Në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve është dorëzuar një kërkesë nga Prokuroria për heqjen e mandatit të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi i PDIU dhe Gledion Rahovica i LSI-së.
Por nëse KQZ miraton kërkesën kush do të jenë emrat e rinj që do të futen në Parlament në vend të tyre?
“BalkanWeb” zbulon se në listën e qarkut të Beratit pas Rahovicës renditet Silva Caka, e cila ka shumë mundësi të bëhet deputetja më e re e LSI-së. Ndërsa tek PDIU-ja situata është pak më e koklavitur.
Emrat e meshkujve që renditen në listë nuk do të llogariten, pasi ky subjekt politik nuk ka respektuar kuotën për barazi gjinore, duke çuar kështu një tjetër femër pas Elna Xhinës në Parlament. Kështu mësohet se deputetja më e re nga radhët e PDIU-së do të jetë, Florenca Halili.
ELBASAN, PDIU
BERAT, LSI
Organi i akuzës duket se ka mbledhur prova të mjaftueshme nga autoritetet italiane dhe Interpol që verifikuan shenjat e gishtave për dy deputetët që rezultojnë të arrestuar për vjedhje dhe për përdorimin e emrave të tjerë, gjë të cilën nuk e kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit./BW