuar sa zhburrëroi  burrat dhe trimëroi  anonimët…!

…………………….

          Pikërisht këtë të mërkurrë, ia kisha taksur familjes. Nëna dhe motra erdhën  të takonin nipin ushtar diku mbi Kinostudio.

Gjeta një makinë sa i çova pasi shoferët e autobuzëve ishin në grevë. I lashë atje dhe u ktheva me ngut në zyrë. Do flisja në mbledhjen e orës trembëdhjetë dhe duhej të hidhja ca rreshta në letër.

  Kur iu afrova selisë së komitetit të partisë të Tiranës, (selia e PS, sot),

 mbajta këmbët. Para hyrjes dhe përanash zyrave tona, gardh me policë, gardistë e sambistë të armatosur me mburoja e helmeta, me skafandra dhe qen policie…Mbajta frymën. Mos kanë sulmuar zyrat? Apo Bankën e shtetit? Të gjitha priteshin. Në Shkodër edhe i kishin djegur. Njerëzit hynin e dilnin me ngut, të heshtur dhe enigmatikë. Edhe kur i pyesje, ngrinin supet dhe iknin tutje. Iknin kot e kot, kuturu, pa e ditur për ku dhe përse…

  Mbledhja ishte anulluar. Përse? Askush s’e thoshte. Alarmi shihej në çdo fytyrë. Nga dera e pasme e selisë doli ministri i brëndshëm. Përshëndeti gardistët duke iu rënë shpatullave (i merrte me të mirë apo u kërkonte ndjesë?), dhe rendi me ngut, i ndjekur nga një dyzinë djemësh-roje. Tek hynte në makinë, paksa i krrusur, dukej sikur nuk ecte por rrokullisej nën kokën e madhe, varur e fshehur me shapkën alla Lenin e cila, ia mbulonte qafën e shkurtër dhe zverkun e dhjamur.        Po kapërxente mesdita. Nga rruga e Elbasanit dëgjoheshin të shtëna. Thuhej se turma të mëdha, mbledhur gjatë natës në qytetin “Studenti” po zbresin drejt qëndrës. Mos do sulmojnë Radiotelevizionin…?

 Ç’nuk po dëgjonim!

Shikoj që policët dhe sambistët prapa Bankës, ngritën skafandrat si të gatitur për sulm. Njerëzit shohin me frikë dhe pyesin nën zë;

-Çfarë po ndodh? Kë do sulmojnë? Kush do sulmoj…?!

  Mes zyrave tona dhe Bankës  hesht si në një  pritë gjakndjellëse, një makinë luftarake-autobot, mbushur me ujë dhe një mitroloz i ngrehur mbi të. Ne vërtitemi mes mëdyshjes; të futemi ndër zyra apo të rrimë në oborr…Apo t’ia mbathim…? Ç’të bëjmë de? Se ne jemi nëpunës,…pyesnim shefat edhe kur shkojmë për kafe. Po sot? As shef, as titullarë, as…-Lërini zyrat sot…Dilni në shesh e qetësojini njerëzi!  foli nën hundë njeri nga shefat.

 ….Turmat vërshuan dhe mbushën sheshin. Që sipër xhamisë gjer tek Muzeu kombëtar, nga pesëmbëdhjetëkatëshi gjer tek blloku i Ministrive, nxinte nga njerëzia që shpërthente në brohori dhe ulërima. Buçasin thirrjet, “Liri- demokraci, Poshtë diktatura, Poshtë Enver Hoxha, Ushtria është me ne, Policia është me ne…!”

   Një det i tërë njerëzish të egërsuar, të nxitur nga bashkimi mes tyre në këto akte trimërore, çdo çast e më shumë bëheshin të papërmbajtëshëm, të pakontrolluar, deri edhe të rrezikshëm…

Shihej qartë se turmat dhjetramijëshe (thuhej mbi 70 mijë), po synojnë bustin e Enver Hoxhës në qëndër të sheshit. Atë bust madhështor (për një burrë shteti gjysmëshekulli madhështor…!), para të cilit s’ecte dot kush pa mbajtur këmbët, pa medituar  me sytë në atë fytyrë të bronxtë, ndoshta duke mbajtur edhe frymën…Doemos, jo të gjithë nga dashuria për të. Shumë syresh edhe nga frika, edhe nga ankthi, zëmrimi dhe urrejtja. Shumë nga ata, sot janë këtu, në shesh, madje, në krye të turmave. Janë ata që shfryhen më shumë, brohorasin më fortë, ulërijnë më egër…!Shfryjnë dufin e të djeshmes, marazin, vrerin e mbledhur gulçë në dhjetra vite, në qindra a mijëra netë të pagjuma; në terr dhe në tmerr të pafund. Të tjerë në biruca,  qeli e galeri burgjesh, kampe internimesh…Këta njerëz, gjer dje të tredhur dhe trembur gjer në bindje qënore, sot trimërojnë ballaz, ulërijnë fortë dhe kërcënojnë egër…! Zot na ruajt!

