Dëmtimi i zemrës tashmë po nis që në fëmijëri. Një nga faktorët siç është hipertensioni por prek dy herë më shumë fëmijë se më parë.
Mjekët kardiologë theksojnë se trendi është në rritje jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë.
“Ka qenë një përqindje rreth 4% në Europë dhe në botë, ndërsa tani ka filluar të shfaqet një trend rritjeje deri në 8%. Pra, shfaqja e hershme e faktorëve të rrezikut sigurisht që do të bëjë që të kemi sëmundje kardiovaskulare në mosha shumë më të hershme. Pra, hipertensioni te fëmijët, i shoqëruar me obezitetin, janë faktorë rreziku të cilët e rrisin dyfish rrezikun për humbje jete te individët deri në moshën 35 vjeç”, u shpreh Ëngjëllushe Hasani – Kardiologe QSH.2.
Mjekja kardiologë, Ëngjëllushe Hasani referon një të tregues pak të njohur deri më tani
“Dua të theksoj që te fëmijët ne po vëmë re një plakje të parakohshme të enëve të gjakut. Nuk do të thotë që ne jemi 17 vjeç dhe mosha jonë biologjike është 17 vjeç. Pra, mund të kemi një moshë shumë më të madhe, mund ta kemi 30 vjeç, dhe kjo plakje e parakohshme e enëve të gjakut na sjell sëmundje në një kohë të gjatë”, tha mjekja.
Por cilët janë faktorët që po ndikojnë që fëmijët tanë të preken nga dëmtimet e zemrës
“Rreth 80% e fëmijëve nuk bëjnë aktivitetin fizik të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Një në pesë fëmijë është obez. Të mos harrojmë që janë çrregullimet e ankthit dhe të gjumit, të cilat kanë filluar të jenë shumë në rritje, jo vetëm te të rriturit, por edhe te fëmijët. Gjithashtu, duhet të kemi shumë parasysh edhe përdorimin e drogave”, tha ajo.
Mjekja këshillon çdo prind ta mbajë fokusin në këto tre gjëra:
“Të jenë më të kujdesshëm ndaj aktivitetit fizik, mirë ushqyerjes, por edhe kontrolleve te mjeku i familjes”, theksoi Hasani.
Nisur nga fakti që 1 në 500 persona trashëgojnë hiperkolisteremi familjare, këshillohet që prindërit të bëjnë matje të niveleve të yndyrnave në gjak që në moshën 2 vjeç dhe matje të tensionit që moshën 3 vjeç për të shmangur rrezikun e sëmundjeve kardiovaksulare.











