Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ngre shqetësimin për seriozitetin e e-mailit kërcënues për vendosjen e bombave në institucionet shtetërore, duke theksuar se raste të tilla nuk duhen paragjykuar si alarme false, por kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm të rrezikut.
Në një intervistë për ABC News, Karamuço deklaroi se mesazhe kërcënuese ndaj institucioneve politike dhe të sigurisë janë raportuar edhe në vende të tjera të rajonit.
“Duhet parë pak më gjerë sesa thjesht një sulm që drejtohet ndaj institucioneve shqiptare. sepse në të gjithë rajonin gjatë këtij viti, por edhe vitin e kaluar ka pasur fushata të e-meileve të pse jo të sinjalizimeve po ashtu të letrave, të mesazheve të tjera që vijnë në rrugë nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme që janë adresuar ndaj institucioneve sidomos atyre politike dhe të sigurisë në disa vende, përfshirë këtu Serbinë, përfshirë Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi edhe më gjerë.
Megjithatë çdo rast nuk është për t’u kaluar ë thjesht dhe vetëm duke e paragjykuar si false, si fake, por duhet marrë seriozisht. Pra ka një analizë që bëhet, një analizë risku, sepse ka pasur raste kur fillimisht një sulm i mirëorganizuar për të për të bërë akte terroriste fillimisht matet dhe testohet gatishmëria e institucioneve dhe mënyra e reagimit të tyre dhe pastaj duke parë që kjo mënyrë reagimi është e dobët, është e vakët, nuk ka gatishmëri të plotë, atëherë kalohet në fazën tjetër që është faza e një sulmi të vërtetë”, tha Karamuço.
Ai bëri thirrje që institucionet dhe punonjësit të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë së Shtetit dhe antiterrorit, ndërsa bëri të ditur se po zhvillohen hetime edhe në bashkëpunim me Europolin për të zbardhur origjinën e kërcënimit.
Sipas tij, identifikimi i një adrese IP të lidhur me një universitet në Kolumbi nuk e bën ende të qartë burimin real të mesazhit, pasi ajo mund të jetë e kamufluar ose thjesht një pikë kalimtare në komunikim.
“Prandaj unë do t’i bëja thirrje të gjitha institucioneve dhe punonjësve që janë në këto institucione që çdo thirrje dhe çdo angazhim që ndërmerr struktura e antiterrorit, policinë e shtetit dhe forca të tjera në mbështetje duhet të merret shumë seriozisht. Sot ka pasur një angazhim të madh të këtyre forcave për të cilat unë fola ë po ashtu edhe të drejtorisë së krimit kibernetik. Ka pasur një komunikim me sa më kanë thënë paradite edhe me Europolin për një hetim më të gjerë se çfarë po ndodh.
Si IP fundore identifikohet një universitet në Kolumbi në Amerikën Latine, por nuk është shumë e qartë nëse kjo është IP fundore apo e fshehur, e kamufluar si e tillë apo është thjesht tranzitore dhe ka një sulm të mirë koordinuar. Po është një hetim që po ecën në vijimësi, por që çdo rast duhet vlerësuar. Duhet vlerësuar jo vetëm nga institucionet, ju thashë, por duhet të jemi serioz edhe ne vetë nëse jemi të përfshirë në një farë mënyre si pjesë e institucioneve ose qoftë edhe si vizitor për t’i ardhur në ndihmë dhe për të lehtësuar punën e policisë së shtetit”, shtoi eksperti i kriminalistikës.