 S’matet dot gjer ku ngjitet trimëria e kësaj dalldisjeje popullore, e kësaj llave vullkanike që  digjte dhe zhbënte me gjithësej.

Tani, thirrjet zotëruese ishin “Poshtë Enver Hoxha dhe Enver-Hitler” Ajo që po dukej sheshit ishte fakti se këta njerëz, kishin vrarë…frikën! Po, ishte vrarë frika, i vetmi mjet që i paska mbajtur zap, aq urtë, të sjellshëm dhe paqësor këta njerëz.  Tek ua shoh ndërkryerjen e sotme, më duken krejt të panjohur, madje si të largët, të tjetërsuar në gjithë këto çka po bëjnë, thonë dhe kërkojnë…Policia ndërhyn përsëri. E ndërpret disi ecjen e turmave por pa rezultat. Njerëzit s’duan t’ia dinë më; janë si në ethe, lëvizin e flasin, këndojnë e ulërijnë si në ekstazë. Të thirrurat ndërpriten për një hop. I ndërpret krisma. Po gjuajnë, gjuajnë me armë…! Kush?  Ku? Cili u vra…? Orteku i njerëzve vargoset për andej, si dallga e një lumi  drejt vaut të porsahapur…

Por jo! Askush s’është vrarë. Askush s’ka rënë. Atëhere?!

  Një pardesybardhë, hipur mbi krahët e shokëve flet në megafon:

-Mos u trembni! Janë fishekë manovre…Është manovër, manovër e diktaturës…! Pas meje…Pas meje! Policia është me ne!  Ushtria….!

   Ja, pra, askush s’qenka vrarë. Por jo…! Diçka është vrarë, po vritej e vritej përfunfimisht. Ishte frika…! Në çdo hap që bënin përpara, në çdo parrullë që hidhnin, këta njerëz vrisnin brenda vetes frikën. Trimëria rritej e rritej…Bashkimi, turmat, ulërimat  dhe thirrjet e liderëve pardesybardhë, ua ushqenin trimërinë, i ndiznin. Krismat e armëve i tulatën për një  çast, por vetëm kaq. Lajmi dhe bindja për fishekë manovre ua shtoi trimërinë. Ja pra, ç’qe fitorja më e madhe e këtyre njerëzve, tepër e madhe, e paparë në kaq e kaq vjet, e paprovuar…

Pikërisht këtë festonin; fitoren mbi frikën. E kishin vrarë përfundimisht. Shihini si qëllojnë me gurë mbi makinën e policisë…!

  Një makinë e zezë u fut mes turmave. U sul në shesh dhe shpërndau njerëzit.  Të gjithë e qëllojnë me gurë, me drurë, me…

Qenka e blinduar…! Ah, edhe e blinduar!? Po pse, pse në shesh…?! Thonë se brënda saj ishte Hekri, Ministri i brëndshëm. E ka dërguar Ramiz Alia, thonë.  Breshka e blinduar u vërtit dy a tri herë dhe çau turmën e këputi qafën. Para kësaj tentoi të futet një tjetër makinë në shesh, por u godit aq shumë me gurë sa  mezi doli bythas me xhamat copë-copë.  Ja, tani po futet edhe një autobot me ujë. Edhe uji qenka me ngjyrë, si të kuqe; i zheu e i lagu gjer në palcë. Vërsulej majtaz e djathtaz sa stepte njerëzit po sërish ata ktheheshin aty, paçka se të lagur e llangosur në fytyrë dhe rroba. Shyqyr që dita është me diell Sëfundi, çau turmën dhe iku.

    Iu mbarua uji apo iku për tu zevendësuar nga qentë. Këta ndërseheshin nga ushtarët për të trembur njerëzit, mbaheshin fortë prej zinxhirëve dhe s’ua hoqën hundëzën e hekurt…Dukej sikur dikush kishte vendosur të demonstronte të gjitha  armët; llojet, mjetet, mënyrat…Ndoshta dikush mbrohej a fshihej pas gjithë këtyre…

Ja, të gjitha i përdorëm, por s’e ndaluam dot popullin. Populli…!?

