Projekti për rikonstruksionin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit u prezantua në Lezhë përmes një dëgjese publike me komunitetin e zonave ku do të kalojë ky projekt e rëndësishëm infrastrukturor.
Sipas ekspertëve, investimi do të realizohet mbi gjurmën ekzistuese të hekurudhës, e cila do të rikonstruktohet dhe do të përshtatet me standardet evropiane. Projekti tashmë ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kontraktorit, ndërsa punimet parashikohet të përfundojnë deri në vitin 2030.
“Projekti është në një fazë tjetër, tani do të fillojnë punimet. Traseja e trenit do të jetë i rrethuar me një gardh metalik, stacionet gjithashtu do të kenë rregullime dhe do të jenë të rrethuara. Do të bëhet një rikonstruksion total. Duke qenë se hekurudha do të jetë elektrike do të kemi një zgjerim të rrugësh”, tha eksperti.
Linja Vorë-Hani i Hotit do të ketë një gjatësi prej rreth 120 kilometrash dhe do të jetë tërësisht e elektrifikuar.
Trenat do të mund të lëvizin me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë, duke mundësuar transportin e udhëtarëve dhe të mallrave përgjatë këtij aksi.
Projekti parashikon ndërtimin dhe rikonstruksionin e 12 stacioneve, 12 urave, si dhe një tuneli me gjatësi rreth 320 metra.
Koha mesatare e udhëtimit nga Vorë në Han të Hotit pritet të jetë rreth 2 orë.
Investimi, me një vlerë totale prej rreth 356 milionë eurosh, synon të përmirësojë ndjeshëm transportin hekurudhor dhe lidhjen e Shqipërisë me korridoret rajonale dhe evropiane.











