Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e dënuar e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein, ka refuzuar të përgjigjet ndaj pyetjeve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjen Epstein.
Ajo u paraqit të hënën në një seancë të mbyllur dëgjimore të Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, përmes lidhjes virtuale nga burgu në Teksas, ku po vuan një dënim prej 20 vitesh për trafikim seksual.
Kryetari republikan i Komitetit të Mbikëqyrjes, James Comer, deklaroi se Maxwell, ashtu siç pritej, u mbështet në Amendamentin e Pestë të Kushtetutës Amerikane, i cili i jep të drejtë çdo qytetari të refuzojë të dëshmojë për çështje që mund ta vetëinkriminojnë. Kjo do të thotë se ajo zgjodhi të heshtë dhe të mos japë asnjë përgjigje nën betim.
“Ky është një zhgënjim i madh”, u shpreh Comer pas seancës. “Ne kishim shumë pyetje për krimet që ajo dhe Epstein kanë kryer, si dhe për bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm. Qëllimi ynë është të zbulojmë të vërtetën për popullin amerikan dhe të sigurojmë drejtësi për viktimat”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja demokrate Melanie Stansbury tha se Maxwell e përdori këtë mundësi për të “bërë fushatë për falje presidenciale”. Sipas saj, qëndrimi i Maxwell nuk kishte të bënte me transparencën, por me interesin e saj personal për të përfituar lehtësim nga dënimi.
Avokati i Maxwell, David Oscar Markus, shkroi më herët në rrjetet sociale se klientja e tij ishte e gatshme të fliste plotësisht dhe me ndershmëri, por vetëm nëse do t’i jepej falje nga presidenti Donald Trump. “Vetëm ajo mund të japë versionin e plotë të ngjarjeve. Disa mund të mos e pëlqejnë atë që do të dëgjojnë, por e vërteta ka më shumë rëndësi”, shkroi ai.
Megjithatë, një grup viktimash të Jeffrey Epstein i kërkoi Kongresit, përmes një letre zyrtare, të tregojnë kujdes të madh ndaj çdo dëshmie të Maxwell. Ata e kritikuan atë për refuzimin e vazhdueshëm për të identifikuar “shumë burra të fuqishëm” që, sipas tyre, ishin të përfshirë në rrjetin e trafikimit seksual të Epstein, si dhe për mungesën e bashkëpunimit me autoritetet. Viktimat paralajmëruan se çdo trajtim i veçantë apo besueshmëri e dhënë dëshmisë së saj do të ishte “katastrofike” për ta.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar më herët se nuk po diskutohet dhe nuk po jepet asnjë lloj lehtësimi apo faljeje për Ghislaine Maxwell. Ajo u dënua në vitin 2021 për rolin e saj në joshjen dhe trafikimin e vajzave të mitura për Jeffrey Epstein, ish-partnerin e saj. Epstein u gjet i vdekur në burg në vitin 2019, në rrethana që vazhdojnë të nxisin debate edhe sot.











