Rezultatet e zgjedhjeve gjithnjë e më shumë nuk po diktohen nga programet, por nga imazhi. Pamja, veshja, komunikimi, mosha, gjinia, origjina, profesioni e kanë bërë ndikimin në rezultat më të dukshëm duke i konkurruar programetqë kanë zbehur efektin ngapremtimet e pambajtura.Modeli i ri i fushatës nga mitingjet te shtëpitë dhe milionat e financimeve
Nga Blerina Hoxha/
Përkufizimi se politika është shkencë shihet ta ketë humbur kuptimin në kohët e sotme kur teknologjia ka krijuar një botë virtuale krahas asaj reale dhe se, ajo themelorja, vota popullore, është bërë mjaft e vështirë për t’u kalkuluar. Shkencëtarët e politikës apo politikanët shkencëtarë tashmë e kanë të vështirë të arrijnë në përfundime qoftë edhe të përafërta. Parashikimet dhe llogaritë nuk vlejnë as për bastionet. Shumë faktorë janë në lojë. Pas numrave që përcaktojnë votat, gjithnjë e më shumë detajet kanë marrë hapësira të rëndësishme ndikimi. Tani kur politika duket se e ka konsumuar së tepërmi vetveten, mjete të tjera më të sofistikuara po përdoren. Pamja, veshja, mënyra e komunikimit, mosha, gjinia, origjina, profesionie kanë bërë ndikimin në rezultat më të dukshëm. Këta aksesorë konkurrojnë edhe programet, të cilat me kohë kanë zbehur ndikimin ngapremtimet e pambajtura.
Kanë mbetur vetëm dy javë nga zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015 dhe harta elektorale e Shqipërisë sjell një mori modelesh. Kandidatët për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, Halim Kosova dhe Gjergj Bojaxhi që këtë herë vjen si një potencial nga të pavarurit, ikarakterizon modestia, një e përbashkët që buron nga karakteri i tyre personal, e cila në këtë moment, duket se i shkon mjaft për shtat popullit kryeqytetas që po i kursen edhe buzëqeshjet e shtirura. Posterat, flamujt dhe mitingjet me foni të lartë, nuk janë më në modë. Trendi i fundit ka vënë qytetarin në fokus. Ai nuk po thirret, por po vizitohet. Jo vetëm po dëgjon, por edhe po dëgjohet. Beteja ka në fokus administrimin, politika është sfond.
Në rrethe, gara vijon njësoj,madje më e fortë se në të shkuarën. Kryebashkiakët duhet të fitojnë edhe votat e fshatrave dhe kështu makina elektorale ka ndezur të gjithë motorët. Në garë janë të gjitha mjetet. Rivalët e politikës jashtë në bashkitë e reja po i zbrazin të gjitha, pa kursyer paratë, akuzat dhe sigurisht, as premtimet.
Nga mitingjet te qytetarët
Në Shqipëri duket se fundi i një fushate projekton fillimin e një tjetre. Nga zgjedhjet e përgjithshme në ato vendore dhe anasjelltas. Zgjedhjet lokale,kryesisht në Tiranë,përveç qeverisjes së Bashkisë së Tiranës, janë të rëndësishme pasi përcaktojnë trendin e kryeministrave në të ardhmen. E parë në këtë dimension, gara në Tiranë nuk është kaq e thjeshtë sa po duket. Por se partitë politike kanë zgjedhur mënyra krejt të reja për të marrë votën. Kryetari Basha po testohet për herë të parë në organizimin e zgjedhjeve si kryetar partie, ndërsa fati imëtejshëm politik ikandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, varet nga rezultatete këtyre zgjedhjeve. Për shkak të këtyre elementeve, fushata e kampeve politike këtë herëvjen disi ndryshe në Tiranë. Kryetari iPD-së, Lulzim Basha, po përpiqet të sfidojë modelin “Berisha” të të bërit fushatë. Shkëputja nga modeli imponues, plot karizëm dhe energji i Berishës, me supermitingje tashmë është në provë. Do të jetë një dështim apo një sukses, këtë pritet ta tregojnë rezultatet. Siç bëjnë me dije burimet nga shtabi i elektoral i Partisë Demokratike, ka një orientim në të gjithë vendin për një fushatë të qetë, larg mitingjeve me zë të lartë, sloganeve pompoze dhe posterave të stërmëdha.Nga grumbullimet e imponuara, po punohet në takime me grupe të vogla ku më shumë flasin qytetarët.
