Të premten në mbrëmje, policia e Durrësit kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme parash nga një person me iniciale H.A 60-vjeç.
Arrestimi u bë nën akuzën e informalitetit, pasi 60-vjeçari është kapur në flagrancë tek fshihte të ardhurat nga veprimtaria e këmbimit valutor.
Mbi shtetasin rëndojnë veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, shuma të konsiderueshme parash, të prerjeve të ndryshme.
Policia ka njoftuar se materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Arrestimi është kryer në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e informalitetit, bazuar në informacionet e marra dhe operacioni policor mbante emrin e koduar “Valuta”. SHQIP