• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, October 17, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Dyshimet për spiunazh tronditin Berlinin: Ish-kreu i inteligjencës gjermane nën hetim për lidhje me njeriun besnik të Putinit

by A. Q
17/10/2026 09:37
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

August Hanning, i cili gjendet në paraburgim, mbante kontakte me Nikolai Patrushevin, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe më radikalë të Vlladimir Putinit. Një hulumtim i gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” shpalos dyshime serioze. Patrushevi ka qenë aktiv edhe në Ballkan.

Prokuroria Federale e Gjermanisë ka nisur një hetim ndaj ish-shefit të Shërbimit Federal të Inteligjencës (BND), August Hanning, nën dyshimin për spiunazh dhe tradhti ndaj shtetit. Ndërsa hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e bashkëpunimit të tij me Azerbajxhanin në çështje të lobimit në fushën e energjisë, vëmendja e opinionit publik po përqendrohet edhe te kontaktet e Hanningut me rrethin më të ngushtë të pushtetit në Kremlin. Këtë e zbulon një hulumtim i gazetës «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» (FAS).

Sipas hulumtimit, Hanningu ka mbajtur marrëdhënie të vazhdueshme me Nikolai Patrushevin, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe më radikalë të Vlladimir Putinit. Patrushevi, i cili ka drejtuar shërbimin sekret rus (FSB) dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Rusisë, njihet si një nga arkitektët e linjës së ashpër kundër Perëndimit. Kontaktet mes tyre kishin nisur kur Hanningu ishte në krye të inteligjencës gjermane, gjatë luftës në Çeçeni, dhe vazhduan edhe pas daljes së tij në pension, më 2009.

Pavarësisht aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014 dhe përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare, Hanningu nuk i ndërpreu takimet me zyrtarin e lartë rus. Më 2016, ish-kreu i BND-së mori pjesë në një konferencë për sigurinë në Moskë, të hapur nga vetë Patrushevi, ku u shpreh kundër sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Tri vjet më vonë, më 2019, të dy u fotografuan krah për krah gjatë një takimi në manastirin privat në ishullin Valaam, një vend pushimi për elitën politike ruse.

Këto zhvillime kanë nxitur reagime në qarqet politike në Berlin, ku qasja e Hanningut ndaj Moskës është parë si një përafrim i rrezikshëm me interesat e Kremlinit. Nga ana tjetër, mbrojtësit e Hanningut dhe aleatë të tij nga qarqet ushtarake pretendojnë se takimet kishin për qëllim ruajtjen e kanaleve jozyrtare të komunikimit, për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve. Se deri ku kanë shkuar këto kontakte dhe nëse janë cenuar sekretet shtetërore gjermane, mbetet të sqarohet nga hetimet e Prokurorisë Federale.

Përtej raportimeve të «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung», Patrushevi ka qenë aktiv edhe në Ballkan.

Në tetor 2016, ai bëri një vizitë të befasishme në Beograd, në cilësinë e sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë. Vizita u zhvillua menjëherë pas zbulimit të komplotit të dyshuar kundër liderit malazez Millo Gjukanoviq, në ditën e zgjedhjeve parlamentare, më 16 tetor. Balkan Insight dhe media të tjera e lidhën vizitën e Patrushevit me përpjekjet për të shmangur një skandal diplomatik. Atëbotë u bë e ditur se Serbia kishte dëbuar disa shtetas rusë, të cilët Patrushevi i mori me vete në Moskë. Ata dyshoheshin se ishin pjesë e komplotit për rrëzimin e Gjukanoviqit, së bashku me elementë të botës kriminale serbe të lidhur me shërbimet sekrete.

Oficerët e inteligjencës ushtarake ruse GRU, Eduard Shishmakov dhe Vlladimir Popov, u akuzuan nga prokuroria malazeze si organizatorë të komplotit. Shishmakov ishte dëbuar nga Polonia më 2014 për spiunazh. Të dy u larguan nga Serbia më 25 tetor 2016, një ditë para vizitës së Patrushevit, dhe nuk u ekstraduan kurrë në Mal të Zi. Mediat malazeze kanë raportuar se Patrushevi ndërhyri për largimin e tyre. Moska i ka mohuar akuzat.

Në shkurt 2022, presidenti serb Aleksandar Vuçiq anuloi një vizitë tjetër të Patrushevit në Beograd, pa dhënë arsye. Kjo ndodhi mes spekulimeve se opozitarë rusë ishin përcjellë fshehurazi në Serbi dhe se Moska ishte njoftuar për një takim të tyre.

Në maj 2021, opozitarë rusë, mes tyre Andrej Pivovarov i organizatës Open Russia dhe Vlladimir Kara-Murza, u mblodhën në Beograd për një seminar. Sipas Kara-Murzës, ata u ndoqën dhe u përgjuan nga shërbimet serbe. Mediat serbe raportuan se ministri i atëhershëm i Brendshëm, Aleksandar Vulin, udhëtoi drejt Moskës më 14 maj 2021 dhe u takua me Nikolai Patrushevin. Sipas raportimeve, ai i dorëzoi këtij të fundit transkriptet e takimeve. Rreth dy javë më vonë, Pivovarov u arrestua sapo zbriti nga një aeroplan në Shën Petersburg. Kara-Murza e lidhi arrestimin e tij me informacionet që Vulini dyshohet se i kishte përcjellë Patrushevit.

Vulini e ka mohuar dorëzimin e incizimeve. Në dhjetor 2021, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se bashkëpunimi me shërbimet ruse ishte përmirësuar ndjeshëm. Vulini dhe Patrushevi kishin formuar një grup pune kundër të ashtuquajturave «revolucione me ngjyra». Në dhjetor 2022, Vulini u emërua shef i shërbimit sekret serb BIA.

Kara-Murza u arrestua në prill 2022, pas deklaratave të tij kundër luftës në Ukrainë. Në prill 2023, ai u dënua me 25 vjet burg për tradhti. Pivovarov dhe Kara-Murza u liruan në gusht 2024, në kuadër të shkëmbimit më të madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit. Të dy jetojnë në Perëndim. /Enver Robelli/

Next Post
Protestat e dhunshme, 63 nga të arrestuarit dalin sot para Gjykatës së Tiranës, dje vetëm njëri u mbajt në burg!

Protestat e dhunshme, 63 nga të arrestuarit dalin sot para Gjykatës së Tiranës, dje vetëm njëri u mbajt në burg!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com