Kampi tjetër gjithashtu po bën lëvizje të moderuara. Fitorja me një milion vota në zgjedhjet e përgjithshme të 2015-s duket se nuk është shpërblyer me rezultatet që votuesit kanë pritur. Kështu që kandidatët e mazhorancës për zgjedhjet vendore do të duhet të mbajnë edhe këtë peshë, duke i bërë ata që të orientojnë debatin më shumë në aspektin menaxherial të drejtimit të bashkisë deri tani.
Erion Veliaj, një politikan i ri energjikdhe me përvojë në politikë dhe komunikim ekselent, popërballet me rivalin kryesor, doktor Kosova,i cili po demonstron vlerat që vijnë nga përvoja e tij jetësore, humane dhe menaxheriale, me një nivel të thjeshtë komunikimi, por që në fakt e çon atëmë afër masës. Ndaj kandidati Veliaj, më shumë se në një ballafaqim programesh me rivalin Kosova, është duke bërë fushatë me pikat e dobëta të menaxhimit të Tiranës nga kryetari aktual, Lulzim Basha, në të njëjtën kohë rivali kryesor politik.
Modeli i LSI, edhe këtë herë bën diferencën. Shtabi elektoral i kësaj partie po konsumon të gjitha mjetet, nga takimet derë më derë, zyrat pompoze elektorale, takimet kolektive, demonstrimet publike me flamuj dhe gjithçka tjetër që do fushata.
Modeli amerikan i Bashës vs. modelit britanik të Ramës
Përvoja personale në organizimin e zgjedhjeve, po tregonse, agjencitë vendase të imazhit dhe ekspertët shqiptarë të komunikimit shqiptare nuk kanë qenë të mjaftueshme që partitë politike të zhvillojnë modelin e tyre në fushatë. Është shndërruar tashmë në traditë që partitë kryesore në vend të konsultohen me ekspertizën e huaj. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë. Burimet nga shtabi elektoral isë majtës kanë pohuar se, Partia Socialiste në fushatë po këshillohet nga eksperti i komunikimit në qeverinë Bler, Alastair Campbell, ndërsa kryetari iPartisë Demokraktike, Lulzim Basha,po këshillohet me grupin amerikan, Mellman, i njëjti që dha konsultime edhe për fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2011, që solli edhe fitoren e Bashës.
Më datën 20 prill, kur Veliaj ishte nominuar për kryetar bashkie, Campbell do të shkruante në profilin e rij në Twitter,”Paç fat Erion Veliaj në dy javët e fundit si ministër para se të zgjidhesh kryebashkiak i Tiranës.I ri, i aftë dhe jo si Boris”. Ekselenti i komunikimit në Britani ka qenë më parë në Shqipëri ku është takuar edhe me EdiRamën. Ai duket se është pjesë e një “pakete” konsulence që ish-kryeministri britanik, Toni Bler, po jep në disa drejtime për qeverinë shqiptare. Burimet pranë shtabit elektoral të Partisë Socialiste bëjnë me dije se Campbell po e këshillon Velijan që të bëjë një fushatë të qetë, larg fyerjeve dhe akuzave personale. Në themel të debateve duhet të jenë problemet dhe jo personat.
Ndërsa kampi tjetër, opozita nën këshillat e agjencisë Mellman po drejton një fushatë modeste, të drejtuar në disa faza. Mellman ka këshilluar kryetarin Basha që fushata të drejtohet nga qytetarët. Ndaj faza e parë e konsulencës amerikane është aplikuar qysh në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, të cilët u shpallën fitues nëpërmjet anketimeve që u zhvilluan me bazën e partisë në disa nga qytetet kryesore.Në javët e para të majit dhe më herët në prill, amerikanët kanë këshilluar Partinë Demokratike që kandidatët të zhvillojnë takime të vogla dhe të dëgjojnë qytetarët. Më pas fushata e opozitës ka kaluar në fazën tjetër, ku shqetësimet e qytetarëve janë përfshirë në program dhe më pas kanë vijuar takimet ku kandidatët dhe qytetarët kanë nisur debatin mbi programin.Aktualisht, fushata kahyrë në fazën finale kur në javën e fundit pritet të konsumohen të gjitha mjetet edhe nga ana vizuale.