 Kësisoj   po kapërxente mezi i ditës. Policia vazhdon ende ta mbajë turmën, por jo ku do ajo. Unaza e njerëzve, gjithënjë e më të egërsuar, po ngushtohet drejt bustit të Enverit. Qindra duar hedhin gurë e drurë mbi monument. Thirrjet “Enver-Hitler  dhe “Poshtë Enver Hoxha…!” tani pushtojnë Tiranën. E gjithë kjo duket si një ëndërr. Njerëzit shajnë, ulërijnë e brohorasin si të dehur kundër Enverit, sa të duket jashtë mendjes kjo që po ngjan, jashtë kohës…Apo jashtë Shqipërisë!? Përndryshe, si munden kaq egër, trimërisht, kaq sheshit dhe ballaz…?     Madje kush janë gjithë këta njerëz? Ku ishin gjer dje? Më kaq inate, mllefe, urrejtje e ligësi të shpërthyera kaq papritur? Shoh përqark.

 Jam ngjitur e ngjeshur shkallëve  pas murit të Bankës së shtetit, mes këtyre ulëritësve tashmë të ngjirur si të dalë mëndsh…Përqark, burra dhe gra të të gjitha moshave dhe niveleve. Të gjithë brohorasin,  por   jo njëlloj.

-Bjeri qenit, bjeri more, bjeri! Ah, të lumtë dora! Ah…Enver-Hitler, En..

   Tjetri këtej:-Mosni, more njerëz, mosni more shok…!Pu, pu! Ç’po ndodh more njeri, ç’po na shohin sytë more! Ç’janë këta xhahil, mor amani… Ç’janë xhanëm, ç’janë…!?

Mundohem ta pyes me sy një grua që shan e çirret para meje me sytë mbi monument. Ajo, ai, burra, gra, nuse, çupa qerpiklyer, veshur me gusto dhe ushqyer mirë.  Turma vazhdon ta ngushtojë unazën. Policia, si e lodhur (apo e dështuar…?), pakëson ndërhyrjet. Çudi e madhe!    Duhej të ndodhte e kundërta. Ç’urdhër kanë  marrë? Nga kush? Cili urdhëron sot? Qentë hungurojnë nën rrjetat e hundëzës së hekurt dhe ushtarët mezi i mbajnë nën zinxhirët që zgjaten dhe mblidhen sa herë dikush kalon afër qenit. Diku pranë monumentit të Skëndërbeut, policë e ushtarë, me skafandra ndër duar, qëndrojnë në heshtje, gjoja në gadishmëri për…

  Rreth orës trembëdhjetë, nga rruga e “21 dhjetorit” u fut një kamion ushtarak (Imfa), i mbuluar.

   Turma i hap udhë se e pandehin me ushtarë. Por jo. Makina i afrohet monumentit nga pas, në shpinë të bustit. Zbresin dy-tre bluxhinësa me kapele të rrasur  gjer në vesh  dhe…

-Mos, mos…! O zot ç’po ndodh kështu!? Bobo ç’po na shohin sytë…!

Komshinjtë e mi, ngjeshur pas murit të Bankës, nuk mbahen më. Nuk i mban më as vendi, as zëri i ngjirur, ndoshta, as mendja. Ndryshe, si mund të ulërish kështu, kaq…!? Unë vazhdoj të hesht. Po në të vërtetë, përbrënda zjejë e ulërijë më shumë se këta. Ja, ja, ç’po më shohin sytë…! I pari i bluxhinsave i sapozbritur nga makina, me duart prapa dhe fshehur nën një pallto triçerekëshe, tërheq një kavo teli dhe sakaq, i mbuluar nga dy shokët e vet, vetëtimthi ngjitin mezhdën pas bustit…Mos, o zot! Jo,jo…Gjer këtu s’e kisha menduar!Kurrën e kurrës

  Me një ecje si të ketrit, bluxhinsi iu rras bustit në shpinë. I pari  e përfshiu me krah. I dyti u krrus nën të. Sakaq tjetri kërceu mbi shpinën e shokut dhe, i mbajtur nga i treti, ia hodhi kavon bërë lak, kokës së Enverit…!?Bah, ç’po them? Pas kësaj, merret vesh. Brohoritë, sharjet, goditjet me gurë e drurë, ulërimat tej e tej sheshit u bënë të papërshkrueshme, të pabesueshme për  sytë dhe mendjen e gjithkujt aty. Këta përpara meje:-Lidhe qenin, lidhe fortë, fortë, de! Hidhe poshtë, hidhe qelbësirën…!

  Të tjerët;-Mos, mos o zot! O zot ku je, ku…?! Oh, sa e tmerrëshme, e tmerrshme…Ç’po ndodh kështu o shokë? Bobo, ç’ditë e zezë, ohh!

   Turma buçet dhe sheshi rindizet në ulërima dhe sharje. Bluxhinsat shpejtojnë si të dehur, të përfshirë ethshëm nga deliri i heroit., përpara një bëme madhore (apo makabre…?)  Sidoqoftë, heronjtë e kësaj dite të madhe, janë ata. Ata brohoriten, përgëzohen…

-Lidhe qenin, fortë, fortë!  Tërhiqe, tërhiqe osh, osh, ashtu bravo, bravo çuna! Zvarrë, zvarrë de…!

