Vija bregdetare e ndotur në Durrës tashmë është pastruar. Pjesa më e madhe e ndotjes është larguar pas një pune intensive të bërë nga autoritetet përkatëse gjatë gjithë natës. Ditën e shtunë u konstatua se një sipërfaqe prej rreth 2.5 km vijë bregdetare ishte nxirë për shkak të derdhjes në det të një sasie të madhe karburanti e vaji nga një anije, ende e paidentifikuar.
Drejtori i Komunales së plazhit, Esat Kapllani ka konfirmuar se për pastrimin e vijës bregdetare të ndotur kanë punuar një sërë personash nga komunalja.
Prokuroria dhe policia nisën hetimet, sekuestruan dokumentacionin e anijeve që kanë kaluar në 24 orë në këtë zonë
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka theksoi se puna vijon ende si për pastrimin e plotë edhe zbulimin e shkaktarëve të ndotjes. Sipas ministrit ndotja nuk ka qënë e përmasave të mëdha por valëzimi i detit ka bërë të mundur nxjerrjen e sasisë së lëndës djegëse në bregdet
“Ndotja u eliminua falë punës së strukturave të Bashkisë së Durrësit dhe komunave, pavarësisht kësaj puna vijon për pastrimin e plotë.Hetimet vijojnë dhe në bashkëpunim me Ministritë e Brendshme po hetojmë kush e shkaktoi ndotjen dhe nuk do të kaloi pa u ndëshkuar kjo situatë”-tha Koka.
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka pohoi dje se “në port janë vetëm 2 anije të ankoruara, dhe 1 nga to ka shumë gjasa të jetë ndotësja”. Ministri paralajmëroi se sapo strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të mbyllin hetimet shkelësit do të vihen para ligjit dhe ndëshkimit që ligji parashikon.