Nga Alfons Çupaj
Mbi 33 mijë vajza nuk iu gëzuan dot jetës këto 28 vite në Shqipëri. Ato u dënuan mizorisht me vdekje që në barkun e nënës. Nuk patën mundësinë të shijojnë diellin, lindjet dhe perëndimet magjike të tij, nuk lozen dot me shoqet në cepet e pallateve, nuk i ndjenë ledhatimet e erës, as aromën e luleve.
33 mijë shpritra të dlirë, të pastër, të pamëkat e të papërlyer me poshtërsitë e kësaj bote, nuk u lejuan ta shohin dritën. I vrau errësira e shpirtrave njerëzore, që enden të përhumbur në tokë, duke soditur madhështinë e tyre, buzë kanioneve të humnerës ku kanë rënë. Ato u vranë pabesisht, për fajin e vetëm se ishin vajza. U masakruan shtazërisht me bisturi që në barkun e nënës, u nxorën me përdhunë, sapo prindërit e tyre mësuan gjininë e tyre. Sepse për shqiptarët, vajza është humbje, ndërsa djali fitore.
Një qytet i tërë sa Puka, Burreli, Kukësi, Përmeti, Fushë-Arrëzi, Kopliku, Miloti, Laçi, Gramshi apo Peqini u ekzekutua në mënyrë barbare, jo nga pushtuesit, por nga vetë shqiptarët, referuar një dokumentari të publikuar në media.
Bilanc i tmerrshëm lufte.
Vrasje me paramendin.
Gjenocid i ligjëruar nga shteti ndaj popullatës së tij.
Një qytetet i tërë me vajza të bukura; bjonde, brune, sykaltra, syzeza, syjeshile, u vranë pa gjyq, në heshtje, nga dora gjakatare e prindërve të tyre dhe bluzat e bardha, në mitrën e nënës.
Mbi 33 mijë vajza të vrara, 33 mijë djem pa nuse, 33 mijë nëna pa fëmijë, 33 mijë familje më pak. Mbi 66 mijë prindër vrasës, mbi 33 mijë mjekë ekzekutorë, e qindra mijëra gojë të mbyllura. Kjo është padyshim masakra më e madhe që ka ndodhur në Shqipëri, që për nga makabriteti dhe sasia ja kalon edhe atyre të pushtuesve.
Globalizmi dhe hapja e Shqipërisë ndaj Perëndimit, duket se vetëm sa e ka thelluar rolin si shoqëri patriarkale. Dikur, festohej me pushke kur lindte djalë. Njoftohej farefisi, e të gjithë gëzonin dhe festonin se familja u shtua me një mashkull. Ndërsa kur lindte vajzë, njëfarë atmosefere dëshpëruese pushtonte muret e dhomës. “Asht vajze e ju preftë ora” thonin, por që gjithësesi i gëzoheshin jetës, edhe pse shiheshin si dorë e dytë në shumë familje.
Po sot? Sot i vrasim që në lindje! Në emër të të ashtuquajturit abort selektiv. I vrasim derisa të lindë djalë.
Një krim zinxhir, ku edhe unë e ti kemi pjesën e fajit tonë.
Por drama nuk mbaron me kaq. Pasi edhe kur i lëmë të jetojnë, i rrahim, i diferencojmë, i shtypim, i injorojmë, duke i shikuar si qënie të dorës së dytë. Rreth 30% e grave shqiptare të moshave 15-49 vjeç, kanë deklaruar se kanë përjetuar njërën nga format e dhunës; psikologjike, fizike, seksuale, pavarësisht statusit të tyre arsimor, social, fetar.
Është koha për t’i thënë mjaft këtij monstruoziteti! Çdo vajzë, është një nënë, një motër, një grua për ty. /Javanews