Kryeredaktori i gazetës Mapo, Arion Sulo, i cili ka ndjekur sistematikisht zhvillimet politike në dy dekadat e fundit thotë se, partitë kryesore politike në vend në tre zgjedhjet e fundit kanë përdorur konsulencën e huaj, duke krijuar një përvojë që po içon gjithnjë e më shumë drejt modeleve të reja të të bërit fushatë.
Elton Metaj, kryeredaktor në gazetën Shekulli, vlerëson se fushata në Tiranë, në thelb nuk përbën një model ndryshe. Megjithatë, sipas tij,ka disa elemente që janë të ndryshëm nga fushatat e tjera apo nga bashkitë e tjera. Në Tiranë, kemi dy realitete të ndryshme, të të dy kandidatëve kryesorë, ndërsa për herë të parë parashikohet që të pavarurit të mos jenë kaq të pavlerë në mbledhjen e votave, thotë ai.Metaj ka vënë re se, kandidati i opozitës, dhe për shkak të faktit se, votat e koalicionit PS-LSI i japin pak shanse për të parë zyrën e kreut të bashkisë, po zhvillon një fushatë bisedore me njerëzit, pa bërë aventura në premtime të rëndësishme për qytetin.
Imazhi, veshjet, ngjyrat
Kur bie fjala për imazhin, ngjyrat, veshjet, sloganet, ai ikryetarittëPartisë Socialiste, Edi Rama, nuk ka konkurrencë. Kreativ deri në detaje, edhe në këtë fushatë, ai është trendi. T-shirt poshtë një xhakete casual,e kombinuar sipas rastit, Kryeministri mbetet modeli për veshjen e fushatës.
Si opozita dhe mazhoranca po priren drejtsë thjeshtës dhe sportivitetit. Më shumë dallojnë në këtë prirje shefat e mazhorancës, Rama dhe Meta, ku ky i fundit, pas rikthimit të linjave normale trupore, po vjen i kombinuar këndshëm me nuancat e blusë dhe këmishat me kuadrate. Kampi tjetër ka krijuar stilin e tij të thjeshtë dhe konservator. Si Basha dhe kandidati Kosova, kanë preferuar këmishat me ngjyra jo të theksuara dhe pantallonat dok të çelura, tipike në fushatat e liderëve amerikanë.
Ngjyrat vijnë të njëjtat këtë herë. Partia Socialiste, pas kthimit nga roza te lejlaja nuk ka pasur më risi të tjera, ndërsa PD dhe LSIu kanë qëndruar ngjyrave tradicionale, blu dhe të kuqe. Por imazhi këtë herë duket se është kuruar me shumë finesë në imponimin e ngjyrave. PD dhe PS kanë zgjedhur të mos proklamohen shumë me anën vizuale ku posterat, banerat dhe flamujt janë më pak të pranishëm, të paktën në kryeqytet.
LSI ka vendosur të veprojë ndryshe. Jashtë qendrës së Tiranës, kryesisht në periferinë e bashkisë dhe pastaj kudo në Shqipëri, LSI ka shpërthyer me flamuj. Rrugët nacionale gjithashtu janë pushtuar nga famujt e LSI, e cila në perceptimin e qytetarëve duket se ebën fushatën më të shtrenjtë,por me deklarimet që bën në KQZ është partia e tretë në radhë, pas PS dhe PD, për shpenzimet zgjedhore. Kryredaktori i Mapo, vlerëson se, LSI bën fushatë më të mirë se partitë e mëdha. Sipas tij, kjo diktohet nga fakti që ka më pak njerëz, organizohet më lehtë dhe për më tepër, është e vetmja që mban premtimet zgjedhore që më së shumti janë në rrafshin individual. Sulo vëren se krahas konsulencës së huaj, LSI ka nuhatje më të fortë për shijetdhe tendencat e elektoratit të saj. Fakti që në zgjedhjet e fundit, LSI ka siguruar 180 mijë vota, e bën atë edhe më agresive, të paktën për të ruajtur të njëjtin rezultat tha ai.
