Nga Ben Andoni
Steve Jobs bëri një revolucion me të gjithë sipërmarrjen e tij, anipse ky lider jo pak herë nga stafi i tij shikohej me dyshim dhe në media shpesh janë referuar elementët e sjelljes së tij brutale. Vartësit e tij ishin në një alert të përditshëm, që kur ia behte tek dera. Pak vite pas vdekjes, në universitetet amerikane dhe britanike, studiohet skema e organogramës së tij, por edhe paradokset mes strukturës dhe performancës së lartë. Pyetja qëndron nëse ai ishte kaq negativ pse sjellja e tij e keqe nxiti një revolucion të paparë në mjedisin e smart device?! Jashtë kësaj: A ndodh që e keqja është më e fortë dhe mund të sjellë…edhe pozitivitet? Një rast tjetër shumë më i largët. Një njeri që e ka reflektuar të keqen si pakkush në jetën politike dhe sociale shqiptare ka qenë Faik Konica. I thartë, provokues, polemist, manovrues, cinik, konjukturalist i frikshëm ai do mbahet mënd për piruetat e frikshme, por edhe një negativitet të madh, që filloi prej luftës së madhe kombëtare për variantin fitues të Alfabetit dhe mbaroi me përplasjet me Zogun e Nolin, denigrimin e tyre, pajtimin e paqtë me të dy dhe vdekjen… si i harruar. Gjithsesi, e keqja e tij është prevaluar jo pak nga forca e arsyes dhe përpjekja ndryshe dhe elitare që dhuroi për dinjitetin e kulturës së shqiptarëve dhe plagët e tyre.
E mira dhe e keqja janë gjëra krejt të kundërta me njëra-tjetrën, por njëkohësisht edhe dy pole, të cilat kurrsesi nuk afrohen, paçka se individët e lartpërmendur i përziejnë pa kujdes. Edhe pse mëtohet se e mira dhe e keqja dallohen lehtë, fakti është se koncepti për to është ende i diskutueshëm.
Në fakt argumenti ynë është krejt tjetër dhe ai lidhet me faktin sepse jemi sot në Shqipëri kaq të ekspozuar të një të keqe tjetër, gati totale, regresive, pabarazinë totale, mohimin e përpjekjes, përçmimin e punës, grabitjen e pronës, fyerjen, ku shpesh mungon fjala e mirë, pse politika dhe komuniteti ka kaq negativitet. Një sociolog mund të vijë në ndihmë me matrica logjike, ku të parashtron paradokset e kohës dhe faktin pse e keqja vazhdimisht fiton, por kjo sërish nuk mjafton.
Utopia jonë lokale në fillim vitet ‘90 se e keqja, që e kish kapluar vendin do mposhtej me rënien e Komunizmit ishte kaq e pranishme, qoftë edhe në mendjet më të iluminuara në Shqipëri, saqë u mendua se vitet ‘00 do të na kapnin në një “parajsë” të re këtë herë demokratike. Dhe, kjo u përcoll edhe në materialet e BE-së, që bëri përpjekjet e para për ta atashuar Shqipërinë. Disfata e komunizmit, që kishte nisur qysh në fillim e viteve ‘80 dhe që shqiptarët kishin jetuar me grahmat e tij, mendohej se do të na ndihte drejt një udhe të pakundërshtueshme zhvillimi. Në kronikat e asaj kohe mund të shikosh naivitetet tona dhe rendjen për t’u identifikuar me persekutimin, ndërkohë që ishte hapur valvula e një hedonizmi shoqëror, që kulmoi me skemat paradoksale të piramidave financiare…
30 vite më vonë kemi polarizim të frikshëm të shoqërisë, MAFIA-n e plotfuqishme dhe me pushtet absolut mbi të gjithë jetën e vendit, përçmimin e punës së ndershme, shkollën kombëtare të rrënuar dhe rendjen drejt përvetësimit pa mundim. Megjithë idealizimin dhe punën e mirë të pak individëve, qoftë edhe në këtë stad shpresëdhënës të Reformës së Drejtësi, edhe ky proces lë shumë për të dëshiruar. Të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj” notojnë të qetë dhe tallen. Prona është pa të zotin. Pronarëve u ka mbetur Strasburgu, kurse shteti thjesht likuidon, duke ia lënë me barrën e taksave njerëzve. Në zakonshmëri, pronari pret vdekjen me shpresën në horizont të letrave të pronësisë, që kurrë nuk firmohen. Kudo e keqja ka qytetari, por që vishet me lloj-lloj paradoksesh. Të pasurit e beftë dhe politikanët tallen paq. Sfidojnë me luksin. Tallen me SPAK. Me komunitetin. Me forcën. “Të gjitha gjërat e mira ishin më parë gjëra të këqija; çdo mëkat origjinal është kthyer në një virtyt origjinal”, shprehej në kohën e tij Niçe, por edhe kjo nuk vjen në ndihmë.
