Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Kosovë ka njoftuar për dy identifikime të reja të personave të zhdukur gjatë luftës, duke sqaruar se rastet nuk kanë lidhje me zhvarrosjet e fundit në Zubin Potok apo me lokacionet e adresuara gjatë këtij viti.
Sipas njoftimit të Komisionit, gjatë javës së kaluar janë pranuar dy raporte të ADN-së, përmes të cilave janë identifikuar mbetjet mortore të dy personave të zhdukur gjatë luftës.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se javën e kaluar janë pranuar dy raporte të ADN-së për identifikimin e mbetjeve mortore të dy personave të zhdukur gjatë luftës. Sqarojmë se këto dy identifikime nuk lidhen me zhvarrosjet në Kalludër dhe Jabukë, as me zhvillimet e fundit në Zubin Potok dhe as me ndonjë lokacion tjetër të adresuar gjatë këtij viti”, thuhet në njoftim.
Komisioni sqaron se identifikimet janë rezultat i rishqyrtimit të detajuar të mbetjeve mortore që ndodhen në morgun e Institutit për Mjekësi Ligjore, si dhe i mbledhjes së mostrave biologjike referuese plotësuese nga familjarët e personave të zhdukur.
“Pra, bëhet fjalë për mbetje mortore të zhvarrosura më herët, e jo gjatë aktiviteteve të fundit në terren”, thekson Komisioni.
Raportet e ADN-së i janë përcjellë Institutit për Mjekësi Ligjore, i cili, pas kryerjes së verifikimeve përkatëse, konfirmon zyrtarisht identifikimin.
Sipas Komisionit, gjatë kësaj jave familjet e personave të identifikuar do të njoftohen për rezultatet dhe hapat e mëtejshëm, në përputhje me procedurat përkatëse.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka përsëritur angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të familjeve dhe të drejtës së tyre për të ditur të vërtetën.