Posterat e vegjël me portretet e kandidatëve që ndotnin fasadat janë zëvendësuar nga banerat e mëdhenj që vihen në hapësirat e banesave. Më të rrallë, por mëfisshëm, e kanë ngritur anën vizuale të fushatave në një stad më të lartë.
Gara e spoteve dhe sloganeve
Gara për zgjedhjet lokale ka Tiranën pararojë. Sloganet, spotet televizive kanë për fokus Tiranën dhe kandidatët e saj. Sipas vlerësimeve të mëparshme, 50% të shpenzimeve qëu dedikohen zgjedhjeve shkojnë për kryeqytetin. Spotet televizive janë pjesa më e rëndësishme. Kandidati Veliaj, në këtë garë, po ofrohet me arritjet e tij si ministër iMirëqenies Sociale, duke evidentuar reformën e pensioneve, zyrat e punës, etj. Në këtë spot janë të tjerët që vlerësojnë arritjet e kandidatit. Një të ngjashme ka edhe rivali Halim Kosova. Me një gjuhë të thjeshtë dhe më origjinale, Kosova ka preferuar të tregojë nëpërmjet spotit aftësitë menaxheriale si mjek, drejtues, ministër dhe deputet. Përpos spoteve individuale ka edhe një model tjetër reklamash, kryesisht denigruese për kundërshtuarin.
Mazhoranca ka vënë në fokus kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës dhe disa pamje të mjerueshme të infrastrukturës së Tiranës, duke e bërë kështu fajtor Bashën për ato nuk janë bërë në Tiranë.Ndërsa opozita ka formuluar një spot në formën e ironisë, ku kandidati Veliaj ilustrohet me një papagall, duke synuar të injektojë tek elektorati se Veliaj është një produkt “politik” iKryeministrit Rama, që vlerëson më shumë imazhin sepunën.
Sloganet janë plot risi këtë vit. Mazhoranca pretendon se është drejtimi i duhur dhe slogani është vënë mbi një shigjetë, si ato që tregojnë drejtimin e rrugëveqë drejtohet nga kandidati i majtë. Mbi një sfond lejla, shigjeta e kuqe ka mbishkrimin e bardhë – drejtimi i duhur. KandidatiVeliaj ka bërë edhe një fletëpalosje në të cilën nuk ka premtime, por në formën e një letre me një gjuhë mjaft të latuar ai u kërkon votën qytetarëve të Tiranës. Opozita, në themel të sloganit të saj, ka “Punë dhe dinjitet”. Me këto dy fjalë synon të prekë dy problematikat kryesore që po vuan shoqëria dhe ambienti politik në vend.
Dinjiteti vjen si një vlerë e shtuar tani kur persona me precedentë të rëndë penalë kanë pushtuar politikën dhe Parlamentin. Ndërsa punësimi duket të jetë një plagë e hershme e ekonomisë shqiptare, element që në fakt, është në fokus të çdo fushate nga të gjitha palët. Në një sfond blu, fashat reklamuese të PD kanë të shënuar në një rrip portokalli, sloganin “Punë dhe dinjitet”.
Gara online, fitojnë Veliaj dhe Duma
Krahas takimeve në terren, një garë e fortë po zhvillohet edhe online. Nga të dhënat e fundit duket se, fitues është Erion Veliaj në Tiranë dhe Grida Duma në Durrës me diferenca të thella me rivalët e tyre në garë. Por kjo nuk duhet lexuar si votë për shkak se ata që navigojnë në internet janë kryesisht të rinj, ndoshta ende pa mbushur moshën për votim, ndërsa ata votuesit e vërtetë në moshë e përtej të 50-ave nuk është se janë përdorues të rregullt të internetit. Në faqen e tij në Facebook, Erion Veliaj numëron 222 mijë like, ndërsa rivali Kosova 75 mijë e 700 like, tre herë më pak se rivali. Me një numër të konsiderueshëm like-sh vjen edhe kandidati i pavarur, Gjergji Bojaxhi, me mbi 16 mijë të tilla.
Në Durrës, kandidatja e opozitës, Grida Duma, ka një rekord like-sh në këtë fushatë në mbi 113 mijë të tilla në krahasim me kryebashkiakun aktual, i cili ka rreth vetëm 18 mijëtë tilla.