Kurrë e keqja nuk ka pasur kaq pushtet sa në këtë kohë në Shqipëri. Të mendosh faturimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të shikosh dhe të gjykosh për heqjen nga Sistemi i Drejtësisë të dhjetërave gjyqtarëve dhe prokurorëve, që sërish dalin të qeshur nga salla e Vetting edhe me mynxyrat që lanë pas; të shikosh numrin e policëve të korruptuar; plantacionet kudo të hashash; korrupsionin e të gjitha niveleve të administratës; vrasjet e frikshme; pa shkuar në aspektin social se deri ku ka shkuar krimi familjar atëherë kupton se e keqja ka triumfuar në çdo qelizë të shoqërisë së shtetit tonë. Dorëzimi vjen kur shikon përkrahjen pa asnjë rezervë apo heshtjen e politikës së ditës dhe mbi të gjitha sofistikimin e të keqes ngado. Media vetë është e pagojë për problemet kryesore.
Ndaj, korrupsioni ynë dhe e keqja sot nuk ka kufij, nuk ka skrupuj, ai e ka shkatërruar krejt shoqërinë demokratike dhe të drejtat e njeriut sot janë kudo të prekura.
“Ne duhet ta luftojmë korrupsionin me vendosmëri. Është një e keqe e bazuar në adhurimin e parave dhe ajo ofendon dinjitetin njerëzor “, deklaroi një vit më parë Papa Françesku në një twitter me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër korrupsionit. Me një neologjizëm shtoi se “korrupsioni bie në erë”. Gianluca Esposito, Sekretar Ekzekutiv i Grupit të Shteteve kundër korrupsionit, organ i Këshillit të Evropës, iu përgjigj thjesht: “E ftova atë vetë të sigurohej fillimisht se Kisha mund të japë shembullin dhe të jetë plotësisht e angazhuar, brenda institucioneve të saj në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit”. Përgjigja: NUL.
E keqja tashmë ka marrë terren dhe politika na e tregon për çdo ditë me ndikimin e saj negativ në performancën e demokracive tona, respektimin e Sundimit të Ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe rritjen e ekonomisë dhe fushën e punësimit. Kurse shkenca na e sqaron dhimbshëm: Bob Sutton në një artikull përmend një studim (David et al., 1997) që shqyrtoi efektet e ngjarjeve të mira dhe të këqija të përditshme, si dhe tiparet e personalitetit. Ngjarjet e padëshiruara (të këqija) kishin efekte shumë më të përhapura sesa ato të mira. Me fjalë të tjera, ngjarjet e këqija ndikuan si në humorin e përditshëm, kurse ngjarjet e mira ndikuan thjesht në një predispozitë më të mirë.
Por a duhet të na mposhtë e keqja?! Duket se jemi të pashpresë, pasi ajo sot na ka mposhtur dhe shumë njerëz e pranojnë lehtësisht të keqen në vend të së mirës. Tek e fundit e para është gjithnjë më e vyer për ata që duan revanshin e sakaqtë. Kurse e mira është si ti ngjitesh një mali të lartë, fundi i të cilës nuk duket… Po cili do t’ia dijë për këtë para kënaqësisë së momentit. Të paktën në Shqipëri, e shikojmë që e keqja ka autoritet të padiskutueshëm dhe është në fron. Konica diti ta pranojë me vetë të keqen, por edhe ta tregojë sesa pushtet kishte tek ne. (Homo Albanicus)
Deri më tani e keqja na ka mundur,kjo është fakt,por në perspektivë mendoj që e keqja që na ka pllakosur do të relatvizohet e mbase edhe do të zbehet.Kur them këtë e kam parasysh involvimin amerikan rreth reformës në drejtësi dhe rrugëtimin që pritet të filloj hapja e negociatave për kapitujt për anëtarësim në Unionin Europian.Këto argumente që i ngrita janë për keqardhje por fatkeqësisht kjo është e vetmja perspektivë e cila më ushqen shpresën që e keqja që na ka mundur të filloj të shprishet nga hapësira jonë jetësore.Kanë kaluar tridhjetë vite dhe janë provuar të gjithë të majtë e të djathtë,kush më shumë e kush më pakë e kanë shkatërruar këtë vend ,por asnjëri prej tyre nuk i ka hedhur bazat e një perspektive të qëndrueshme zhvillimore.Eshtë një rrethanë paradoksale që të huajt dmth amerikanët të na detyrojn madje edhe duke na kërcënuar që të e bëjmë reformën në drejtësi,të jemi të detyruar nga amerikanët që të forcojm sistemin tonë të drejtësisë.Po ashtu tingëllon shpresa se europianët në frymën e tendencës së përgjithëshme për integrime europiane do të i detyrojn këta politikanët tanë idiot dhe të pamoralshëm të krijojn sistem më të qëndrueshëm nëse dëshirojn të ecin drejt integrimeve europiane.Këto dy rrethana në kontekstualitetin tonë të përmbysur nga vetë ne i shoh si perspektivë optimiste,i vetmi ngushëllim nëse mundë të quhet i tillë është fakti se nuk jemi të vetëm në këtë pafuqi pë të ndërtuar hapësirë normale jetësore,shumicën e popujve të lindjes Unioni Europian i ka detyruar që nëse dëshirojn të ecin drejt anëtarësimit në Union të i zbatojn reformat e kërkuara,situatë e përafërt me ne e kanë pasur Bullgaria dhe Rumania por i kanë detyruar të ecin.Detyrimet e hueja i vlerësoj si perspektivë drejt zbehjes së keqes që na ka mundur deri më tani.