Gjykata e Matit ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me dy vjet burg Skënder Xhomarën, ish-punonjësi i Postës që vodhi paratë e pensioneve të invaliditetit. Nga hetimet e prokurorisë rezulton se Xhomara në nëntor të vitit të kaluar ka marr rreth 1.2 milionë lekë të reja nga filiali i postës. Këto lekë ishin paratë e pensioneve të invaliditetit për 90 persona.
Pas marrjes së parave Xhomara u largua drejt Italisë me paratë e vjedhura. Pak para se të nisej për në Itali, i pandehuri i ka telefonuar një mikut të tij, ku i ka kërkuar që në makinën e tij të merrte disa dokumenta dhe t’ia dërgonte shefit të financës të filialit të Postës. Pasi dokumentacioni u administrua nga filiali, rezultoi se për muajin nëntor ishin paguar vetëm 6 persona, të cilët përftonin pensionin e paaftësisë, ndërkohë që pjesa tjetër e parave nuk ishte kthyer nga i pandehuri.
Pasi u konstatua vjedhja, drejtuesit e filialit të Posta Shqiptare sh.a, Mat, kanë dorëzuar kallëzim penal kundër ish-punonjësit Xhomara. Prokuroria zhvilloi hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën kundër shtetasit Skënder Xhomara, i akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Aktualisht, Xhomara është dënuar në mungesë, pasi është shpallur në kërkim.