Gjithashtu në Elbasan, kryebashkiaku aktual i Elbasanit, Qazim Sejdini, ka më shumë se 21 mijë like, ndërsa rivali i tij, Ardian Turku, vetëm 1510 të tilla. Nga politikanët,garën e fiton ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me 989 897 like, pas tij në radhë vjen Kryeministri, Edi Rama, me 844 360 like dhe në vend të tretë,kryetari i opozitës, Lulzim Basha, me 533 483 like.
Mungesë vizioni për ndarjen e re
Reduktimi i njësive vendore nga 374 aktualisht në vetëm 61 bashki, përveçse do t’i bëjë më të pushtetshëm kryebashkiakët e rinj, do të ketë ndikim të padiskutueshëm në jetën sociale dhe ekonomike të vendit. Ndarja e re territoriale nuk është thjesht përcaktimi i kufijve të rinj administrativë që kanë lidhje me qeverisjen vendore, por jep mundësi të reja zhvillimi në të gjitha aspektet, sigurisht nëse të zgjedhurit e rinj do të dinë të menaxhojnë. Në të kundërt, “pashallarët e vjetër” që kanë qeverisur nga dy mandate në bashkitë kryesore, do të shtrijnë edhe më tej sulltanatin për pushtet personal më pak se në shërbim të qytetarëve.
Mirëpo ajo që fushata elektorale po ofron sot nuk shpalos asgjë nga ajo që pritet të ndodhë. Të paktën nga programet elektorale të artikuluara në takimet e kandidatëve nuk është zbardhur asgjë e jashtëzakonshme se nga ato që rëndom kemi dëgjuar për fushatat e tjera. Dhe kjo, jo për faj të kandidatëve vendorë, por të pushtetit qendror që nuk ka ende gati të gjitha ligjet, udhëzimet, rregulloret dhe fondet që do të jetësojnë në praktikë funksionet e ndarjes së re. Sipas strategjisë finale të decentralizmit 2015-2020, që tashmë ka marrë miratimin edhe në Kuvend, qeverisja lokale nuk do të zgjerohet vetëm në territor gjeografik, por edhe në kompetenca, ligjvënie dhe në administrim. Kryeredaktori i Mapo-s, Sulo, pohon se pothuajse të gjithë kandidatët nuk po mësohenme ndarjen e re territoriale. Kjo – thotë ai – vihet re edhe në programet, por edhe në komunikimet e kandidatëve me fshatrat ku flitet më së shumti dhe pa programe konkrete.
Përplasjet e forta
“Beteja” në Tiranë po zhvillohet e qetë, porse në rrugët kryesore hyrëse në saj, në Bashkinë e Kazmës dhe Vorës po zhvillohen supergarat. Kujtdo që i ka rastisur të kalojë këto ditë nga rrugët nacionale që të sjellin në Tiranë ka parë në ajër erën e rëndë të fushatës, që është krijuar mes demokratëve kryebashkiakë në mandatin e tretë,Xhelal Mziu në Kamzë dhe FiqiriIsmali në Vorë nga njëra anë dhe kandidatëve të LSI, biznesmenëve Safet Gjici për Kamzën dhe Luan Sallaku për Vorën.
Për shkak se këto bashki kanë në përgjithësi një elektorat të djathtë, dhe janë zona të lira të LSI, gara mes kandidatëve po zhvillohet me të gjitha mjetet. Banorët e Kamzës dhe Vorës nuk kanë mundësi të shohin edhe qiellin këto ditë nga flamujt e të dy palëve, banerat dhe posterat në çdo cep.
Kryeredaktori Metaj thotë se zgjedhjet lokale historikisht janë beteja më të forta. Sipas tij,zgjedhjet vendore janë të vetmet me sistemin mazhoritar, pra ku ka një konkurrim direkt mes dy apo më shumë kandidatëve në një zonë të caktuar. Kjo stimulon në mënyrë të veçantë edhe replikat mes kandidatëve, duke e bërë fushatën ndonjëherë të mbushur me akuza.
