Tronditet klubi i Kukësit dhe futbolli shqiptar. Një pjesë e skuadrës kampione është ndaluar dje gjatë mbrëmjes në Vjenë dhe është marrë në pyetje për orë të tëra. Shkaku? Dyshimet për trukime në disa ndeshje miqësore që Kukësi zhvilloi pikërisht në tokën austriake. Situata e djeshme ka krijuar shqetësim dhe panik në ambientet e klubit kampion në fuqi të Shqipërisë dhe ka vënë në siklet të madh edhe futbollistët para ndeshjes së Champions-it kundër Sherif Tiraspolit më 12 korrik.
NGJARJA
Gjithçka ka ndodhur dje në mbrëmje, kur autobusi i skuadrës së Kukësit po mbërrinte në Vjenë, nga ku sot do të niset drejt Moldavisë. Rreth orës 21:30, kur autobusi ka mbërritur në kryeqytetin austriak pas një udhëtimi prej 7 orësh nga qyteza e Kaprunit, policia e ka ndalur mjetin dhe ka thirrur një pjesë të futbollistëve në një prej komisariateve të Vjenës.
Gazeta “Panorama Sport” ka mundur të zbulojë se së bashku me lojtarët është thirrur edhe trajneri Ernest Gjoka. Arsyeja e shoqërimit të futbollistëve ka qenë dyshime për trukime në lidhje me disa miqësore që Kukësi zhvilloi së fundmi në Austri.
KUSH JANË LOJTARËT
Përveç trajnerit Gjoka, gazeta mëson ekskluzivisht se lojtarët e shoqëruar në polici janë portierët Enea Koliçi dhe Ervis Koci. Të tjerët janë Ylli Shameti, Albert Serran, Rustem Hoxha, Hair Zeqiri dhe Simon Rrumbullaku. Lojtarët kanë qëndruar për më shumë se tri orë në komisarisat dhe mësohet se një pjesë e tyre janë lënë të lirë rreth orës 00:45.
PRECEDENTI
Nuk ka ku të shkojë më keq se kaq sa i përket imazhit të futbollit shqiptar. Vitin e kaluar UEFA dënoi kampionët e Shqipërisë, Skënderbeun, që të mos merrte pjesë në Champions, pikërisht për trukime. Ndërkohë, sot sërish kampionët në fuqi të Shqipërisë ndalohen në Vjenë me të njëjtin dyshim.
Gjithsesi, deri në këtë moment kemi të bëjmë vetëm më hetim për një paracaktim të mundshëm rezultatesh, pasi mund të rezultojë që Kukësi të jetë krejtësisht i pastër. E gjitha kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim./panoramasport/
a.ç