Nga Ardian Ndreca
Neveria e thellë asht përshtypja e vetme që të ngjall leximi i pasazheve të librit të Isuf Kalos, xherrah besnik i shëndetit të nji klani gjakatarësh që kishte si qëllim të vetëm ruejtjen e pushtetit me çdo mjet, tue derdhë gjak, tue burgosë e persekutue këdo që imagjinata e sëmurë konsideronte si anmiq potencial.
Asht nji libër i botuem prej sharlatanit Henri Çili, i cili vetëpërkëdhelet me termin liberal, por asht thjesht nji pehlivan parvenue që s’ia ka pi as hirrën liberalizmit.
Libër i promovuem me nji grumbullim ish- bllokmenësh e lakejsh, mes tyne edhe Sali Berisha, varkari i përjetshëm i familjes Hoxha. Libër i himnizuem prej nji figure si Ilir Meta, prezantimin e denjë të t’cilit mund ta bajnë vetëm SPAK-u.
Libër i shkruem prej nji personi që të paktën betimi i Hipokratit do ta kishte detyrue mos me u zgjatë në disa detaje që nxjerrin në pah nji mendje me pulsione voyeristike, mbasi paska pasë vesin me iu afrue shtratit të pacientave me bllok në dorë për me marrë shënime pikante. Por megallomania senile ban atë që as guximi djaloshar s’mbërrin me e ba: ta nxjerr bojën.
Autori i librit del në pah si nji skuth moralist i kompleksuem ndaj atyne që nuk respektonin normat e moralit komunist, dylme ndaj të fortëve, i frustruem prej kinse suksesit të atyne që prej jashtë kishin mbërrijtë me ecë para në Bllok, adhurues i Enverit edhe në fazën e tij demenciale, i përjargun mbas Nexhmijes – “dimensionet” intelektuale e njerzore të së cilës i paska njohtë si kurrkush tjetër. Edhe kujtimet e nji idioti si Haxhi Kroi nuk të ngjallin ma shumë neveri se këto faqe që liberali Çili, sahanlëpisi i çdo pushteti, ka botue me pompozitetin me të cilin servir sahanat e çorbës së tij intelektualoide.
Fakti që vitet e fundit ka nji valë revizionimi të gjykimit historik ndaj krenëve të komunizmit shqiptar asht edhe rrjedhojë e mosfunksionimit të gjithë atyne organeve që në këto dekada do të ishte dashtë që të kishin mbledhë dokumentacionin përkatës për krijimin e kujtesës historike për krimet e komunizmit. Shumica e tyne kanë qenë në shërbim të Sali Berishës, i cili siç dihet pozonte në varkë me bijtë e Enver Hoxhës së bashku me kolegun e tij, qatipin e regjimit Kalo.
Në rrëfimin e këtij të fundit Enveri del autoritar e hijerandë, jo “burrë grashë” – shkruen ai, tue citue në mënyrë kriptike nji thanje të Kujtim Alimerkos, hero i burgjeve të Enverit, që Atë Zef Pllumi e sjell tek libri i tij me kujtime. Ka diçka makabre në këtë citim: shprehja e Alimerkos e vendosun në thojza edhe prej vetë Kalos, rezervohej në origjinal për ata që kanë ruejt dinjitetin njerzor në burgjet e regjimit enverist, ndërsa këtu përdoret nga Kaloja për me karakterizue vetë Enverin!
Kaloja shkruen për Enverin: “Ai imponohej me një shikim. Me një mbledhje të vetullave dhe rrudhave në ballë. Ndonjëherë me buzëqeshje, pa fjalë. Me heshtje. Burrëria tradicionale e meshkujve shqiptarë me nuanca mazohizmi ishin të shfaqura krenarisht dukshëm në mënyrën e tij të sjelljes” e vijon: “Ai rrezatonte autoritet, prandaj as guxova të ndaja me iniciativën time me të ndonjë mendim, shqetësim apo ta ndikoja në ndonjë drejtim, jashtë kuadrit të detyrës sime profesionale”. Librit të Kalos i mungon vetëm fraza mbyllëse: Rroftë KQ i PPSH me në krye…
Pyesim veten nëse i ka pa ndonjiherë ky Kaloja regjistrimet në video të mbledhjeve të Byrosë ku Enveri hidhej si zorra në prush tue anatemue shokët e tij me fjalor rrugaçash, a ia kanë dhanë miqtë e tij me lexue ndonji dokument arkivor ku me firmën e Enverit pushkatoheshin dhe dënoheshin njerëz të pafajshëm?
Nexhmija e Kalos del si nji grue e devotshme me “kompleksin e adhurimit dhe nënshtrimit të përhershëm të saj ndaj burrërisë, vendosmërisë dhe guximit të Enverit, si vendimmarrës i pakundërshtueshëm, që imponohej me bindjen se kishte gjithmonë të drejtë”.
Deliri i Kalos shkon deri aty sa me vizatue paralelizma mes Enverin e Leninit dhe Nexhmijes e Krupskajës, por nuk thotë sesa ndikonte gjendja psikofizike e Enverit, ashtu si ajo e sifilitikut të Uljanovskit, në vendimarrjen dhe në fobitë e tija me efekte traumatike për mbarë popullin!?