Shpenzimet e heshtura
Në dukje, fushata këtë herë lë të kuptojë për më pak ekspozim harxhimesh.Burimet nga shtabi i PD-sëbëjnë me dije se kryetari Basha ka orientuar kandidatët në rrethe që të sigurojnë fushatën me vetëfinancim dhe sponsorizime. Në fakt, kështu po ndodh edhe në Tiranë.Infrastruktura në kryeqytet në shërbim të fushatës së doktor Kosovës është krijuar me kontribute vullnetare dhe mungojnë totalisht pagesat për karburant dhe shpenzime telefonike që në fushatat e tjera kompensoheshin.
Ndërsa rivalët e LSI dhe PS duket se kanë një infrastrukturë më të mirë, të paktën nga zyrat, por LSIme sy të lirë duket se nuk është kursyer as në zyra dhe as në flamuj e banera.
Për kryeredaktorin Metaj,kjo nuk është një ndër fushatat më të shtrenjta. “Në perceptimin tim, një fushatë shumë më e shtrenjtë ka qenë ajo për Bashkinë e Tiranës mes Edi Ramës dhe të ndjerit Sokol Olldashi, aty shpenzimet përfushatën duket se kaluan çdo kufi, duke mposhtur edhe aspektin viziv për qytetarët e Tiranës, të detyruar të ndesheshin kudo me postera dhe jo vetëm, për të mos folur për spotet televizive, etj.”, -shprehet Metaj.
Edhe kryeredaktori Sulaj pohon se, kjo fushatë duket pak më e lirë separaardhëset, por kjo s’do të thotë se, nuk është fushatë ku po hidhen miliona euro të padeklaruara dhe që nuk do të zbardhen në fund te zgjedhjet si financime për partitë dhe kandidatët. Ai thotë se, mjafton të llogarisësh çmimin e spoteve televizive dhe posterave e do shikojmë se, shumat që jepen nga buxheti i shtetit për fushatën janë thërrime para llogarive reale.
Në shkurt të këtij viti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi ndarjen e fondit vjetor prej 190 milionë lekësh për partitë politike. Partia Socialiste ka qenë përfituesja më e madhe me 73 milionë lekë për shkak të numrit të deputetëve në Kuvend.Partia Demokratike përfitoi 57.1 milionë lekë dhe LSI mori 20.5 milionë lekë. Partia Drejtësi,Integrim dhe Unitet përfitoi 7.51 milionë lekë, Partia Republikane 6.63 milionë lekë dhe një fond prej 4.13 milionë lekësh u shpërnda për Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sugjeruar që partitë politike të detyrohen me ligj për të bërë transparencën e financave të tyre gjatë fushatave zgjedhore. Por kjo kërkesë, deri më tani, është respektuar vetëm nga kandidati i pavarur,Gjergji Bojaxhi, i cili që nga nisja e fushatës publikonçdo të premte të rinovuar listën e financimeve nga sponsorizimet.
Shpenzimet, deklarimet modeste të partive
Deklarimi që partitë politike në Shqipëri bëjnë për shpenzimet e fushatave zgjedhore janë shumë larg perceptimit të publikut. Është krijuar ideja se, miliona dollarë harxhohen në shërbim të infrastrukturës që kërkojnë zgjedhjet që nga stafet, zyrat elektorale, famujt, posterat dhe deri te “blerja” e votës. Por nga ajo që vetë partitë kanë deklaruar se kanë harxhuar për zgjedhjet, të paktën në ato të 2013-s, shifrat janë krejt modeste. Partitë kryesore në garë PS, PD dhe LSI kanë harxhuar gjithsej 340 milionë lekë, ose 3 milionë dollarë, me kursin e atëhershëm të këmbimit, sipas raporteve të auditit të dorëzuar në KQZ.
Në zgjedhjet parlamentare të 2013-s mësohet se fushatën më të shtrenjtë e ka bërë Partia Socialiste, me 187 milionë lekë,shumë kjo gati sa dyfishi i shpenzimeve që ka deklaruar Partia Demokratike, në atë kohë në mazhorancë. Po sipas të njëjtave burime, Lëvizja Socialiste përIntegrim (LSI) renditet e treta për shpenzimet elektorale të deklaruara zyrtarisht, të cilat në zgjedhjet e 2013-s nuk kanë qenë më shumë se 57 milionë lekë.Gjithsej, koalicioni i majtë(PS-LSI) në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s shpenzoi rreth 2 milionë dollarë, gati dyfishin e koalicionit të djathtë.