Hetuesit në Greqi kanë mundur që të kompletojnë listën e fjalëve që 33-vjeçarja Roula Pispirigou po kërkonte në internet nga 12 deri në 28 janar të këtij viti. Vetëm disa ditë më vonë vajza e saj 9-vjeçare u nda nga jeta.
Në veçanti, nëna e tre fëmijëve që është edhe e dyshuara kryesore për vdekjen e tyre, kishte kërkuar për anestezikë, mungesë oksigjeni në trupin njerëzor, anestezia tek fëmijët, atrofi cerebrale dhe fenobarbital.
Mjeku pediatër në pavijonin e kujdesit intensiv, ka qenë prezent në momentet e fundit të Georginës por edhe të motrës së saj Malena kur ajo ndërroi jetë.
Dhe, ai është shprehur se krizat e 9-vjeçares ndodhin në mënyrë të papritur dhe të pashpjegueshme. Ajo që u ka rënë në sy po ashtu mjekëve ishte sjellja e ftohtë e nënës kur njoftohej se vajza ndodhej në gjendje kritike apo edhe kur ndërroi jetë.
Kujtojmë se në gjakun dhe urinën e Georginës u gjet një sasi vdekjeprurëse ketamine, e cila dyshohet të jetë edhe arsyeja se pse fëmija ndërroi jetë. Spitali e ka mohuar kategorikisht që ndaj vajzës të jetë përdorur ketaminë ndërsa dyshimet bien tek e ëma.
g.kosovari