  Ky është një mustaqelli që  ulërin tek veshi im. Kthej kokën. Goxha burrë duket. Më tej një nuse qëllon me gurë, mallkon e godet me forcë, me mllef, me inat…gruaje!? Apo me berihajin  dhe poteren e turmës së egërsuar…?! Ç’gjë t’i ketë tërbuar kaq papritmas këta njerëz? A mund të mbledh e mbajë njeriu kaq shumë mllef brënda vetes? Kaq e madhe forca shtypëse që mposhti  ndër vite shpërthimin, fjalën, zërin dhe zemrën…? Apo është një turmë frikacakësh që e çuan jetën në brohori e duartrokitje siç e donin presidiumet e kohës dhe sot kuptuan zbrazëtinë e jetës së varfër, mjerane?

Sot, duket e kuptuan edhe atë, jetën tjetër, atë që bëhet matanë murit të padukshëm (dhe të pakalueshëm), larg “oazit” të shkretëtirës tonë, të komunizmit fitimtar..Asaj që iu premtua, u tha e u tha dhe nuk u bë kurrë, kurrë…! Mirëpo e thëna e pabërë u mbajka mend më shumë se e bëra pa u thënë…Se e thëna është premtim, është besë, është shpresë   Dhe, kur s’bëhet e s’bëhet gjer në zhbërje, zarari qënka tepër i madh, i rrezikshëm…! Ja pse gjithçka shoh dhe dëgjoj sot këtu është zhgënjimi i një populli shpresëvrarë…Shtysa dhe hakmarrja e zhgënjimit qënkan tepër të forta, rrënuese me gjithësej…

…Sheshi tejet i mbushur, nxit dhe nxin (apo zbardh…?), shan, urren dhe gëzon. Brohoret, ulërin dhe kërcen e këndon…

Kënga “Ejani mblidhuni këtu, bashkë me ne” dëgjohet gjer larg. Makina ushtarake tanimë s’tërheq më vetëm  bustin. Qindra vetë mbi “Enverin” e shtrirë dhe zvarritur osh pas makine, përshkojnë sheshin “Skënderbej” dhe ngjiten për në qytetin “Studenti”. Turma-det e furtunë, e shoqëron me buçimë dhe ulurima deri në ekstazë…

Busti

Next Post

Ish-presidenti Moisiu rikthehet aktiv në rrjetet sociale, ja mesazhi i veçantë për miqtë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Dhuna ndaj Skënderbeut, Disiplina dënon Ilirinë. Zbulohen vendimet

Dhuna ndaj Skënderbeut, Disiplina dënon Ilirinë. Zbulohen vendimet

December 5, 2025
Bojkote dhe debate, a mund të mbijetojë Eurovizioni në krizën e tij më të madhe?

Bojkote dhe debate, a mund të mbijetojë Eurovizioni në krizën e tij më të madhe?

December 5, 2025
Eric Trump bëhet 10 herë më i pasur që nga zgjedhja e babait të tij si president i SHBA-ve

Eric Trump bëhet 10 herë më i pasur që nga zgjedhja e babait të tij si president i SHBA-ve

December 5, 2025
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, AAK nominon Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, AAK nominon Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër

December 5, 2025
“Shqipëria Madhështore”, PD regjistron koalicionin me 25 parti të tjera, grekët e çamët bëhen bashkë te Berisha

Jo vetëm demokratët, Berisha tall edhe aleatët

December 5, 2025
Përgjysmohen kërkesat për azil në Gjermani, ligji i shtetësisë do të ashpërsohet

Përgjysmohen kërkesat për azil në Gjermani, ligji i shtetësisë do të ashpërsohet

December 5, 2025
PD mes ristrukturimit dhe rrjeshtimit

PD mes ristrukturimit dhe rrjeshtimit

December 5, 2025
Vendosen grupet e Botërorit, Shqipëria dhe Kosova mësojnë rivalët nëse kualifikohen

Vendosen grupet e Botërorit, Shqipëria dhe Kosova mësojnë rivalët nëse kualifikohen

December 5, 2025
Të gjithë sytë nga Kupa e Botës…, apo nga Heidi Klum?! 52-vjeçarja që s’njeh plakjen!

Të gjithë sytë nga Kupa e Botës…, apo nga Heidi Klum?! 52-vjeçarja që s’njeh plakjen!

December 5, 2025
Vrasja e 15-vjeçarit, reagon Spitali i Durrësit: Nuk kanë ikur dritat kur është operuar

Vrasja e 15-vjeçarit, reagon Spitali i Durrësit: Nuk kanë ikur dritat kur është operuar

December 5, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In