Nga Ben Andoni
Nuk është se marrëveshja e fundit, firmuar veçmas nga Presidenti i SHBA, Trump me atë serb, Vuçiç dhe kryeministrin kosovar Hoti është një arritje, që do të ndryshojë shumë në marrëdhënien e konfliktit të ngrirë Serbi-Kosovë. Tek e fundit, me shumë gjasë, kjo marrëveshje nuk mund të ratifikohet në parlament dhe kjo e lehtëson kryeministrin kosovar, që është shigjetuar ende pa ardhur në Prishtinë nga shumë anë. E mbi të gjitha, askush nuk mund të thotë me siguri se për momentin ajo është apo jo një marrëveshje ndihëse për Kosovën. Dhe, realisht trishtimin e arritjes së saj, që po shpallet si historike, e ndjen në mllefin e emisarit Grenell, promotorit të ri të këtij dialogu për median amerikane, që nuk e ka prezantuar si duhet. Jashtë asaj që mendon ai, apo administrata e lartë amerikane dhe ajo e dy vendeve ballkanike, media e vendit të tij shquhet për qëmtimin e elementeve dhe pararendjen e të ardhmes. Qëndrimi i saj paratha shumë më tepër se entuziazmi i Beogradit dhe patetizmi i qeverisë së re kosovare, që vazhdon se do ketë shpejt njohje. Ky i fundit edhe me talljen, jo të zakonshme për tipin e kryeministrit flegmatik të Kosovës Hoti ndaj kundërshtarëve të tij potencialë më të mëdhenj: Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
Ka një fakt të pakundërshtueshëm, që nuk mund të ketë kurrë një zgjidhje ideale t’i kënaqë të dy palët ballkanike, prandaj lufta bëhet për kompromisin, apo atë që përdoret si justifikim me eufemizmin e njohur: Po hapim një kapitull të ri! Në këtë hulli ku është futur dialogu, edhe pas kësaj marrëveshje, është e pamundur për të dy palët ta zgjidhin ngërçin e tyre. Serbia vazhdon këmbëngul, madje Vuçiç e artikuloi edhe në Uashington: se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Në një farë mënyre, siç e shprehte pak orë më parë njohësi i mirë serb i rajonit, Janjiç: Kërkesa për njohje të ndërsjelltë dhe të qëndrueshme duhet të presë për kohë të tjera. Çfarë nënkupton hapur se: Kosova dhe Serbia duhet të kalojnë në një realitet të ri ekonomik, gjë që i dha disi forcë marrëveshja e fundit; politike që duhet thënë se Serbia duhet të stopoj pengesat direkte dhe indirekte ndaj saj; e fundit e Sigurisë, ajo që përbën një pikë tejet prekëse të dy palëve. Mbi të gjitha, midis Serbisë dhe Kosovës ka asimetri të mëdha, që mund të ushqehen në çdo moment prej rrugëve që ndjekin palët dhe obligimet e tyre.
Por, gjëja më e madhe e Uashingtonit ishte se kjo marrëveshje e rilehtësoi Kosovën para të gjithë faktorit ndërkombëtar, kurse Serbinë para Aleatëve të Atlantikut Veriut dhe BE-së, në një farë mënyre duke i dhënë sërish avantazhin e humbur të muajve e viteve të shkuara. E mbi të gjitha i përball si të barabarta ato para dy subjekteve SHBA dhe BE, në një farë mënyre duke e ngushtuar fare pakëz rolin e Rusisë dhe Kinës, që për hir të së vërtetës nuk mund të shmangen në as edhe një çast të vetëm nga procesi.
Por, kryeministri Hoti ka pse të gëzohet dhe mbase kjo do të jetë dhe arritja më e madhe e mandatit të tij. Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai e ngriti në një stad më të lartë Kosovën dhe tashmë dhe me njohjen de facto të Serbisë para SHBA dhe BE-së të detyrimeve të përbashkëta. Veçse formati që i detyron të dy palët vetëm ndaj SHBA-së, e kuptohet se në Beograd është pritur jashtëzakonisht mirë ka dhe kleçkën e madhe, që hë për hë, SHBA ka hequr dorë nga detyrimi direkt ndaj Serbisë për të njohur Kosovën! Jo më kot mëtonjësi amerikan për president Biden e artikuloi fort si fakt, ashtu si shumë personalitete të tjera vendase, duke e kritikuar ashpër marrëveshjen.
