Gazetari Alban Dudushi dhe njëherësh moderatori i emisionit “3D” ka deklaruar se Erion Veliaj mori një fitore të rëndësishme me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e la atë në detyrë si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Duke folur në emisionin “Tema e Ditës” të Arbër Hitajt në RTSH1, Dudushi vuri në dukje se “Gjykata Kushtetuese që është subjekti suprem, është rojtarja e Kushtetutës së vendit dhe në këtë lloj kuptimi vendosi balancën”.
Ai theksoi se nga ana tjetër, kjo tregoi se kryeministri “Rama nuk i kontrollon të gjitha pushtetet në këtë vend”.
“Pastaj përplasjet politike do të vazhdojnë. Z. Rama nuk është për të menduar si gjyqtar, është për të menduar si politikan, si drejtues i forcës politike më të madhe në vend dhe si kryeministër i këtij vendi dhe natyrisht qeverisja e kryeqytetit është një problem. Në momentin që ke një kryetar që është në burg, ky është një problem për qytetin. Ka prevaluar ajo çka thotë ligji, çfarë thotë germa, çfarë thotë neni 115, pika 1 e Kushtetutës”, theksoi Dudushi.
Gazetari shpjegoi më tej se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ketë ndikimin e saj te vetë rasti i Erion Veliajt.
“Çështja penale e Veliajt është diçka që do të ndjekë rrugën e saj, te masa e sigurisë besoj se mund të ketë një impakt sepse është absurd po ta mendosh deri në 2027-n me një kryetar bashkie në burg me masë të sigurisë arrest me burg pra, jo i dënuar përfundimisht këtu ka një ngërç të madh që besoj se do të marrë zgjidhjen. Beteja e Erion Veliajt për ta pasur bashkinë e Tiranës”, u shpreh Dudushi.
Gjithashtu, Alban Dudushi specifikoi se fakti që Veliaj vijon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës i jep atij një fuqi shtesë politike, ndërsa shtoi se ai nuk beson që Veliaj do të japë dorëheqjen edhe pse ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg.
“Erion Veliaj do të ishte i marrë fund politikisht nëse ai do të ishte i shkarkuar fillimisht si kryetar i bashkisë së Tiranës. Fakti që ai është kryetar i Bashkisë së Tiranës i jep Erion Veliajt një fuqi politike e cila dukej sikur po i ikte. Këtu varet se di do të luajë politikisht Veliaj. Nuk e di sesi do t’i bëjë ai llogaritë e tij, nëse do t’i duket variant i pranueshëm dhënia e dorëheqjes apo nuk do t’i duket variant i pranueshëm dhënia e dorëheqjes. Në logjikën e deritanishme, lufta e madhe që ai ka bërë për të mos u shkarkuar si kryetar bashkie i Tiranës besoj se nuk do të jetë aq e kollajtë që ai të japë dorëheqjen si kryetar bashkie”, tha më tej Dudushi.