Nuk thotë që spesori intelektual i Nexhmijes ishte i papërfillshëm, se prej gjithë jetës së saj si “studiuese” dhe udhëheqëse nuk mbetë as edhe nji paragraf i denjë për t’u kujtue!
Por shqiptarët i kujtojnë ama shumë mirë zemërligësinë, atë substancialen që shorti ndau pothuejse barabar mes saj dhe të shoqit: nji egërsi e pashoqe prej kafshësh të egra që nuk stepeshin dhe zhduknin me kuç e maç edhe familjet e shokëve të luftës dhe të idealit. Kaloja flet për mungesën e “nexhmijizimit” si rrymë politike, a thue se e keqja tek ajo mund të kishte krijue individualitet të atillë sa me prodhue forma të reja!
Nji mendje mediokre si ajo e Nexhmijes dhe e Enverit mund të pillnin veç plane vrasjesh e pabesish, qesharakësia e tyne si pseudo-mendimtarë marksista asht e njohun botnisht. Në kushte normale Enveri do ta kishte pasë vendin si shitës cigaresh kontrabandë në ndonji qoshe të Tiranës ndërsa Nexhmija nji anonime deng pa markë.
Por Nexhmijes nuk mund t’i mohohet nji meritë tjetër, si intrigante meskine ajo nuk hezitoi me miratue si në shtrat si në forumet e partisë krimet ma të shëmtueme e me projektue të tjera së bashku me Ramizin për me ruejt familjen e saj.
Kur doktori i Enver Hoxhës sajon komplote deri edhe me dadon e Mehmet Shehut, tue hjedhë dyshime sesi nji plakë e huej mund të rriste fëmijët e kryeministrit, e kuptojmë se çfarë regjimi ka pasë Shqipnia, çfarë llomi njerzor ka drejtue atë vend dhe ka mbajtë në kambë makinerinë e diktaturës dhe të dhunës. Kur doktori arsyeton si nji operativ sigurimi çka mund të pritej prej nji hetuesi apo polici!?
Doktori Kalo shprehet se “në elektrokardiogramet e zemrave të tyre ne mjekët nuk pamë tek ata imazhe apo gjene të djallit”.
Asht e qartë tentativa me i paraqitë edhe njerzit ma gjakatarë të regjimit si individë të zakonshëm, me të mira e të këqija si gjithë të tjerët.
E kuptojmë delirin e pleqnisë, sindromën e mirënjohjes së përjetshme ndaj atyne që “e kanë ba njeri” tue i dhanë shkollë, tue e nxjerrë jashtë shtetit, tue e shetitë me barkë, tue e veshë me privilegje, pushtet, tue e mbrojtë dhe vlerësue si besnik.
Por vetvetijshëm të vjen me mendue se edhe nji njeriu pleh, por pleh krejt ama, siç duhet të jetë ky Kaloja, duhet t’i vijë turp me derdhë lavde pa doganë mbi ata që në vitin 1990 ia dorzuen Shqipninë dhe shqiptarët botës ma keq se fiset e egra afrikane, të unshëm, të izoluem, të mjerë, të dëshpëruem, me burgjet plot, me mija e mija të pushkatuem, me qindra mija vite burgu vetëm për me ruejt pushtetin dhe privilegjet e Enverit dhe të bedelave si Kaloja.
Zgjedhja e Sali Berishës nga ana e Ramizit e Nexhmijes në 1990 paska qenë e sigurtë dhe me symbyllë, pse këdo të kishin zgjedhë prej varkarëve të tyne rezultati do të kishte qenë i njejtë. Këtë gja e tregon ky libër dhe promovimi i tij sot.
Kobet e komunizmit shqiptar nuk ka asnji aparat diagnostikimi pozitiv që i tregon, prandaj edhe varkari i familjes Hoxha s’ka mujtë me i pa. Për me i pa duhet humanizëm dhe qytetari dhe mbi të gjitha empati me ata që kanë vuejt dhe që janë shumica e shqiptarëve, ata që nuk hynin në Bllok me pistoletë në brez apo me stetoskop në qafë si Kaloja apo Berisha.
“Genet e djallit” në trupat që mjekonte Kaloja s’mund të shihen si imazhe apo diagrama të ftohta në letër karbonit, por si vuejtje, shkatrrime jetësh dhe si izolim i pashpirt i nji populli të tanë prej botës së qytetnueme dhe idealeve të saja të lirisë. Nexhmija me shokë duhet t’i jenë mirënjohës Kalos jo pse vitet e fundit ka surfullue Enverin tue ia zgjatë fazën e gjytrymllekut, por për ketë libër që mëton me paraqitë anën njerzore të Bllokut.
Kalos i ka mungue empatia me shqiptarët që nuk kishin akses në Bllok, me ata që vuenin në kampe internimit dhe burgje. Tek ky libër ai ngjason me nji zagar shërbestar të cilit i ka interesue vetëm sahani i tij dhe asgja tjetër. Si të tillë duhet t’ia lexojmë edhe epikrizën e tij të diktaturës.
Ai e ka shkrue edhe për vete atë epikrizë, privilegj i rrallë i atyne që në tentativën me u monumentalizue edhe nepërmjet nji nuliteti si Henri Çili vorrosin vetveten nën malin ma të madh të plehut që ka prodhue historia shqiptare e shekullit XX./ TemA