Është e vërtetë se të dy vendet, me marrëveshjen lirojnë duart nga shumë detyrime, mbi të gjitha shmangin parlamentet respektive, që hapin jo pak probleme, por ka pak pasiguri mënyra sesi do të vazhdojë ky dokument që nuk ratifikohet, e që përbën një fakt që palët kanë detyrime të njëanshme, para garantuesit të tyre SHBA, ku tashmë në lojë priten të futen ekipet teknike, për akte të tjera, të cilat do të ndërkallen në praktikë. Njohësit e të Drejtës Kushtetuese mendojnë se do kenë nevojë të ratifikohen marrëveshje shtesë, që lidhen me dokumentin e Uashingtonit , si ato të tilla që lidhen me përdorimin e përbashkët të energjisë në Lumin e Ibrit, investimet e përbashkëta në energji, rrugë dhe infrastrukturë, çështjet kufitare dhe të tjera që lidhen me sovranitetin politik, citohet eksperti kosovar i së Drejtës Hasani.
Për fat Kosova me këto dokumente, do apo nuk do Serbia tashmë aktualizohet edhe më tej si shtet sovran dhe përjashtohet çdo cenim i ndarjes së territorit të vendit.
Anipse, megjithë optimizmin ka një mal me çështje të pazgjidhura prej nga e kaluara, që e vështirëson shumë detyrimin reciprok të Kosovës e Serbisë ndaj SHBA, kur mendon krizën e thellë, që i pret vendet pas largimit të pandemisë. Ndaj, citojmë sërish Janjiç: do të ishte një lehtësim i madh për të zgjidhur këto çështje, për aq sa është e mundur.
Dhe, këtu vjen një nga detyrimet më të mëdha të BE-së që do të rifaktëzohet sërish pas fillimit të kësaj jave: respektimi i afateve të vendosura nga dyshja Lajçak-Borell, ku tema është e qartë: E rëndësishme të mos humbet kohë dhe të fillohet puna sa më shpejt të jetë e mundur. Kuptohet nëse do të krijohen kushtet e nevojshme. Paradoksalisht, kushtet nuk janë krijuar, sepse BE-ja duket hapur e papërgatitur, kurse Trump edhe me vullnetin e tij të madh, nuk duhet të harrohet se po e mbyll mandatin…me shumë probleme.
Përderisa marrëveshja të marrë jetë: Serbia sërish ka fituar jashtëzakonisht. Kosova e ka liruar atë nga detyrimi i vazhdueshëm për njohje, ndërsa i ka dhënë një hapësirë shfrytëzimi në Liqenin e Ujmanit, që është një nga burimet jetike të Republikës së re ose si e thotë me të drejtë një nga ekspertët e Kosovës Avdi Gjonbalaj, i cili ka qenë funksionar i lartë në kohën kur është ndërtuar Liqeni i Ujmanit: Serbia po tenton t’i fusë duart në “xhepat” e Kosovës, për të përfituar financiarisht. E të mos harrojmë se gjithçka për të është paguar nga Kosova. “Kjo gjë që është mirë për ne. Kjo është një marrëveshje mes nesh dhe SHBA-së”, konfirmoi Vuçiç për B92.net. Kurse kur ka folur për pikën që bën fjalë për Ujmanin u shpreh: “Tani për tani, Serbia nuk prodhon rrymë nga uji në Ujman, e pas kësaj marrëveshje do ta bëjë këtë”.
I mbetet, Brukselit të tregojë sesa do të jetë i aftë të përthithë këtë proces me marrëveshjen disi të çuditshme (është firmuar veçmas), ku do të fillojë të punohet në të ardhmen për detaje për ardhshmërinë por edhe për demarkacionet e palëve. Gjithsesi, deri më sot, dialogu ka vuajtur realisht që nga viti 2011, kur është inincuar për një lloj fleksibiliteti, për të mos thënë se Kosova ka nënshkruar në Bruksel, më 2013-n, Marrëveshjen e parë për normalizim politik dhe qysh atëherë marrëdhëniet thjesht nuk është se kanë ndryshuar aq shumë. Apo si na e paratha me cinizëm, kryeministrja serbe Brnabiç: Marrëveshja ishte një mënyrë për t’u shmangur nga njohja e pavarësisë. Ndaj, Serbia sërish na e hodhi me përgjërimin e saj, si vend që e do normalitetin…me fqinjët. (Homo Albanicus)